Vazhdimi i kumtesës nga Profeti(s.a.s.) pavarësisht nga kushtet
Pavarësisht nga mundimet dhe vuajtjet që i shkaktonin njerëzit e fisit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk e ndërpriste qoftë edhe për një çast ftesën për te e vërteta. Në çdo rast i ftonte njerëzit në rrugën e drejtë, e…
Publikuar:

Pavarësisht nga mundimet dhe vuajtjet që i shkaktonin njerëzit e fisit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk e ndërpriste qoftë edhe për një çast ftesën për te e vërteta. Në çdo rast i ftonte njerëzit në rrugën e drejtë, e trajtonte bashkëbiseduesin me metoda të ndryshme sipas gjendjes.
Njëri prej personave më të fuqishëm fizikisht të Kurejshve, Rukane, i cili ishte edhe një mundës që s’e njihte rënien me shpinë në tokë, një ditë u takua me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) në njërën nga fushat e Mekës. Ai i tha Rukanes:
“O Rukane, akoma s’ke për të pasur frikë ti nga Allahu dhe do të vazhdosh të këmbëngulësh për të mos e pranuar Islamin? Eja, bëhu musliman!”
Rukane iu përgjigj:
“O Muhammed! Po të më vësh poshtë në mundje, do të të pohoj besimin ty!”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e pyeti:
“Po të dal unë fitues, a do ta pranosh se thëniet e mia janë të drejta e të vërteta?”
Rukane iu përgjigj:
“Po, nëse më mund, ose do ta pranoj Islamin, ose këta dhen bëhen të tutë! Por nëse unë të mund, ti do të heqësh dorë nga kjo puna e profetësisë!”
Dhe u kapën në mundje. Sapo e kapi Rukanen, I Dërguari i Allahut e shembi përtokë! Rukane nuk mundi të mbrohej! Ai i tha Profetit:
“O Muhammed, le të bëjmë mundje edhe një herë!”
Prapë u rrokën dhe i Dërguari i Allahut e vuri poshtë prapë! Rukane i tha:
“O biri i tim ungji! Eja të mundemi edhe një herë!”
Mirëpo Rukane që ra me shpatulla në tokë edhe për të tretën herë, prapë nuk besoi.
Profeti u prek shumë ngaqë Rukane nuk e pohoi besimin dhe ngaqë, në këtë mes, përdori disa fjalë jo të hijshme! Ai i tha Rukanes:
“Merri dhentë e shko!”
Atëherë, Rukane i tha:
“Vallahi, ti je më i dobishëm e më i nderuar se unë!” Rukane (r.a.) u bë musliman disa vite më vonë, gjatë triumfit të Mekës, pastaj shkoi në Medinë dhe u vendos atje. (Ibni Hisham, I, 418; Ibni Ethir, Usdu’l-Gabe, II, 236)
Kurse një herë tjetër kishte shkuar në Mekë për umre Dimad bin Thalebe nga fisi Ezd-i Shenue. Dimad ishte një person që ishte i dhënë pas mjekësisë, që u këndonte dhe u frynte të sëmurëve mendorë dhe që përpiqej të fitonte dituri. Kur i dëgjoi politeistët që thoshin se “Muhammedi është i marrë”, tha me vete:
“Unë po shkoj ta shoh një herë këtë njeri! Ndoshta Allahu i jep shërim nëpërmjet meje!”
Dhe u ngrit nga kuvendi i politeistëve dhe shkoi te Profeti, të cilit i tha kështu:
“O Muhammed, Unë e mjekoj marrëzinë. Po deshe, po të mjekoj edhe ty! Ndoshta Allahu të jep shërim!”
I Dërguari i Allahut ia ktheu në këtë mënyrë:
“Lavdërimi është i posaçëm vetëm për Allahun! Ne e lavdërojmë vetëm atë dhe ndihmën vetëm prej tij e kërkojmë! Ne mështetemi te Allahu nga e keqja e vetes sonë! Nuk ka kush që ta çorientojë atë që e orienton Allahu! Gjithashtu, nuk ka kush që ta orientojë atë që e çorienton Allahu! Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut! Ai është një i vetëm! Ai nuk ka të ngjashëm e nuk ka shok! Gjithashtu, dëshmoj se Muhammedi është robi dhe i dërguari i Tij!”
Fjalët e Profetit (s.a.s.) i pëlqyen shumë Dimadit dhe ai i tha Profetit:
“Kurrë nuk kam dëgjuar fjalë më të bukur se kjo! A po m’i përsërit edhe një herë?
Profeti ia përsëri edhe një herë. Pasi i kërkoi Profetit t’ia përsëriste edhe dy herë të tjera ato fjalë si margaritarë, Dimadi i tha:
“Unë i kam dëgjuar fjalët e orakujve, magjistarëve, poetëve dhe të çdo lloj njeriu, por kurrë s’i kam dëgjuar këto që the ti! Këto fjalë janë margaritarët më të çmuar të detit të ligjërimit dhe oratorisë!”
Dhe u bë musliman.
I Dërguari i Allahut e pyeti:
“A ma jep fjalën edhe në emër të fisit?”
“Po ta jap fjalën edhe në emër të fisit!” – I tha Dimadi. (Muslim, Xhum’a, 46; Ahmed, I, 302; Ibni Sa’d, IV, 241)
Duke i marrë fjalë Dimadit edhe në emër të fisit, pasi ai e kishte shprehur besimin në emër të vet, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e ngarkoi Dimadin me detyrë si përfaqësues dhe mësues te fisi i vet për t’ua kumtuar Islamin!