Prof.dr. Omer Çelik
- Parimet e besimit
- Besimtari beson në një Zot të vetëm pa fillim, pa fund, i pangjashëm me askënd, i cili krijon, jep jetë, merr jetë, shikon, dëgjon dhe ka njohuri rreth çdo gjëje.
- Besimtari beson në engjëjt, krijesa të krijuara nga drita, të cilat me bindje të plotë dhe dashuri kryejnë adhurimet, dhikrin dhe urdhëresat e Allahut.
- Besimtari beson në librat e shenjtë, të shpallur nga Allahu si udhëzim, dritë dhe udhërrëfyes për gjithë njerëzimin. Myslimani beson pa asnjë dyshim te Kurani si fjalë e Allahut dhe përpiqet me gjithë qenien e tij të zbatojë në jetë mësimet e Tij.
- Besimtari beson në të gjithë pejgamberët e përmendur ose jo në Kuran, si të dërguarit e posaçëm të Allahut për t’u komunikuar njerëzve shpalljen hyjnore.
- Për të fituar dashurinë dhe amnistinë hyjnore, besimtari ndjek me përpikmëri rrugën e Pejgamberit (a.s.). Ai e pranon me gjithë zemër Pejgamberin (a.s.), si modelin më të përkryer për lumturinë e kësaj bote dhe botës tjetër. Ai beson në botën tjetër dhe përkujton vazhdimisht Allahun.
- Njeriu i kufizuar në fuqi dhe dituri nuk arrin të kuptojë gjithë dinamikën e botës fizike dhe metafizike, ndërsa besimtari përballë kësaj gjendjeje beson dhe i nënshtrohet plotësisht caktimit hyjnor.
- Besimtari beson në Ditën e Kiametit, në ringjalljen pas vdekjes, në gjykimin final dhe në ekzistencën e Xhenetit dhe Xhehenemit.
- Përmes besimit me sinqeritet të parimeve të imanit, besimtari shijon ëmbëlsinë e vërtetë të besimit të tij.
- Besimet bestytnore
- Besimtari qëndron larg politeizmit, ateizmit dhe mosbindjes. Ai është i vetëdijshëm për dëmin dhe fatkeqësinë e madhe që i ka sjellë njerëzimit ateizmi, paganizmi dhe politezimi.
- Besimtari qëndron larg çdo lloj bestytnie, falli dhe besimi të kotë. Ai është i vetëdijshëm që bestytnitë dhe fallet nuk mund t’i sjellin as dëm as dobi atij.
- Besimtari beson se magjistarët dhe magjia pa lejen e Allahut nuk mund të ketë asnjë ndikim mbi njeriun. Ai mbështet me besim të plotë tek Allahu për çdo të keqe dhe rrezik që mund t’i vijë.
- Besimtari është i vetëdijshëm që shejtani është armiku i përbetuar i njeriut. Besimtari qëndron larg shejtanit dhe në asnjë mënyrë nuk e ndjek atë.
- Adhurimi
- Besimtari është i pastër, ai kujdeset si për pastërtinë fizike, ashtu edhe për atë shpirtërore. Pastërtia është cilësia e pandashme e tij, sepse ai është i vetëdijshëm për dashurinë që Allahu ushqen ndaj atyre që tregojnë kujdes për pastërtinë.
- Kur falet merr abdes, nëse është e nevojshme merr gusul dhe, nëse nuk gjen ujë merr tejemum. Në asnjë situatë dhe gjendje nuk e braktis abdesin, guslin dhe adhurimin.
- Namazin e kryen me kujdes, duke i plotësuar të gjitha kushtet e tij. Gjatë namazit është tërësisht i përqenduar në të.
- Namazi e pengon atë nga kryerja e çdo vepre dhe sjelljeje të keqe. Ai i fal të gjitha namazet në kohën e caktuar, përpiqet në arritjen e qetësisë dhe përqendrimit maksimal gjatë faljes së namazit. Në të njëjtën kohë, kujdeset për faljen e namazit me xhemat.
- Kur këndohet ezani, braktis çdo punë që ka në dorë dhe vrapon drejt xhamisë. Kur mbaron namazi, kthehet për të filluar punën e lënë.
- Besimtari kryen me entuziazëm dhe gëzim namazet e bajramit dhe feston bajramin. Në ato ditë të nderuara i lutet Allahut për mëshirë, falje dhe begati.
- Besimtari gjithashtu tregon një kujdes të veçantë në kryerjen e namazit të natës. Sipas mundësisë që ka, përpiqet të falë namaz nate dhe të përfitojë nga mirësitë e tij. Besimtarët e tillë i presin në Xhenet bukuri që nuk i ka parë syri, nuk i ka dëgjuar veshi dhe nuk i ka imagjinuar mendja.
- Përveç namazeve obligative, besimtari tregon kujdes edhe në kryerjen e namazeve të tjera vullnetare. Ndërsa vazhdon me faljen e namazeve vullnetare, afrohet më shumë me Allahun, deri sa Allahu bëhet syri me të cilin shikon, veshi me të cilin dëgjon, gjuha me të cilën flet, dora me të cilën kap dhe këmba me të cilën ecën.
- Beson bindshëm në obligimin e agjërimit të ramazanit dhe në arritjen e gradës së devotshmërisë përmes tij.
- Përveç agjërimit farz, përpiqet të kryejë edhe agjërime vullnetare, sepse në këtë mënyrë afrohet më tepër te Allahu.
- Për të përfituar sa më shumë nga agjërimi, bën kujdes ditën dhe natën, sidomos në dhjetëditëshin e fundit, i cili këshillohet të kalohet në Itikaf, për t’iu përkushtuar me gjithë qenien Allahut të lartësuar.
- Besimtari është bamirës, nga pasuria jep pjesën e zekatit. Ai jep më të mirën nga pasuria. Përveç zekatit që është farz, ai sipas mundësisë jep vazhdimisht sadaka.
- Kur jep dhe bën bamirësi, qëndron larg përmendjes së mirësisë, sepse është i vetëdijshëm që kjo gjë fshin sevapet. Sinqeriteti dhe fshehtësia është aq e madhe, saqë kur jep dora e djathtë, nuk e merr vesh dora e majtë.
- Ai nuk pret një kohë të caktuar për të dhënë. Ai jep ditën dhe natën, në bollëk dhe skamje. Sepse ai që jep qëndron më lart se ai që merr.
- Sapo të gjejë mundësi kryen Haxhin. Viziton Qaben, faltoren e parë për njerëzimin në rruzullin tokësor. Përmes këtij ibadeti, atij i bëhet e mundur të kthehet në shtëpi i pastruar krejtësisht prej mëkateve.
- Brenda mundësive, besimtari kryen ritin e kurbanit. Ai është i vetëdijshëm që tek Allahu nuk arrin as gjaku as mishi, por devotshmëria e personit që pret kurbanin.
- Besimtari lexon vazhdimisht Kuran, përpiqet me gjithë qenien për ta kuptuar dhe zbatuar në jetë.
IV Hallalli- Harami
- Besimtari ushqehet prej fitimit të ndershëm dhe të lejuar dhe për këtë vazhdimisht falënderon Allahun.
- Ai qëndron larg çdo gjëje që Allahu e ka ndaluar; e di shumë mirë se askush nuk ka të drejtë përveç Allahut të ndërhyjë për ndryshimet ligjore të përcaktuara nga vetë Allahu.
- Besimtari qëndron larg mishit të ngordhur, mishit të derrit, gjakut dhe mishit të prerë në emër të dikujt tjetër përveç Allahut.
- Ai qëndron larg prej çdo lloj pijeje me veti dehëse, qoftë dhe në sasi të vogël.
- Besimtari qëndron larg kumarit, i cili është një nga veset e këqija që shkatërron individin dhe shoqërinë.
- Besimtari tregon kujdes me veshjet e tij. Ai vishet në atë mënyrë që është udhëruar në Kuran dhe sunet. Ai vishet bukur dhe pastër kur shkon në xhami.
- Besimtarët respektojnë gjininë e njëri-tjetrit, respektojnë gjininë në të cilën janë krijuar dhe qëndrojnë larg perversiteteve. As burri nuk i ngjason gruas dhe as gruaja burrit. Nëse nuk e respektojnë këtë, atëherë përfshihen nga mallkimi i Pejgamberit (a.s.).
- Të gjithë besimtarët ruajnë nderin dhe syrin nga shikimi haram.
- Besimtari nuk i afrohet imoralitetit dhe për këtë qëndron larg të gjitha rrugëve që të çojnë në të.
- Besimtari respekton dinjitetin, nderin dhe ndjeshmërinë e njerëzve të tjerë. Ai ruan dinjitetin e vet, të familjes dhe të besimtarëve. Ai e di shumë mirë që shpifja ndaj besimtarëve burra dhe gra është haram dhe ata që shpifin meritojnë mallkimin e Allahut dhe Pejgamberit (a.s.).
- Besimtari nuk vret njeri, sepse e di se vrasja e një njeriu është si vrasja e gjithë njerëzimit dhe shpëtimi i një jete është si shpëtimi i gjithë njerëzimit. Ai beson fort se vrasja e një besimtari qëllimisht dënohet me zjarr të përhershëm.
- Besimtari në asnjë mënyrë nuk kryen vetëvrasje, sepse e di që midis vrasjes së tjetrit dhe vetëvrasjes nuk ka asnjë dallim.
- Besimtari nuk lejon vrasjen e fëmijëve në çfarëdolloj mënyre qoftë, duke përfshirë edhe abortin.
- Besimtari ndihmon në zbatimin e ligjit, siç është edhe dënimi me vdekje për personin që vret qëllimisht një të pafajshëm.
- Besimtari në asnjë mënyrë nuk cenon pasurinë e tjetrit, ai qëndron larg çdo lloj vjedhjeje dhe ndihmon për parandalimin e saj.
- Besimtari nuk shkakton dhe nuk merr pjesë në shkatërrim dhe prishje, qëllimi i tij është rregullimi, përmirësimi dhe ndërtimi, madje në mënyrën më të mirë.
- Morali i Bukur
- Morali i bukur ndaj Allahut
- Besimtari do Allahun, krijuesin e gjithësisë, të përhershmin, të plotfuqishmin me gjithë qenien e tij. Ai nuk do askënd tjetër më shumë se Zotin e vet. Ai është i gatshëm të sakrifikojë jetën, familjen, pasurinë dhe gjithçka për dashurinë e Allahut.
- Për të arritur dashurinë e Allahut ai ndjek rrugën e Pejgamberit (a.s.).
- Ai vazhdimisht përmend Allahun, i lutet Atij gjithë përgjërim në çdo moment. Kur kryen ndonjë mëkat, menjëherë kërkon falje prej të Gjithëmëshirshmit. Ai është i vetëdijshëm se dhikri e forcon besimtarin.
- Besimtari është i vetëdijshëm se neglizhimi i përmendjes së Allahut sjell përballjen me vështirësi në këtë jetë dhe ringjalljen si i verbër në Ditën e Gjykimit. Ai e di shumë mirë se një person që harron Allahun, në fakt ka harruar vetveten.
- Besimtari vazhdimisht falënderon dhe lëvdon Allahun, sepse vetëm Allahu e meriton të lëvdohet dhe falënderohet në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ai e di që Allahu nuk i do mosmirënjohësit. Falënderimi sjell shtimin e begative, kurse mosmirënjohja sjell dënimin hyjnor.
- Besimtari jeton midis shpresës dhe frikës. Kur lexohen ajetet kuranore, atij i dridhet zemra dhe i shtohet besimi. Kjo gjë i sjell lehtësim, faljen e mëkateve, zgjidhjen e problemeve, shtimin e shpërblimit dhe begati në jetë.
- Ai në mënyrë të vazhdueshme i kërkon falje Allahut, por veçanërisht i kërkon falje Allahut në kohën para agimit, sepse ajo është koha ku mëshira e Allahut vërshon në tokë.
- Besimtari pendohet vazhdimisht, sepse është i vetëdijshëm që Allahu i do penduesit.
- Besimtari mbështetet vetëm tek Allahu dhe vetëm prej Tij kërkon ndihmë. Sepse Ai është i vetmi që mund t’i japë zgjidhje çdo problemi dhe vështirësie.
- Besimtari vazhdimisht i lutet Allahut, sepse e di që Allahu i dëgjon dhe i plotëson lutjet e njerëzve. Besimtari nuk lutet vetëm për vete, por për prindërit, bashkëshorten, fëmijët, vendin dhe shoqërinë në përgjithësi.
- Besimtari e mban fjalën që i ka dhënë Allahut.
- Morali i besimtarit ndaj besimtarëve dhe njerëzve të tjerë
- Besimtari flet vetëm të vërtetën. E vërteta është shkak për faljen hynore dhe përmirësimin e sjelljeve. Besimtari gjithmonë përpiqet të shoqërohet me njerëz të sinqertë.
- Besimtari qëndron fort dhe i palëkundër në rrugën e drejtë të Islamit. Qëndrimi në rrugën e Islamit i siguron atij Xhenetin në botën tjetër.
- Besimtari çon në vend amanetin dhe fjalën e dhënë; kur i besohet diçka, ai e ruan me kujdesin maksimal.
- Besimtari është durimtar. Ai tregon durim përballë fatkeqësive, në qëndrimin larg harameve dhe në kryerjen me përpikmëri të urdhëresave. Përballë provokimeve të jobesimtarëve, ruan qetësinë duke mos u përfshirë nga hakmarrja.
- Besimtari është falës, ai e mund urrejtjen dhe mllefin që mund të ketë për njerëzit që i bëjnë padrejtësi.
- Besimtari nuk e kthen me të keqe të keqen që i bëhet, ai e fal të keqen e bërë ndaj tij, megjithëse ka mundësi të hakmerret, sepse e di që falja është më e virtytshme se hakmarrja.
- Besimtari është altruist, bujar dhe sakrifikues. Nëse është e nevojshme, ai preferon vëllain besimtar kundrejt vetes së tij; në këtë mënyrë pastrohet krejtësisht nga egoizmi.
- Besimtari qëndron larg fjalëve boshe që nuk i japin asnjë dobi as në këtë botë, as në botën tjetër, përkundrazi janë të dëmshme.
- Besimtari qëndron larg ambienteve ku përqeshet dhe ironizohet feja. Nëse gabimisht gjendet në një ambient të tillë, menjëherë largohet prej atij vendi.
- Besimtari është vëlla i të gjithë besimtarëve, ai nuk i ironizon dhe përqesh ata, nuk i thërret me emra të shëmtuar. Kurrë nuk e merr nëpër gojë vëllain besimtar, sepse e di që përgojimi është si ngrënia e mishit të vëllait të vdekur.
- Edukata
- Besimtari nuk hyn në shtëpinë e tjetrit pa leje. Ai hyn në shtëpi duke trokitur, fëmijët nuk hyjnë në dhomën e prindërve pa trokitur dhe pa marrë leje.
- Besimtari i përgjigjet me respekt dhe hijeshi ftesës.
- Besimtari i përshëndet dhe u jep selam vëllezërve myslimanë, ai asnjëherë nuk e neglizhon selamin.
- Besimtari është i matur në çdo gjë, ai është krenar dhe i ashpër ndaj ateistëve dhe i butë, i dashur dhe modest përballë besimtarëve. Ecja e tij në rrugë është plot modesti, ai nuk e lejon veten të përfshihet nga mburrja dhe mendjemadhësia.
- Kur flet, flet ëmbël dhe butë pa e ngritur shumë zërin; për të krijuar komunikim me njerëzit përdor fjalët më të bukura dhe të ëmbla.
- Besimtari nëpër mbledhje dhe tubime të ndryshme respekton tjetrin, duke i hapur rrugën apo liruar vendin. Ai është i gatshëm në zgjidhjen e problemit të vëllezërve myslimanë.
- Kërkimi i diturisë
- Besimtari bën të gjitha përpjekjet për të fituar çdo lloj diturie të dobishme, sepse dituria është ajo që e lartësoi njeriun mbi engjëjt dhe një nga elementët më të rëndësishëm që e fuqizojnë dhe lartësojnë njeriun. Ai e di, që urdhëresa e parë ishte “Lexo”, që të diturit me të paditurit nuk mund të jenë të njëjtë.
- Dijetari reflekton mbi krijesat e Allahut dhe nxjerr mësime prej tyre. Atij i shtohet besimi nga bukuria e krijimit të Allahut.
- Marrëdhëniet me të afërmit
- Besimtari e ndërton familjen mbi dashuri, mëshirë dhe respekt. Bashkëshortët janë si dy pjesë që plotësojnë njëra-tjetrën. Ai preferon martesën me një besimtare, megjithëse e ka të lejuar martesën me gra të Ehlu- Kitabit, ai në asnjë mënyrë nuk martohet me politeiste dhe jobesimtare. Në zgjedhjen e bashkëshortes, besimtari preferon atë me moral më të bukur.
- Ai këshillon familjen për namaz dhe kryerjen e adhurimeve të tjera, përpiqet me të gjitha forcat t’i mbrojë ata nga zjarri i Xhehenemit.
- Besimtari mendon për pasardhësit dhe lutet që ata të jenë besimtarë të mirë dhe të devotshëm.
- Besimtari tregon një përkujdesje, dashuri dhe mëshirë të veçantë për prindërit.
- Besimtari kujdeset për ruajtjen e lidhjeve fisnore; ai i ndihmon dhe përpiqet në forcimin e lidhjeve fisnore.
- Besimtari i jep siguri fqinjit të tij të afërt ose të largët, respekton detyrimet që ka ndaj tyre.
- Marrëdhëniet tregtare
- Besimtari u qëndron besnik marrëveshjeve tregtare. Ai është i vetëdijshëm për obligueshmërinë fetare të respektimit të marrëveshjeve tregtare.
- Besimtari i jep borxh vëllait të vet në fe dhe në rast se huamarrësi nuk mund ta kthejë borxhin në kohë, ai nuk e vështirëson atë.
- Besimtari është i drejtë dhe korrekt në shitblerje. Në asnjë mënyrë nuk bën hile në peshë dhe matje. Ai e di se mashtrimi dhe hilja sjell përfundime të frikshme në këtë botë dhe në ahiret.
- Besimtari qëndron larg mënyrave të fitimit të padrejtë. Sepse ai e di që fitimi i padrejtë është i ndaluar. Ai qëndron larg ryshfetit dhe korrupsionit. Ai nuk pranon dhurata kur është në detyrë shtetërore.
- Besimtari në asnjë mënyrë nuk e përdor fenë për qëllime përfitimi, sepse e di mirë se dënimi për këtë është zjarri i përhershëm.
- Besimtari qëndron larg fajdes dhe interesit bankar. Ai lufton për të çrrënjosur kamatën. Është i vetëdijshëm se kamata është luftë kundër Allahut dhe Pejgamberit (a.s.).
- Besimtari është shumë i kujdesshëm ndaj mallit të jetimit dhe në asnjë mënyrë nuk e shpërdoron pasurinë e tij. Ai e di që cenimi i pasurisë së jetimit është si ngrënia e zjarrit. Ai përpiqet me të gjitha mundësitë për të krijuar kushte sa më të mira për jetimët.
- Besimtari në çështjet e trashgimisë respekton me përpikmëri dispozitat fetare.
- Marrëdhëniet administrative dhe juridike
- Besimtari përpiqet që detyrat e rëndësishme t’u besohen njerëzve të aftë dhe ekspertëve. Ai nuk kërkon post, por nëse i besohet e kryen me përgjegjësi, sepse e di që, nëse postet kalojnë në dorë të paaftëve është afruar Kiameti.
- Besimtari gjykon me drejtësi midis njerëzve. Ai nuk mbron në asnjë mënyrë të padrejtët. Është dëshmitar i drejtë, edhe kur i duhet të dëshmojë kundër familjes apo të afërmve të tij.
- Në të gjitha punët besimtari konsultohet me besimtarët dhe të zotët e mendjes. Kur merr vendime, këshillohet me të diturit. Drejtuesi tregon kujdes të veçantë nga përfitimi i këshillimit dhe konsultës. Ai në asnjë mënyrë nuk drejton sipas dëshirave dhe egos së tij.
- Për të mirën e njerëzimit besimtari urdhëron për mirë dhe ndalon nga e keqja.
- Besimtari u bindet autoriteteve, sepse bindja ndaj tyre është obligim fetar.
- Xhihadi dhe marrëdhëniet me jomyslimanët
- Besimtari mund të martohet me një grua të krishterë ose hebreje, ai mund të hajë mishin e prerë nga të krishterët dhe hebrenjtë. Kurse martesa me ata të feve të tjera dhe ngrënia e mishit të prerë nga ata është e ndaluar.
- Besimtari përveç kohës kur është gjendje lufte, jeton në paqe me pjesëtarët e feve të tjera. Ai krijon marrëdhënie miqësore me ta brenda kornizave fetare. Besimtari garanton jetën dhe pasurinë e jomyslimanëve që jetojnë në vendin e tij. Sillet me drejtësi dhe bamirësi me ta, përderisa ata nuk shfaqin shenja armiqësie, por nuk krijon miqësi me ata që i kanë shpallur luftë fesë islame.
- Besimtari nuk krijon miqësi vëllazërore me jobesimtarët. Ai e di që ata dëshirojnë shkatërrimin e Islamit.
- Besimtari është i gatshëm të luftojë në rrugën e Allahut, ai është gjithmonë vigjilent ndaj armikut dhe zhvillon teknologjinë e duhur për të përballur armikun.
- Besimtari lufton trimërisht, pa pasur frikë nga vdekja, sepse është i gatshëm të vdesë për të mbrojur fenë, jetën, nderin, atdheun dhe vlera të tjera sublime.
- Besimtari ka mall për të rënë martir, ai e di që martirin e presin shpërblime të mëdha dhe të pafundme.
- Nëse pala kundërshtare ofron armëpushim dhe paqe, besimtari në vend të luftës preferon armëpushimin dhe paqen, sepse qëllimi kryesor i luftës është sigurimi i paqes, qetësisë dhe çrrënjosja e padrejtësive.