Kushti i katërt i imanit është besimi te profetët. Profetësia është detyra e transmetimit të mesazheve hyjnore prej Allahut te njerëzit. Allahu përzgjedh për këtë detyrë robërit e Tij më të mirë. Profetët janë dërguar te njerëzit si udhërrëfyes. Njerëzit kanë nevojë për udhërrëfyes të tillë, sepse, megjithëse ata mund ta konceptojnë me logjikë ekzistencën e Allahut, nuk mund të konceptojnë atributet madhështore të Tij. Nuk mund të dinë me mendjen e tyre se në çfarë forme duhet adhuruar Allahu, si do të jetë jeta e ahiretit dhe kush do të shpërblehet në këtë jetë apo kush do të dënohet aty, si dhe në çfarë mënyre do të fitohet lumturia në këtë jetë dhe në jetën tjetër.

Allahu ka ngarkuar me detyrë profetët që t’ua mësojnë njerëzve këto të vërteta dhe t’u tregojnë atyre rrugët që të shpien drejt lumturisë në këtë jetë dhe në jetën tjetër.

DETYRAT E PROFETËVE

Profetët ua kanë prezantuar njerëzve Allahun ashtu siç Ai e meriton, si dhe u kanë mësuar atyre bazat e besimit dhe format e adhurimit. Ata u kanë sqaruar atyre parimet e urdhrave fetarë dhe të moralit, si dhe kanë qenë she­mbull për njerëzit duke vepruar ato që u kanë mësuar atyre.

Profetët e kanë kryer misionin e tyre në kushtet më të vështira dhe kanë treguar mrekulli, pra kanë demonstruar situata të mbinatyrshme, të cilat nuk mund t’i bëj askush tjetër, në mënyrë që të vërtetojnë se ata janë me të vërtetë profetë. I kanë përgëzuar me xhenet ata që u binden urdhrave të Allahut dhe i kanë njoftuar ata që nuk u binden këtyre urdhrave, se do të dënohen në jetën tjetër me zjarrin e xhehenemit.

Profetët kanë qenë njerëz shembullorë, që zotëronin çdo lloj morali të bukur dhe ishin të përzgjedhur prej Vetë Allahut.

Cilësitë e detyrueshme që duhet të ketë një profet:

1– Drejtësia e besnikëria (sidk) : Profetët janë njerëz jashtëzakonisht të drejtë dhe besnikë. Ata kurrë nuk gënjejnë. Ajo që thanë se u bë, ka ngjarë me të vërtetë dhe ajo që kanë thënë se do të bëhet, ka për të ndodhur patjetër.

2– Besueshmëria (amanet) : Profetët janë njerëz që e respektojnë dhe nuk e tradhtojnë amanetin e dhënë.

3– Zgjuarsia (fetanet) : Profetët janë të mençur, të zgjuar dhe të mpreh­të.

4– Pamëkatë (ismet) : Profetët nuk bëjnë asnjë lloj mëkati, të madh ose të vogël, hapur apo fshehur.

5– Kumtimi (teblig) : Profetët u kanë kumtuar njerëzve urdhrat fetare të marra nga Allahu, pa u bërë as ndryshimin më të vogël.

Share.

Comments are closed.