NATYRA DHE KARAKTERISTIKAT E MELEKËVE

Kushti i dytë i imanit është besimi te melekët. Melekët janë krijesa të krijuara nga drita. Ato nuk hanë, nuk pinë dhe nuk kanë gjini.

Melekët janë robërit e dashur të Allahut. Ata i çojnë në vend, pa të meta urdhrat e Allahut dhe nuk bëjnë gjynahe.

Allahu i ka krijuar krijesat në forma të ndryshme. Disa prej tyre njeriu mund t’i shohë, ndërsa krijesat e tjera nuk i sheh dot. Kjo për faktin, se shi­kimi i syrit të njeriut është i kufizuar.

Për shembull, njeriu nuk sheh me sy të lirë krijesa shumë të vogla, ashtu sikurse nuk sheh me sy ajrin, erën, shpirtin dhe intelektin. Syri i njeriut nuk e sheh si objekt rrymën elektrike. Pa dyshim që të gjitha këto që përmendëm ekzistojnë edhe pse njeriu nuk i sheh dot. Ja pra, edhe melekët janë krijesa që ekzistojnë, edhe pse njeriu nuk i sheh dot me sy.

Njeriu nuk i sheh dot melekët, sepse ato janë krijesa të krijuara nga drita. Ne besojmë te ekzistenca e melekëve, sepse edhe Allahu na ka folur rreth tyre në Kuran, edhe Profeti Muhamed (a.s.), i ka parë dhe na ka treguar në lidhje me ta. Çdo gjë për të cilën na ka informuar Allahu dhe Profeti i Tij i dashur është e vërtetë. Prandaj edhe ne besojmë prerazi te ekzistenca e melekëve.

DOBITË E BESIMIT TE MELEKËT

Disa melekë nuk ndahen aspak prej nesh, duke u gjendur me ne në çdo vend dhe në çdo kohë. Detyra e këtyre dy melekëve që quhen Kiramen Ka­tibin, është të regjistrojnë të gjithë veprimet që kryen njeriu, të mira apo të këqija qofshin. Pra, njeriu edhe kur nuk ka njeri tjetër pranë, në të vërtetë nuk është prapë vetëm, sepse janë dy melekë që e mbikëqyrin dhe regjistrojnë veprimet dhe sjelljet e tij.

Myslimani nuk bën veprime të këqija edhe kur gjendet vetëm, pasi ai nuk mendon se Mua nuk më sheh kush, prandaj bëj çfarë të dua, sepse ai beson te melekët. Ai beson se kudo qoftë, melekët e mbikëqyrin atë dhe shënojmë veprat e mira dhe të këqija që ai kryen. Besimi te melekët e distancon atë nga veprat e këqija.

Përveç këtyre dy melekëve, janë edhe melekë të tjerë që na ruajnë nga të këqijat dhe na këshillojnë të bëjmë punë të mira. Simboli i mirësisë dhe bu­kurisë në këtë botë është meleku, ndërsa simboli i së keqes dhe së shëmtuarës është shejtani. Meleku e fton njeriun drejt punëve të mira, ndërsa shejtani e fton atë drejt punëve të këqija.

Për shembull, kur hasim një të varfër që është i uritur dhe ka nevojë ta ndihmojë dikush, në zemër ndjejmë keqardhje dhe një zë i brendshëm na thotë: “Ndihmoje këtë të varfër.” Ky është zëri i melekut. Një tjetër zë i brendshëm përpiqet të na bindë që tëmos e ndihmojmë atë të varfër, duke na pëshpëritur: “Po e ndihmove, do të të pakësohen paratë që ke, prandaj lëre më mirë ashtu siç është.” Kjo pëshpërimë është zëri i shejtanit.

Në këtë rast, ne duhet të dëgjojmë zërin që na fton ta ndihmojmë të var­frin, sepse ai është zëri i mikut që të do të mirën dhe na fton drejt saj. Po e dëgjuam këtë zë, ne bëjmë punë të mira, nëpërmjet të cilave fitojmë sevape. Nuk duhet ta dëgjomë zërin e shejtanit, sepse ai na largon nga veprat e mira dhe përpiqet të na mashtrojë që të bëjmë gjynahe.

Siç shihet, besimi te melekët bën të mundur të distancohemi nga veprat e këqija dhe të zbukurojmë moralin tonë me vepra të mira.

Profeti (a.s.), ka thënë:

“Edhe shejtani, edhe meleku trokasin në zemrën e njeriut. Shejtani e fton drejt së keqes dhe e largon nga e vërteta. Meleku e fton drejt së vërtetës dhe së mirës dhe e këshillon të largohet nga e keqja.

Ai që dëgjon një zë të brendshëm, që e fton drejt së mirës, ta dijë se ai është zëri i melekut. Ta dëgjojë atë zë dhe të falënderojë Allahun.

Kush dëgjon një zë të brendshëm, që e fton atë drejt së keqes ta dijë se ai është zëri i shejtanit. Mos ta dëgjojë atë zë dhe të kërkojë strehim te Allahu.”

Share.

Comments are closed.