Habbab ibn Ereti (r.a.), ishte prej trimave të parë që u nderuan me Islam…  Ai ishte një hero që u torturua shumë nga politeistët dhe një durimtar që u vuri kraharorin vështirësive dhe që nuk bëri aspak lëshime në besimin e tij…

Qe blerë në tregun e robërve nga Ummu Enmari. Ajo e çoi atë te një hekurpunues që të punonte si çirak dhe të mësonte artin e shpatës. Për një kohë të shkurtër u bë i njohur në Mekë si mjeshtër i shpatës.

Habbab ibn Ereti (r.a.), nga njëra anë vazhdonte punën e tij dhe nga ana tjetër mendonte se si do të ishte fundi i shoqërisë së injorancës dhe se kur do të merrnin fund padrejtësitë. Ai priste ditët kur do të ndriçoheshin netët e errëta.

Kjo pritje nuk zgjati shumë. Ai dëgjoi se kishte dalë një fe e re të cilën e kishte sjellë Muhamedi (s.a.s.). Prandaj shkoi menjëherë te shtëpia e Erkamit. Aty dëgjoi fjalimin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Habbabi u ndikua nga fytyra e Resulullahut që shndrinte dhe nga fjalët e ëmbla të tij që i ndriçonin jetën. Kështu, ia zgjati menjëherë dorën Hz. Muhamedit dhe u bë mysliman duke thënë shehadetin.

* * *

Habbab ibn Ereti (r.a.), nuk e fshehu nga askush hyrjen në Islam. Kur Ummu Enmari e dëgjoi se ai ishte bërë mysliman, pothuajse u çmend nga tërbimi. Ajo nuk e pranoi kurrë që një rob të ndërmerrte një veprim të tillë pa lejen e të zotit. Prandaj mori me vete vëllain e saj, Siba’ ibn Abdiluzzanë e disa të rinj prej fisit dhe shkoi plot zemërim te Habbabi.

Siba’ iu afrua Habbait dhe i tha: “Neve na ka ardhur një lajm i pabesueshëm në lidhje me ty.” Habbabi e pyeti: “Çfarë lajmi qenka ky?”

Siba’ i tha: “Njerëzit po flasin për lajmin se ti ke dalë nga feja jote dhe po pason pasardhësin e Beni Hashimëve.” Habbabi (r.a.), iu përgjigj pa hezituar aspak:

“Unë nuk kam dalë nga feja ime. Vetëm i kam besuar Allahut i Cili është i vetëm dhe nuk ka ortak. Kam hedhur idhujt tuaj dhe kam dëshmuar se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Allahut.”

Siba’, i cili gjithmonë tërbohej nga këto fjalë, e sulmoi Habbabin së bashku me djemtë e rinj që kishte pranë. Atë e rrahën me grushte dhe shkelma. Pastaj filluan ta godisnin me hekur dhe pjesë të çekiçëve. Habbabit (r.a.), i ra të fikët. Ai ra përtokë i mbuluar në gjak. Veprimi i guximshëm i këtij heroi u bë shkak që errësirat të largoheshin, që myslimanëve të tjerë t’u shtohej guximi dhe që Islami të përhapej me shpejtësi.

* * *

Paria e Kurejshve ishte mbledhur në Qabe dhe po kërkonte rrugëzgjidhje për ndalimin e përhapjes së Islamit. Zullumqarët kishin vetëm një gjë që mund të bënin: Padrejtësi dhe torturë… Çdo fis do t’u bënte tortura myslimanëve të tyre derisa ta linin Islamin ose derisa të vdisnin. Detyra për të torturuar Habbabin (r.a.), i takoi Siba’ ibn Abdiluzzasë dhe fisit të tij. Ata bënë tortura që mendja nuk i percepton dhe nuk i imagjinon dot. Çfarëdo që bënë, nuk arritën ta detyronin Habbabin ta linte Islamin. Tani le të japim një shembull prej torturave që ka hequr Habbabi, që mund të na e copëtojë zemrën:

Një ditë Habbab ibn Eretin (r.a.), e shtrinë në rërën e nxehtë të Mekës që digjte si zjarr. Atë e pyetën duke i bërë tortura që të merrnin frymën:

“Çfarë thua për Muhamedin?”

Habbabi (r.a.), iu përgjigj atyre duke u thënë:

“Ai është robi dhe i Dërguari i Allahut. Ai ka sjellë fenë e vërtetë për të na nxjerrë nga errësira në dritë.” Ata i thanë:

“Çfarë thua për Latin dhe Uzzanë?” Habbabi (r.a.), iu përgjigj:

“Ata janë idhuj që nuk flasin, nuk dëgjojnë dhe që nuk kanë as dëm e as dobi.” Pas kësaj përgjigjeje ata sollën gurë të nxehtë dhe ia vendosën Habbabit në kurriz dhe në shpatulla. Këta gurë të nxehtë si prush ia lanë sipër derisa ia dogjën mishin. E bënë të rënkonte, por nuk e detyruan dot të hiqte dorë nga pohimi “Allahu është një”.

* * *

Këto tortura nuk bëheshin vetëm një herë. Kush e di se sa herë përsëriteshin. Edhe Ummu Enmari nuk ishte më pak zullumqare se vëllai i saj, Siba’. Ajo shkonte te vendi i punës së Habbabit, merrte hekurin e nxehtë nga prushi, ia vendoste atij në kokë dhe e mbante ashtu derisa Habbabit i binte të fikët.

Krahas të gjitha këtyre torturave dhe keqtrajtimeve, Habbabi nuk bënte aspak lëshime në besimin e tij. Pra, nuk bënte asnjë hap prapa në rrugën e nënshtrimit ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Kështu, përparonte me durim dhe vendosmëri në rrugën e Zotit (xh.xh.).

Një ditë nuk i duroi dot torturat që iu bënë. Për këtë arsye, shkoi te i Dërguari i Allahut (s.a.s.). I tregoi për të gjitha hallet, për të gjitha dhimbjet që po hiqte dhe për padrejtësitë që po i bëheshin. Pastaj i tha:

“O i Dërguari i Allahut! A nuk do ta lutni Zotin që të shpëtojmë prej këtyre torturave?” Pejgamberi ynë i nderuar i dëgjoi duke derdhur lot dhe me një brengosje të madhe fjalët që tha Habbabi (r.a.). Ai iu përgjigj këtij besimtari të devotshëm:

“Në popujt para jush ka pasur njerëz të atillë që ua hiqnin mishin dhe lëkurën me krehër hekuri. Por kjo torturë përsëri nuk i bëri ata ta linin fenë.

Kishte prej atyre që ndaheshin më dysh me sharrë duke filluar nga koka, por edhe këto tortura përsëri nuk i bënin dot ta linin fenë.

Sigurisht që Allahu Teala do ta plotësojë këtë punë/Islamin. (Islami do të përhapet dhe forcohet aq shumë saqë) një njeri do t’i hipë kafshës së tij dhe do të shkojë i vetëm nga San’a deri në Hadrameut. Ai nuk do të ketë frikë askënd përveç Allahut. Edhe për delet e tij nuk do të ketë asnjë shqetësim përveç sulmit të ndonjë ujku. Por ju po nxitoheni.”

Këto fjalë të ëmbla dhe plot sihariqe të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), u bënë shërim për shpirtin e Habbab ibn Eretit (r.a.). Papritur atij i pushuan të gjitha dhimbjet që kishte për shkak të torturave. Pastaj Resulullahu (s.a.s.), ia ledhatoi kurrizin Habbabit (r.a.) dhe u lut: “O Zot! Ndihmoje Habbabin!”

Jeta plot vuajtje e Habbabit (r.a.), pra e këtij njeriu të devotshëm, ishte shembulli më i bukur i vendosmërisë në besim dhe i durimit e qëndrueshmërisë në kauzën e Islamit… Padyshim se kauzat e mëdha kërkojnë durim të madh… Rehatia dhe mirëqenia patjetër që vijnë pas durimit… Durim… Vendosmëri… Fitore… Arritja e suksesit kërkon sakrificë të madhe…

* * *

Habbabi (r.a.), i pati bërë një shpatë mushrikut të tërbuar As ibn Vailit ngaqë ai ia kishte kërkuar. Kur shkoi për t’i marrë paratë, ai i tha:

“Përderisa të mos e mohosh Muhamedin, nuk do të t’i jap paratë.” Habbabi (r.a.), ia ktheu:

“Për Zotin! Heq dorë nga çdo gjë derisa të vdesësh ti apo derisa të ringjallesh, por nuk e mohoj Muhamedin (s.a.s.).” As ibn Vaili i tha duke u tallur:

“A do të ringjallemi pasi të vdesim? Atëherë do të kem edhe pasuri, edhe fëmijë. Kështu borxhin do të ta paguaj kur të ringjallemi.” Kur Habbab ibn Ereti (r.a.), ia tregoi këtë ngjarje Pejgamberit tonë të nderuar, u shpallën këto ajete fisnike:

“Vallë, a e ke parë atë që nuk beson në shenjat Tona dhe thotë: “Mua do të më jepet (Ditën e Kiametit) edhe pasuria, edhe fëmijët”?! A mos ndoshta ai e di të padukshmen apo ka marrë ndonjë premtim nga i Gjithëmëshirshmi? Kurrsesi! Ne do ta shënojmë atë që flet dhe do t’ia zgjasim vuajtjen.” (Merjem, 77-79)

* * *

Habbab ibn Ereti (r.a.), u mësonte Kuranin Fisnik atyre që hynin në Islam. Ai ua pati mësuar Kuranin dhe motrës së Omerit (r.a.), Fatimes dhe bashkëshortit të saj, Saidit (r.a.). Habbabi (r.a.), mori pjesë në të gjitha luftërat që u bënë përgjatë kohës së Pejgamberit (a.s.). Në kohën e kalifatit të Ebu Bekrit (r.a.), mori pjesë në luftërat që u bënë kundër mashtruesve që pretendonin për profeci. Ai nuk e la xhihadin as në kohën e Omerit (r.a.), as në kohën e Osmanit (r.a.). Habbabi (r.a.), ka transmetuar 32 hadithe. Ai ndërroi jetë në Kufe rreth moshës 70 vjeçare më 657 e.s.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Aliu (r.a.), ka thënë në krye të varrit të tij: “Allahu e mëshiroftë Habbabin! Ai u bë mysliman me dëshirën e tij. Mori parasysh çdo gjë dhe bëri hixhret. Jetën e kaloi në xhihad. Allahu do t’i shpërblejë ata që kanë bërë vepra të mira.” Aliu (r.a.), me këto fjalë shprehu se Habbab ibn Ereti (r.a.), ka qenë i mbushur me frymën e xhihadit, ka qenë durimtar, ka qenë i vendosur dhe ka qenë besnik ndaj kauzës së Islamit.

Lus Allahun e Lartësuar që të na e japë edhe neve frymën e xhihadit që kishte Habbabi (r.a.) dhe durimin, vendosmërinë e dashurinë që kishte ai në besnikërinë ndaj Islamit! Allahu na bashkoftë në xhenet me këta njerëz si yje! Amin!

 

Share.

Leave A Reply