Ali ibn Ebi Talibi ishte prej të parëve që i besuan të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), në moshën e fëmijërisë… Ai ishte një sahab i ri që njihej si “Dera e Qytetit të Dijes” dhe që ishte bërë i famshëm me trimërinë, heroizmin dhe shkatërrimin e idhujve në Qabe… Ai ishte një trim që kujtohet me llagapin “Kerremall-llahu Vexhheh” ngaqë asnjëherë nuk i kishte adhuruar idhujt në jetën e vet… Ishte një hero xhihadi që njihej si “Kerrar/njeri që nuk kthehet pas në luftë” dhe Esedu’ll-llah’il-galib / Luani i Allahut që fiton gjithmonë” për shkak të mrekullive që ka shfaqur në trimëri, guxim dhe heroizëm…
Aliu (r.a.), ishte dhëndri, kalifi i katërt dhe djali i xhaxhait të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Ai njihej edhe si “Ebu’l-Hasen dhe Ebu Turab”. Babai i tij ishte Ebu Talibi, gjyshi ishte Abdulmuttalibi, nëna e tij ishte Fatime binti Esedi. Për shkak të nënshtrimit të plotë që Aliu (r.a.), shfaqte kundrejt caktimit hyjnor, i është thënë “Murteza”. Ai i besoi të Dërguarit të Allahut, alejhi’s-selam, në Mekë që në moshën 8-10 vjeçare të fëmijërisë. Aliu (r.a.), u edukua nga Pejgamberi (s.a.s.). Hyrja e tij në Islam ka ndodhur siç vijon:
Ishte një vit në të cilin ndjehej shumë mungesa e ushqimit në Mekë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i tha xhaxhait të tij, Abbasit: “Ebu Talibi është fakiru’l-hal ve kethiru’l-ijal. Domethënë, ka pak të ardhura dhe shumë fëmijë. A thua të marrim ne nga një prej fëmijëve të tij?” Bashkë me Abbasin shkuan te Ebu Talibi dhe ia shprehën mendimin që kishin. Pasi Ebu Talibi pranoi, Aliun e mori i Dërguari i Allahut (s.a.s.), ndërsa Xhaferin e mori Abbasi (r.a.).
Aliu (r.a.), që nga ajo ditë nuk u nda më asnjëherë prej të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Ai hëngri, piu dhe u rrit në shtëpinë e Hz. Pejgamberit. Dëgjoi çdo gjë që flitej dhe ibadetet që bëheshin në atë shtëpi. Një ditë, kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.), po falte namaz së bashku me bashkëshorten e tij, Hatixhenë (r. anha), Aliu po i shikonte i emocionuar. Ai donte t’i kuptonte këto lëvizje. Andaj e pyeti të Dërguarin e Allahut (s.a.s.): “Çfarë është kjo?” Resulullahu (s.a.s.), i tha:
“O Ali! Kjo është feja e Allahut. Allahu është një dhe nuk ka ortak. Andaj, lëri Latin dhe Uzzanë!” Pejgamberi ynë i Nderuar i tregoi Aliut (r.a.), për shirkun. Ai ia shpjegoi atij se sa i keq, i shëmtuar dhe poshtërues ishte shirku. Pastaj i shpjegoi kuptimin e tevhidit. Pasi i tregoi se Allahu e kishte dërguar si Pejgamber, i tha: “Po të ftoj në këtë fe.”
Aliu (r.a.), i cili po i dëgjonte për herë të parë këto fjalë, u çudit dhe hezitoi për shkak të naivitetit të fëmijërisë. Për këtë arsye, tha: “Le ta diskutoj një herë me babanë.” I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i tha: “Në rregull, diskutoje. Por mos ia hap askujt tjetër këtë çështje.”
Aliu i vogël u zhyt në mendime. Ai mori rrugën për të shkuar dhe diskutuar me babanë e tij. Pasi eci pak, në mendje i erdhi ky mendim: “Mos vallë Allahu e ka pyetur babanë tim kur më ka krijuar mua, që edhe unë ta pyes atë për të hyrë në fe të Allahut?” Kështu, hoqi menjëherë dorë dhe u kthye me vrap te i Dërguari i Allahut (s.a.s.). I tregoi për mendimin që i kishte ardhur në mendje. Pastaj i tha se dëshironte të hynte në Islam. Aliu (r.a.), tha shehadetin dhe në këtë mënyrë u nderua me Islam.
Kur drita e besimit futet në një zemër, njeriut i vijnë në mendje mendime të tilla… Këtij njeriu i hapen rrugët e lumturisë… Edhe Hz. Aliu ishte prej atyre që e shijoi këtë lumturi që në moshë të re… Prej tij dolën mendime që nuk mund të priteshin prej një fëmije… Me këto fjalë u bë prej atyre që fituan konsideratën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).
* * *
Aliu (r.a.), përgjatë gjithë jetës mendoi thellë. Tha fjalë të urta që mbartnin kuptime mjaft të thella. Edhe në ngjarjen e thyerjes së idhujve shohim këtë përpikëri të tij. Ai vetë tregon:
“Një ditë shkova në Qabe së bashku me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Ai më tha: “O Ali! Ngjitu në suoin tim dhe thyeji idhujt.” Unë nuk guxova ta vendosja këmbën mbi supin e tij dhe i thashë:
“O i Dërguari i Allahut! Kush mund ta vendosë këmbën mbi shpatullën tënde të bekuar?” Nisur nga këto fjalë, Resulullahu, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, më tha:
“O Ali! Këmba që është në shërbim të fesë së Allahut, nuk rrëshqet nëse shkel mbi shpatullën e pejgamberëve.” Pas këtyre fjalëve, iu binda urdhrit dhe e vendosa këmbën në supin e tij. Kur filloi të më ngrinte, u ndjeva sikur mund ta kapja edhe qiellin nëse do të dëshiroja. I rrëzova idhujt lehtësisht dhe i bëra copa-copa duke i hedhur përtokë me fytyrë. Pastaj zbrita në tokë dhe të dy së bashku u larguam menjëherë.”
* * *
Hz. Aliu ishte prej trimave që nuk i trembej syri. Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.), do të nisej për hixhret, ai u shtri në shtratin e tij pa hezituar aspak. Në këtë mënyrë, e sakrifikoi jetën në rrugën e Pejgamberit (s.a.s.). Ai ishte i ri dhe trim. Askush nuk mund ta mposhtte atë në Mekë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), e urdhëroi që t’i shkonte pas dhe të bashkohej me të në Medine. Edhe Aliu (r.a.), eci natë e ditë dhe arriti në Medine. Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.), pa se i ishin ënjtur këmbët, madje se po i rridhnin gjak, nuk e mbajti dot veten dhe i dolën lot nga sytë. E mori në krah, ia fshiu këmbën me pështymën e tij të bekuar dhe u lut që të shërohej. Ai këndoi ajetin fisnik: “Ka njerëz që e flijojnë veten, për të fituar pëlqimin e Allahut. Allahu është shumë i mëshirshëm me robërit e Vet.” (Bakara, 207)
Aliu (r.a.), mori pjesë në të gjitha luftërat. Trimëria, guximi dhe heroizmi i tij u vunë re në të gjitha luftërat. Ndërsa heroizmat që ka shfaqur në luftën e Bedrit, Hendekut dhe Hajberit janë si legjenda.
Ai mbante flamurin në luftën e Bedrit. Kundër kurejshve që kërkonin luftëtarë në mejdanin e luftës dolën tre vetë prej ensarëve. Kur kurejshët thanë se ata ishin shumë pas tyre nga aspekti i prejardhjes, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), tha: “Çohu, o Ubade! Çohu, o Hamza! Çohu, o Ali!”
Tre trimat dolën në mejdan. Sipas traditës atyre iu thanë emrat. Kurejshit thanë: “Në rregull. Ju jeni të afërmit tanë.” Ata nxorën shpatat. Hz. Hamzai dhe Hz. Aliu i vranë me një të goditur armiqtë e tyre Shejben dhe Velidin. Ndërsa dy të moshuarit, Hz. Ubade dhe Utbe e plagosën njëri-tjetrin, por asnjëri nuk e vrau dot tjetrin. Aliu (r.a.), u kthye dhe me një të goditur e përfundoi edhe punën e atij mushriku.
Në luftën e Hendekut doli në mejdanin e luftës kundrejt Amr ibn Abdudit, i cili ishte prej trimave të kurejshve. Aliu (r.a.), tha: “Do të dal edhe nëse është Amri, o i Dërguari i Allahut.” Hazreti Pejgamberi i veshi atij parzmoren e vet. I vendosi në bel shpatën Dhulfikar dhe u lut nga pas: “O Zot! Pranë më ka mbetur vetëm ky nip, Aliu. Mbroje atë dhe mos lejo të mbes i vetëm!”
Hz. Aliu së pari e ftoi Amrin në Islam. Amri qeshi me të madhe dhe i tha: “Pa më thuaj një herë se kush je!” Ai i tha: “Jam Ali ibn Ebi Talibi.” Amri i tha duke e përçmuar: “Me babain tënd jemi takuar për shumë kohë si vëllezër. Tani po më vjen rëndë të të vras.”
Aliu (r.a.), i tha: “Po, por mua po më vjen lehtë të të vras ty. Ndërkohë edhe ti zbrit nga kali, sepse duhet të jesh këmbësor si unë.” Kjo fjalë i preku damarët e xhahilijetit Amrit. Ai zbriti menjëherë nga kali dhe e sulmoi Aliun, radijall-llahu anh. Për shkak të një goditjeje të fortë me shpatë, ia ndau mburojën në dysh Aliut (r.a.). Tashmë radha i kishte ardhur Aliut për të sulmuar. Ai e vrau Amrin me një të goditur që bëri me shpatën që quhej Dhulfikar. Politeistët i kaploi frika. Për këtë arsye, të gjithë shkuan në çadrat e tyre. Në ato momente ndodhi një furtunë e fortë. Ajo i shkuli çadrat e armiqve dhe ua shkatërroi gjërat atyre. Mushrikët u detyruan ta linin mejdanin e luftës të poshtëruar.
Përgjatë çlirimit të Hajberit Aliu (r.a.), i pati rënë mburoja përtokë. Ai e bëri mnjëherë mburojë derën e kalasë. Me njërën dorë mbajti derën e kalasë dhe me dorën tjetër vazhdoi të luftonte. Kështu luftoi në mënyrë heroike. Ai ua hoqi kokën një nga një hebrenjve dhe mundësoi që myslimanët të hynin në kala. Hajberi u çlirua për shkak të kësaj trimërie heroike. Për këtë arsye, kur bëhet fjalë për Hajberin, menjëherë në mendje na vjen Hazreti Aliu. Skllavi i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), Ebu Rafi tha: “Pas luftës, derën e kalasë arritëm nga ngrinim vetëm pasi u bëmë tetë veta.”
Ndonëse Aliu (r.a.), ishte kaq i fortë, hero dhe trim, ai ishte shumë modest, bujar, dashamirës, i drejtë dhe i mëshirshëm. Një herë, përgjatë kalifatit të tij bleu hurma nga tregu. Kur ata që kishte pranë i thanë me insistim që t’i mbartnin hurmat, ai u tha: “Jo, këto duhet t’i mbajë kryetari i familjes.”
* * *
I Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, e donte shumë atë. Një ditë e pyeti ndërmjet të gjithë sahabëve: “O Ali! Si do të veprojë nëse dikujt që i ke bërë mirë, do të ta kthente me të keqe?” Aliu (r.a.), iu përgjigj: “Do t’i bëja mirë.” I Dërguari i Allahut (s.a.s.), e përsëriti disa herë këtë pyetje. Edhe Hz. Aliu iu përgjigj: “Përsëri do t’i bëja mirë. Përsëri do t’i bëja mirë.” Në këtë mënyrë, sahabët e nderuar e kuptuan shkakun se pse i Dërguari i Allahut (s.a.s.), e donte kaq shumë Aliun (r.a.).
Të duash dhe të të duan nuk është e lehtë… Por arritja e kësaj gjendjeje është lumturi e madhe… Një pasuri e pafundme… Një begati e pashterueshme… O Zot! Na e mundëso edhe neve që me moralin dhe shërbimet fetare të hyjmë në grupin e njerëzve që duan dhe duhen nga të tjerët!..
* * *
Prej shembujve të virtyteve të Aliut (r.a.), mund të përmendim shpëtimin e vëllait mysliman nga borxhi me gjashtë akçe, faljen që i bëri qafirit i cili e pështyu në fytyrë dhe ecjen nëpër treg duke u thënë tregtarëve: “Nëse silleni me ndershmëri kundrejt njerëzve, do të më kënaqni.”
Aliu (r.a.), u martua me vajzën e Resulullahut (s.a.s.), Fatimenë (r. anha). Atyre u lindën tri djem që quheshin Hasan, Husejn dhe Muhsin. Muhsini vdiq që në moshë të vogël. Gjithashtu u lindën edhe tri vajza që quheshin Ummu Gulthum, Zejnebe dhe Rukije. Vazhdimësia e Pejgamberit (s.a.s.), u mundësua me këta nipër e mbesa.
Ishte muaji Ramazan i vitit të dyzetë të hixhretit. Kur Aliu (r.a.), po shkonte në namazin e mëngjesit të ditës së premte, u sulmua dhe u plagos nga një shpatë e helmuar e një harixhiu që quhej Ibn Mulxhem.
Aliu (r.a.), dy ditë pas kësaj ngjarjeje shkoi si dëshmor në botën e përhershme në moshën 63 vjeçare. Namazin e xhenazes ia fali djali i tij, Hasani dhe ai u varros në varrezat Nexhef.
Allahu qoftë i kënaqur prej tij!
Allahu Teala na dhëntë edhe neve prej trimërisë, heroizmit, dijes dhe zemrës që rrihte për xhihad të Aliut (r.a.)! Allahu na bashkoftë me të në xhenet!
Amin!