Dr. Mustafa Mahmud

Lidhni rripat e sigurimit!

Kjo është fraza që shfaqet me dritë të kuqe në çdo avion, sa herë që lëshohet apo ulet, duke lajmëruar se një ndryshim i rrezikshëm po ndodh. Ndjej tani se një frazë e ngjashme po shfaqet në makinën e qytetërimit, në të cilën kemi hipur të gjithë ne raca njerëzore në këtë kohë, duke na lajmëruar për në nivelet më të ulëta.

E dëgjojmë këtë alarm, sepse ne duhet të lidhim rripat e sigurimit, jo se po ngjitemi, por po biem, po ulemi, po zbresim e po rrokullisemi.

Kasaphana në Vietnam… vrasjet masive në Nigeri… lumenj gjaku në Angola… lufta e Irakut me Iranin dhe djegia e refugjatëve në Jordani. Lufta civile në Liban… shpërthimi i bombave hidrogjenike nën tokë dhe poshtë deteve… dhe lëshimi i raketave hapësinore që mbartin vdekje në brezat përreth tokës.

Në Lindje dhe Perëndim egërsirat njerëzore nxjerrin dhëmbët dhe kthetrat e tyre. Nuk kanë më turp dhe as nuk turpërohen. Nuk kthehen më tek metodat e sjellshme diplomatike, të cilat flasin për lirinë, demokracinë dhe çlirimin e popujve nga shfrytëzimi dhe skllavërimi.

Nuk ngrihet më flamuri i paqes, të përsërisin sloganet teorike verbuese dhe mendimi i saktë filozofik të udhëheqë. Por befas ka hequr mbulesën nga e vërteta, e ne gjendemi përpara shteteve të mëdha që duan të sundojnë dhe fuqi që luftojnë për pushtet, jo tjetër.

Nga kampi komunist dolën dy gjigandë, që shkëmbejnë me njëri-tjetrin armiqësi më të madhe se sa shkëmbejnë me armikun e tyre, kapitalizmin. Kontradiktorë me vetë logjikën e komunizmit, sikur ai të kishte qenë bojë mbi letër. Historinë nuk e bën më lufta e klasave, sepse këtu kemi dy kampe të mëdha, proletariatin dhe proletariatin; dhe të dy janë në konflikt.

Kapitalizmi me rolin e tij ka filluar të praktikojë hapur krimet më makabre në histori mbi tokën vietnameze, sionizmi zbuloi fytyrën e tij në Liban dhe komunizmi në Afganistan.

Flotat detare kanë armatosur detet për të shfaqur muskujt e tyre.

Avionët i janë lëshuar qiellit me zhurmat e tyre dhe garojnë në përhapjen e frikës.

Satelitë artificialë konkurojnë në spiunazh.

Raketat… çdo raketë i thotë tjetrës: “Unë kam rreze më të gjatë veprimi.”

Fuqia… fuqia… fuqia…

Qytetërimi materialist ka finalizuar nënshtrimin e shkencës për prodhimin e forcës, për shpikjen e mënyrave të vdekjes, urinë dhe mungesën e ushqimit. Varfëria po gllabëron kontinentet dhe miliona presin të armatosen. Prodhimi i tepërt i grurit hidhet në det për të rritur çmimin e tij.

Qytetërimi materialist ka falimentuar. Makina e qytetërimit po na hedh poshtë, më poshtë e më poshtë.

Ne duhet të lidhim rripat e sigurimit, si përgatitje për rrezikun që na pret. Ne duhet ta përballim veten tonë me realitetin, të ndalemi nga promovimi i gënjeshtrave dhe nga llafollogjia e lirive që fare nuk ekzistojnë.

Dhe është kthyer koha e mercenarëve dhe e xhandarëve.

Ka me mijëra që marrin pagat e tyre, sepse ata luftojnë nën hijen e çdo flamuri.

Spiunimi është shndërruar në art (si të bëhesh spiun i dyfishtë). Të spiunosh për popullin tënd dhe kundër tij. Të punosh me dy mbrojtje dhe për llogari të atij që paguan më shumë.

Medhhebet janë shndërruar në krahë të pushtetit, konsum gazetash. Pafajësia e të fortëve sundon të dobëtit. Zullumi i të fortëve ndaj të dobëtve dhe shfarosja e të dobëtve prej të fortëve.

Ky është alarm për falimentim të vërtetë.

Filozofia materialiste ka qenë e paaftë të ndërtojë njeriun, edhe pse ka mundur të ndërtojë bombën. Ne vazhdojmë të ecim drejt rënies së pashmangshme, nëse nuk nxitojmë të ndryshojmë drejtimin e anijes së mbarë qytetërimit në kahun tjetër. Këtë herë jo drejt filozofisë materialiste, por filozofisë që e pranon njeriun me shpirt dhe qenie, që e krijoi Allahu të lirë të vlefshëm për përjetësi.

Kthimi nga filozofia shpirtërore, që merr nga shkenca (dituria) gjithçka që i jep dhe i shton asaj prodhimtarinë e vet.

E nga do të dalë kjo filozofi, përveçse në Lindje!!

A do të kthehet frymëzimi e të burojë edhe një herë? A do të lindë dielli i ri dhe a do të sundojë paqja dhe Islami apo ne do të biem në humnerën e greminës?.

 

Përktheu nga arabishtja:

Lavdrim Hamja

 

 

Share.

Leave A Reply