Së bashku me një grup nga parësia e Kurejshve, Ebu Talibi kishte shkuar në Damask. Me të ishte edhe Profeti. Gjatë rrugës bënë konak në një vend afër manastirit të murgut Bahira. Në atë kohë, Bahira ishte dijetari më i shquar ndër krishterët. Bahira kishte vënë re se, kur po vinte karvani, një re e ndiqte dhe i bënte hije dikujt nga karvani. Po kështu, kur udhëtarët u ulën nën hijen e një peme, vuri re se degët prireshin posaçërisht në një anë si për të dashur t’i bënin më shumë hije dikujt. Atëherë, ai u çoi fjalë udhëtarëve të karvanit:

“O Kurejshë! Unë përgatita ushqim për ju dhe po ju ftoj të gjithëve në sofër, të lirë e skllevër!”

Mirëpo, gjer atëherë, Bahira kurrë nuk pati treguar inte-resim për ta. Kësaj radhe, të gjithë pjesëtarët e karvanit e pranuan ftesën e murgut dhe u ulën në sofër përveç Profetit i cili kishte ndenjur pranë mallrave. Bahira i vështroi të ardhurit një e nga një por tek asnjëri s’pa shenjat që kishte lexuar në libra. Ai i pyeti të ftuarit:

“O Kurejshë, a ka ndonjë nga pjesëtarët e karvanit tuaj që s’ka ardhur këtu?”

Kurejshët iu përgjigjën:

“O Bahira! S’ka kush tjetër veç një fëmije që ka ndenjur pranë karvanit. Meqë ishte më i riu ndër ne në moshë, e lamë pranë mallrave e rrobave!”

Bahira u tha:

“Thirreni edhe atë! Edhe ai të marrë pjesë në këtë darkë!”

E thirrën Muhammed Eminin dhe e ulën në sofër. Sapo e pa, murgu Bahira nisi ta vëzhgonte nga koka te këmbët. Pastaj, duke e kapur për dore, u tha të pranishmëve:

“Ky është zotëria i botërave. Eshtë i dërguari i Zotit të botërave. Allahu do ta dërgojë atë si mëshirë për botët!”

Të parët e Kurejshve e pyetën:

“Po ti, ku e di këtë?”

Murgu Bahira u tha:

“Cilësitë e tij unë i kam lexuar në librat që na janë zbritur neve. Me të vërtetë, ku ju po afroheshit, nuk mbeti gur e dru pa iu drejtuar dhe përkuluar atij. Gjërat jo të gjalla mund t’i përkulen vetëm një pejgamberi. Veç kësaj, unë e njoha atë edhe nga vula e profetësisë, lythi që e ka mes shpatullave.”

Pastaj murgu Bahira u bëri disa pyetje vetë Profetit si dhe të ungjit dhe, pasi pa që përgjigjet e tyre përputheshin me ato që dinte ai, formoi mendim të prerë. Atëherë, duke u kthyer nga Ebu Talibi, i tha:

“Ktheje menjëherë nipin në shtëpi dhe ruaju se mos hebrenjtë i shkaktojnë ndonjë të keqe. Vallahi, po ta shohin hebrenjtë dhe ta njohin, ngrihen ta vrasin. Ky djalë është nga arabët, mirëpo hebrenjtë duan që profeti i ardhshëm të jetë nga bijtë e Izraelit. Pozita dhe fama e nipit tënd do të jenë shumë të larta!”

Duke vepruar sipas porosisë së Bahiras, Ebu Talibi e mori nipin e bekuar dhe u kthye menjëherë në Mekë. (Ibni Is’hak, f. 54-55; Ibni Sa’d, I, 153-155; Tirmidhi, Menakib, 3)

Orientalistët krishterë, duke marrë shkak nga kjo ngjarje, me qëllim për t’i vënë njollë Islamit, dolën me pretendimin se profeti Muhammed (s.a.s.) ka marrë sugjerime nga murgu Bahira, gjë që është një akuzë krejtësisht jashtë të vërtetës, është në kundërshtim me Kur’anin dhe bindjen monoteiste të tevhidit. Sepse murgu Bahira ishte krishter. Ndërsa Kur’ani ndreq korrigjimet dhe prishjet që kanë pësuar Teurati dhe Ungjilli, si mund të mendohet se i Dërguari i Allahut mund të merrte sugjerime nga përfaqësuesi i një feje të korrigjuar në këtë mënyrë?!

Nga ana tjetër, në krishterizëm, pra, në fenë e murgut Bahira, konsiderata mbi Zotin paraqet një strukturë antropomorfike, domethënë, të personifikuar dhe të pajisur me atribute njerëzore. Kurse feja islame e sjellë nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.) është një fe e diferencuar85 e dërguar nga Zoti mbi themelet e tevhidit, monoteizmit islam. Konsiderata islame mbi Allahun si Zoti i vetëm i gjithësisë paraqet një entitet transcendental86 të diferencuar dhe abstraktuar nga të gjitha llojet e atributeve relative e mangësore. Eshtë si rrjedhojë e kësaj të vërtete që Kur’ani e njofton në këtë mënyrë se nga njerëzit e librit, qoftë edhe nga ata para profetësisë së Hz. Muhammedit, do të shpëtojnë vetëm ata që janë të drejtuar sipas orientimit hyjnor:

 “Pa dyshim, nuk do të ketë frikë për ata nga besimtarët, hebrenjtë, krishterët dhe paganët që i besojnë Allahut dhe ditës së ahiretit dhe bëjnë punë të mira, dhe ata nuk do të dëshpërohen!” (el-Bakara, 62)

Meqë i Dërguari i Allahut është profeti i fundit i dërguar për të gjitha kohët dhe vendet, të gjitha fetë e tjera para tij janë të shfuqizuara. Për rrjedhojë, besimi ndaj Allahut por mosbesimi ndaj Profetit (s.a.s.) është mohim dhe herezi (kufr). Për këtë shkak, edhe besimtarët e sotëm nga njerëzit e librit janë jashtë përfshirjes së ajetit kur’anor të mësipërm.

Specifikat e tjera përveç bindjes besimore të cilat e mbajnë në këmbë një fe janë jeta adhurimore dhe marrëdhëniet praktike ndërnjerëzore. Feja islame ka sjellë një jetë adhurimore të rregullt, i ka ngritur përsëpari marrëdhëniet ndërnjerëzore mbi bazën e të drejtës, drejtësisë juridike dhe moralit dhe ka parashtruar një sistem të së drejtës juridike që përfshin edhe sanksionet penale. Kurse në krishterizëm që është feja e murgut Bahira, jeta adhurimore është korrigjuar dhe prishur. Kurse marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe kodi penal nuk ekzistojnë.

Një specifikë tjetër është se Profeti ynë, siç e njofton Kur’ani dhe e dëshmon historia, ishte i paarsimuar ose, e thënë thjesht, nuk dinte shkrim e këndim. Në ajetin kur’anor thuhet kështu:

“Para kësaj ti as ndonjë shkrim lexoje, as e shkruaje me dorën tënde. Po të qe ashtu, ndjekësit e së shtrembrës do të ndjenin dyshim. Jo, ai (Kur’ani) përbëhet prej ajetesh të qarta (që zënë vend) në gjokset e atyre që u jepet dituri. Ajetet tona i mohojnë vetëm mizorët!” (el-Ankebut, 48-49)

Kur Profeti i ardhshëm u takua me murgun Bahira, ishte dymbëdhjetë vjeç. Ai qëndroi pranë Bahirës për një kohë shumë të shkurtër dhe, gjithashtu, bëri një bisedë shumë të shkurtër me të. Në këto kushte, është e pamundur që një fëmijë i paarsimuar t’i mësojë përmendësh gjashtë mijë e ca ajete brenda një kohe të shkurtër, t’i mbajë përmendësh gjatë njëzet e tetë vjetëve dhe, pas moshës dyzet vjeç, të fillojë t’i tregojë një për një. Gjithashtu, çdo njeri me gjykim të shëndoshë e pranon me lehtësi se është e pamundur që ky njeri ta mësojë një fe të tillë të përsosur dhe universale si Islami dhe të parashtrojë sistemin adhurimor-ritual, praktik, juridik dhe moralo-etik të tij.

Po qe se Bahira i kishte ditur këto, pse nuk i kumtoi vetë duke shpallur profetësinë e vet, por ia la këtë nder një fëmije, një fëmije që s’e njihte fare?!

Veç kësaj, gjuha që shkruante e lexonte Bahira ishte hebraishtja, kurse Kur’ani është në një arabishte të pastër, të qartë e oratorike. Mbi këto pretendime, Allahu i Lartë thotë kështu:

 “Ne e dimë me siguri që qafirët thonë: “Kur’anin Muhammedit ia mëson një njeri!” Personi që kanë parasyshata duke bërë këtë pretendim të pabazë, flet një gjuhë të huaj, kurse ky Kur’an është një arabishte e qartë!” (en-Nahl, 103)

Në të njëjtën kohë, me epërsinë e tij gjuhësore-shprehëse, Kur’ani ishte dhe është në një nivel të tillë që t’i sfidojë poetët më të fuqishëm arabë, madje tërë njerëzimin! Kështu, në suren Isra, në ajetin 88, thuhet:

 “Thuaj: “Edhe sikur njerëzit dhe xhindët të mblidhen bashkë duke e ndihmuar njëri-tjetrin për të bërë një gjë të ngjashme me këtë, nuk do të munden!”

Krahas këtyre që u thanë, gjatë takimit të të Dërguarit të Allahut me Bahiran ishin të pranishëm edhe disa politeistë Kurejshë. Po qe se në pretendimin e orientalistëve do të kishte diçka sadopak nga e vërteta, politeistët të cilët qysh ditët e para të profetësisë ia kushtuan veten mohimit të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe armiqësisë ndaj tij, do të duhej që ta kundërshtonin duke përdorur si provë këtë ngjarje. Mirëpo politeistët Kurejshë nuk kanë thënë asnjë fjalë mbi këtë çështje. Sepse ata e dinin se një pretendim i tillë s’kishte asnjë të vërtetë dhe mbështetje!

Share.

Comments are closed.