Abdullah Ibni Mes’ud (r.a.), transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:

“Padyshim se (pas meje) do të ketë favorizime (personash) dhe do të ndodhin disa gjëra që nuk i pëlqeni!” Sahabët pyetën:

“O i Dërguari i Allahut! Çfarë qëndrimi na këshilloni të mbajmë në atë kohë?” I Dërguari i Allahut (a.s.), tha:

“Ju duhet të bëni punën që ju takon dhe ta prisni të drejtën tuaj prej Allahut!”

-Muttefekun alejhi-

(Buhari, Menakib, 25; Fiten, 2; Muslim, Imare, 45.)

Shpjegime

Ky dhe Hadithi tjetër i mësipërm, nxjerrin në pah rëndësinë e durimit në lidhje me shoqërinë dhe udhëheqjen, pra me sistemin. Mirëpo ky Hadith, është në lidhje me durimin dhe tolerancën që duhet të tregojë shoqëria myslimane, sepse durimi nuk është vetëm i njëanshëm. Pra, aq sa i domosdoshëm është durimi për drejtuesit, po aq i domosdoshëm është edhe për popullin. E në fakt, jo vetëm drejtuesit përballen me vrazhdësinë dhe paditurinë e të drejtuarve, por edhe populli mund të përballet me disa padrejtësi të drejtuesve, favorizimeve të tyre ndaj personave të ndryshëm dhe zgjedhjeve të tyre  pa vend.

Imam Neuveviu, duke i vendosur këta  dy hadithe njëri pas tjetrit, ka tërhequr vëmendjen në faktin se durimi duhet të ketë të njëjtën pozitë në marrëdhëniet drejtues-popull dhe me anë të këtyre haditheve u jep përgjigje pyetjeve të mundshme lidhur me këto çështje.

Kur i Dërguari i Allahut (a.s.), bëri të ditur se në të ardhmen do të bëhen favorizime personash me burimet e shtetit dhe se do të ndodhin disa gjëra, që nuk mund të pëlqehen në asnjë mënyrë, sahabët e ndjenë të nevojshme të pyesin se, çfarë qëndrimi duhet të mbanin përballë këtyre fenomeneve. Dhe, përgjigja e të Dërguarit të Allahut (a.s.), ishte e qartë:

“Ju bëni punën tuaj (jepni zekatin, merrni pjesë në luftë dhe kryeni detyrat tuaja) dhe, nëse u bëhet padrejtësi, kërkojeni të drejtën prej Allahut!”

Nisur nga kjo, kuptohet se zgjidhja nuk është kërkimi i së drejtës duke bërë kryengritje ndaj udhëheqjes dhe duke krijuar kaos. Pra, lidhur me këto probleme duhet bërë durim dhe duhet kërkuar ndihma e Allahut që t’i përmirësojë drejtuesit dhe të bëjë që të triumfojë e drejta.

Këtu duhet të theksojmë se, ky qëndrim nuk do të thotë t’i konsiderojmë të drejta padrejtësitë e drejtuesve. Padyshim se edhe bindja ka një kufi, i cili është kundërshtimi i Allahut. I Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë: “Aty ku kundërshtohet Allahu, nuk ka bindje ndaj robit!”.

Në këtë Hadith fisnik , i cili do të përsëritet edhe në atë me numër 671, kërkohet të mos ngrihet menjëherë krye për çdo padrejtësi, të bëhet durim dhe të mos i hapësh rrugë anarkisë. Këtë çështje e shpjegon edhe një transmetim që shënohet nga Imam Muslimi:

Seleme Ibni Jezid el-Xhu’fi (r.a.), e pyeti të Dërguarin e Allahut (a.s.):

“O i Dërguar i Allahut! Si na këshilloni të sillemi nëse kemi në krye udhëheqës që kërkojnë të drejtat e tyre prej nesh, por nuk na i japin të drejtat tona?”

I Dërguari i Allahut (a.s.), i ktheu shpinën. Por, ai e pyeti përsëri. Edhe Profeti (a.s.), i ktheu shpinën përsëri. Seleme (r.a.), pyeti përsëri. Mirëpo atë moment Esh’as Ibni Kajs (r.a.), e tërhoqi Selemen, ndërsa i Dërguari i Allahut(a.s.) tha:

“Dëgjoni dhe binduni! Ata janë përgjegjës për zemrat e tyre, ndërsa ju për zemrat tuaja.” (Muslim, Imare, 49.)

Me këto fjalë, i Dërguari i Allahut (a.s.), shprehet qartë se: “Udhëheqësit janë përgjegjës për zemrën e tyre, nëse do të sillen me drejtësi ndaj popullit, apo jo. Nëse ata nuk sillen me drejtësi, atëherë kanë gjynahe. Ndërsa ju keni për detyrë të dëgjoni, të bindeni dhe të respektoni të drejtat e të tjerëve. Ju bëni ato që ju takojnë dhe Allahu do t’ju shpërblejë!”

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Mosbindja ndaj drejtuesve për shkak se bëjnë padrejtësi, nuk është e këshillueshme.
  2. Durimi ndaj padrejtësive dhe ruajtja e shoqërisë nga kaosi dhe ngatërresat, është parësore.
  3. Nuk është e drejtë të bësh padrejtësi për shkak se të është bërë padrejtësi.
  4. E këshillueshme është bindja ndaj drejtuesve, derisa ata nuk urdhërojnë për kundërshtim të Allahut.
Share.

Leave A Reply