Ebu Musa Abdullah Ibni Kajs el-Esh’ari (r.a.), transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:
“Vërtet, Allahu i Madhëruar e shtrin Dorën e Tij gjatë natës për të pranuar pendimin e gjynahqarëve të ditës dhe e shtrin Dorën e Tij gjatë ditës për të pranuar pendimin e gjynahqarëve të natës, derisa të lindë Dielli nga perëndimi.”
(Muslim, Teube, 31.)
Shpjegime
Pikësëpari duhet të theksojmë se:
Shtrirja e Dorës së Allahut të Madhëruar ditë e natë për të pranuar pendimet, do të thotë se Ai e pret robin e Tij në çdo kohë që t’i paraqesë teuben dhe ta falë. Me këtë shprehje, tregohet gjerësia e dashurisë dhe mëshirës që Allahu ka për robërit e Tij. Sado të shumta të jenë gjynahet e robit, nëse ai bën teube dhe kërkon falje, Allahu i Madhëruar do t’ia falë atij gjithmonë.
Në fakt, nuk është kusht që ata të cilët bëjnë gjynahe natën, duhet të presin ditën për t’u penduar dhe ata që bëjnë gjynahe ditën, duhet të presin natën për t’u penduar. Por, në përgjithësi, kush bën ndonjë gjynah natën, vetëm kur del dita e gjen mundësinë për t’u penduar. Po kështu, edhe ata që bëjnë gjynahe ditën, vijnë në vete gjatë natës, duke e kuptuar gabimin e tyre dhe kërkojnë falje prej Allahut.
Sa herë që njeriu të gjejë mundësinë, duhet t’i drejtohet menjëherë Zotit dhe t’i kërkojë faljen e gjynaheve. Arsyeja që dita dhe nata janë përmendur veç e veç, tregon se pendimi nuk ka ndonjë kohë të caktuar, se dera e teubes është çdo moment e hapur dhe se mund të bëhet 24 orë në 24.
Le ta theksojmë edhe njëherë se, teubeja dhe istigfari duhet të bëhen me sinqeritet, duke u penduar me të vërtetë prej gjynahut që është bërë. Përndryshe, të bësh teube dhe istigfar ndërkohë që je ende duke bërë të njëjtat gjynahe, tregon mungesë serioziteti dhe sinqeriteti. Madje, edhe vetë kjo sjellje kërkon po ashtu teube dhe istigfar në mënyrë të veçantë.
Sa të ketë jetë, njeriu do të vazhdojë të bëjë gabime. Por, kthimi tek Zoti ynë pas çdo gabimi që bëjmë dhe kërkimi i faljes për to, është detyra e devotshmërisë që kërkohet prej nesh. Bërja e shpeshtë e teubes, nuk duhet të konsiderohet si tallje me Allahun e Madhëruar. Siç do ta shohim edhe në Hadithin me numër 422, sado gjynahe të bëjë njeriu, kur ai i drejtohet Allahut dhe i përgjërohet duke thënë, “O Allah m’i fal gjynahet!”, me mëshirën e Tij Allahu nuk e refuzon robin e Vet, por përkundrazi, thotë, “Robi im bëri një gjynah dhe e diti se ka një Zot që e fal gjynahun dhe që do ta marrë në llogari për atë gjynah”, pastaj e fal atë. Ky Hadith do të përsëritet edhe në atë me numër 438.
Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:
- Allahu i Madhëruar është jashtëzakonisht i mëshirshëm ndaj robërve të Tij. Prandaj, Ai pret prej robërve të Tij që ata të bëjnë teube.
- Teubeja dhe istigfari nuk kanë një kohë të caktuar. Po ashtu, as Allahu nuk ka ndonjë kohë të kufizuar për pranimin e teubeve.
- Teubeja duhet të bëhet pa humbur kohë, menjëherë pas gjynahut.