Ndër njerëzit, profetët janë në nivelin më të lartë për sa i përket veçanërisht mendjemprehtësisë, zgjuarsisë dhe intuitës, aftësisë parashikuese. Ata kanë një kujtesë të fuqishme, aftësi njohëse të lartë, logjikë të fuqishme dhe mundësi bindëse.
Zgjuarsia dhe inteligjenca nuk është një mendje dhe logjikë e thatë, por një nivel njohës përtej gjenialitetit. Mendja e lidhur me zemrën (afeksionin) është shprehje e zgjuarsisë, inteligjencës dhe aftësisë parashikuese. Për çdo profet është e domosdoshme që të ketë një zgjuarsi të tillë të lartë në mënyrë që të mund ta kryejë dhe plotësojë detyrën e tij në mënyrë të përkryer, pa asnjë të metë. Në të kundërt, profetët nuk do të mundnin të sillnin argumente dhe prova të fuqishme para njerëzve tek të cilët janë dërguar, nuk do të mund t’i bindnin, t’i kënaqnin dhe t’i heshtnin ata.
Edhe çështjet më të paqarta, më të ngatërruara e më të vështira, profetët i kanë zgjidhur me lehtësi dhe në mënyrën më të përshtatshme. Meqë kanë folur me një gjuhë jashtëzakonisht të lehtë e të thjeshtë gjatë shpjegimit të çështjeve, bashkëbiseduesit me nivele të ndryshme të aftësisë njohëse e kuptuese nuk kanë hequr vështirësi për t’i kuptuar ata.
Ky atribut është shfaqur tek të gjithë profetët, por me ndryshime, ndërkaq, e gjithë jeta e profetit Muhammed (s.a.s.) ka kaluar me këto shfaqje. Ashtu siç e kemi thënë edhe më parë, kontradiktën e ashpër të krijuar mbi çështjen e vendosjes në vend të Gurit të Zi, Zotëria i Botëve i cili u duk në portën e Qabes pikërisht atëherë kur pritej që dikush i jashtëm të hynte e ta arbitronte çështjen mes palëve në mënyrë të paanshme, e zgjidhi lehtësisht çështjen duke shpalosur një model të pashoq zgjuarsie dhe largpamësie duke iu bërë, njëkohësisht, pengesë shpërthimit të një lufte të mundshme mes fiseve.
Po kështu, inteligjenca që tregoi ai në luftërat që zhvilloi në rrugën e Islamit, mençuria dhe zgjuarsia që parashtroi në marrëveshjet e paqes, posaçërisht në Hudejbije, fakti që u bë pretekst për triumfin e Mekës pa derdhur gjak, për rrjedhojë, për pranimin e Islamit nga shumë njerëz, taktika e jashtëzakonshme dhe drejtësia që ndoqi në Hunejn dhe Taif, janë vepra zgjuarsie dhe inteligjence të pamundura për asnjeri tjetër.
Edhe çdo musliman, duke përfituar nga atributi i zgjuarsisë dhe inteligjencës së profetëve, dhuntinë e mendjes duhet ta përdorë në mënyrën më produktive. Ai duhet ta dijë mirë se me kë dhe çfarë duhet të bisedojë, kohën, vendin dhe mënyrën e bisedës dhe si duhet të sillet. Për shembull, stili i hollë i ndjekur nga Xhafer Tajjar (r.a.) duke i dhënë sundimtarit të Etiopisë, Nexhashiut, njohuri mbi Islamin, është tejet domethënës për sa i përket shfaqjes nga muslimani i zgjuarsisë dhe inteligjencës së vet.
Kur Nexhashiu i cili ishte krishter, i kërkoi Xhafer Tajjarit (r.a.) t’i lexonte disa ajete nga Kur’ani, në fillim ai nuk i lexoi suren Kafirun që përbën sfidë ndaj mohuesve, por suren Merjem në të cilën bëhet fjalë me mburrje për Hz. Isain dhe nënën e tij. Atëherë, Nexhashiu i cili i dëgjoi me përshpirtshmëri ajetet kur’anore të shqiptuara nga Hz. Xhaferi, tha kështu me lot ndër sy:
“Pa dyshim, këto që dëgjova, me ato që ka sjellë Isai, burojnë nga i njëjti burim drite!”
Dhe, pas një farë kohe, u nderua me Islamin. (Ibni Hisham, I, 358-360)