Aisha (r.a.), transmeton se ajo e ka pyetur të Dërguarin e Allahut(a.s.) për sëmundjen e murtajës dhe ai i ka thënë:

“Sëmundja e murtajës, është një lloj dënimi me të cilin Allahu dënon ata që dëshiron. Ndërsa për besimtarët, Allahu e ka bërë mëshirë. Prandaj, nëse një njeri, të cilin e ka kapur sëmundja e murtajës, vazhdon të qëndrojë në vendin e vet, duke bërë durim për atë që e ka goditur, duke e pritur shpërblimin vetëm prej Allahut dhe duke e ditur që atë mund ta godasë vetëm ajo që ka caktuar Allahu, atij i jepet shpërblimi i dëshmorit.”

(Buhari, Tib, 31; shih. Buhari, Enbija, 54; Kader, 15; Muslim, Selam, 92-95.)

Shpjegime

Murtaja, është një sëmundje epidemike që shkakton vdekje në masë. Kur ajo është shfaqur në zona të pazakonta dhe ka shkaktuar vdekje të mëdha, është cilësuar si një dënim. Në Hadith nuk thuhet se myslimanët janë të mbrojtur nga kjo sëmundje, por se ajo është bërë shkak mëshire për ta. Madje, thuhet se ata që i zbatojnë kushtet e kësaj mëshire, do të shpërblehen njësoj si dëshmorët. Ndërsa kushtet janë radhitur në këtë mënyrë: Ai që është infektuar me sëmundjen e murtajës, duhet të bëjë durim dhe ta presë shpërblimin prej Allahut, nuk duhet të largohet nga vendi ku ndodhet dhe duhet ta pranojë se atë nuk mund ta godasë asgjë përveç asaj që ka caktuar Allahu…

Të bësh durim ndaj sëmundjes dhe ta presësh shpërblimin vetëm prej Allahut, nuk do të thotë të mos kërkosh zgjidhje për kurim. Përkundrazi, njeriu duhet të kërkojë shërim edhe sipas mundësive të veta, edhe sipas mundësive të mjekësisë. Mirëpo, ashtu siç nuk ka pasur mundësi mjekësore kundër murtajës në të kaluarën, ashtu edhe sot mund të ketë vende dhe popuj të cilët nuk kanë mundësi shërimi nga kjo sëmundje. Ajo që duhet të bëhet në një rast të tillë, është të presësh shpërblimin e Allahut pa u rebeluar dhe t’ia dorëzosh veten Atij. Në fakt, ky është një qëndrim që pritet prej çdo myslimani në çdo kohë dhe situatë.

Fakti që njeriu i sëmurë me murtajë nuk duhet të largohet nga vendi ku ndodhet, ka një rëndësi të madhe në mospërhapjen e mëtejshme të sëmundjes. Pra, në këtë Hadith, shprehet qartë se besimtarët duhet ta zbatojnë vetë procedurën e karantinës. Marrja e masave të tilla serioze në lidhje me çështje publike, është një nga cilësitë e Islamit…

Ashtu siç bëhet e ditur edhe në hadithe të tjerë në lidhje me këtë temë, në zonën ku është shfaqur sëmundja e murtajës, janë ndaluar hyrjet dhe daljet për të realizuar një karantinë absolute.

Edhe nëse dikush pandeh se po të qëndrojë në atë zonë do të infektohet patjetër me atë sëmundje, edhe nëse pretendon se nuk do të infektohet po të hyjë aty, në të dyja rastet konsiderohet se nuk i beson caktimit të Allahut. Prandaj, besimtari që beson në caktimin e Allahut, përfshihet në procesin e karantinës dhe vdes për shkak të sëmundjes së murtajës, do të trajtohet si dëshmor. Lidhur me këtë, i Dërguari i Allahut (a.s.), është shprehur se: “Kush vdes prej murtajës, është dëshmor!” (Muslim, Imare, 166.) “Murtaja është gradë dëshmori për çdo mysliman.” (Buhari, Xhihad, Tib, 30.) Kjo, sepse dëshmori është një njeri që jep jetën ndërkohë që lufton për të mbrojtur myslimanët e tjerë nga rreziqet. Nisur nga kjo, ai që duron ndaj një sëmundjeje të tillë ngjitëse dhe të rëndë, duke u përpjekur të mos i infektojë myslimanët e tjerë, pra lufton që t’i mbrojë ata nga kjo sëmundje, edhe ky në të njëjtën mënyrë konsiderohet si dëshmor. Kjo, sepse të dy japin jetën për të mbrojtur myslimanët. Po ashtu, edhe fjala e nënës sonë Aishas (r.anha), “Kush ikën prej murtajës, është sikur të ketë ikur prej luftës!”, është një argument tjetër i ngjashmërisë në këtë pikë.

Nga ana tjetër, duke parë se në ditët tona dëgjojmë lajme të ndryshme të të sëmurëve me AIDS (Sida) që përpiqen me metoda të veçanta t’ua transmetojnë qëllimisht të tjerëve këtë sëmundje, e kuptojmë më mirë se sa aktual është ky Hadith dhe se çfarë vlere të lartë morale dhe njerëzore bart ai.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Në këtë Hadith, na bëhet e ditur se durimi është i domosdoshëm edhe në situatat më të pashpresa dhe se përfundimi i tij është me të vërtetë i jashtëzakonshëm dhe i kënaqshëm.
  2. Durimi është streha dhe arma më e fuqishme e myslimanit për të ruajtur besimin e tij.
Share.

Leave A Reply