Muxhize: Janë ngjarjet e jashtëzakonshme, që profetët kanë treguar me ndihmën e Allahut, për të dëshmuar se ata janë me të vërtetë profetë. Mu­xhizet janë si dokumente profetësie. Ato ndodhnin në përputhje me nevojat e profetësisë. Njerëzit e thjeshtë nuk mund të bëjnë gjëra të tilla të jashtë­zakonshme, nuk mund të tregojnë muxhize, sepse për ta është e pamundur.

Vetëm profetët mund të tregonin muxhize. Ato realizoheshin me lejen dhe me fuqinë e Allahut.

Të gjithë profetët kanë treguar muxhize, si një dëshmi e profetësisë së tyre, duke i lënë pa fjalë ata që nuk u besonin fjalëve të tyre.

Keramet: Janë ndodhitë e jashtëzakonshme, që evlijatë (miqtë e Allahut) realizojnë me ndihmën e Allahut. Kështu pra, ngjarjet e jashtëzakonshme konsiderohen keramet për evlijatë dhe muxhize për profetët.

MUXHIZET E PROFETIT MUHAMED (A.S.)

Profeti Muhamed (a.s.), ka treguar muxhize të shumta, me qëllim që të vërtetonte se është dërguar si profet nga ana e Allahut.

Disa prej këtyre muxhizeve:

a) Një ditë ishte afruar koha e namazit të ikindisë, dhe Profeti (a.s.), nuk kishte gjetur ujë për të marr abdest. I kishin sjellë një enë të vogël me ujë.

Profeti (a.s.), kishte futur dorën brenda në enën e vogël me pak ujë dhe prej saj kishte shpërthyer ujë si të kishte ndonjë burim të madh. Uji kishte rrjedhur deri sa kishin marrë abdest i gjithë xhemati që gjendej aty, i cili përbëhej prej treqind personash.

b) Profeti (a.s.), kishte një trung prej pemës së hurmës, mbi të cilën hipte që ti mbante hutbe xhematit. Kur u shtua numri i myslimanëve, urdhëroi t’i bënin një minber me tri këmbë shkallë, te i cili hipte që t’u fliste njerëzve. Një ditë xhuma, teksa Profeti (a.s.), u mbante hutbe nga minberi myslimanëve në anën tjetër të xhamisë, aty ku gjendej trungu i pemës së hurmës, filluan të dëgjoheshin qarje me ngashërim. Trungu i pemës së hurmës qante, sepse ishte ndarë nga Profeti, ashtu siç qan nëna për fëmijën që ka humbur. Kur e pa këtë gjë, Profeti (a.s.), zbriti nga minberi dhe e rroku trungun e pemës së hurmës, dhe trungu i ndërpreu lotët e përmallimit.

c) Një vit e gjysmë përpara hixhretit, një natë Profeti (a.s.), shkoi nga Qabeja në Meke në xhaminë Aksa, që gjendet në Jeruzalem me anë të një kafshe, që quhej Burak dhe prej Jeruzalemit u ngrit në qiell së bashku me profetin Xhebrail. Udhëtimi në qiell dhe në ahiret i Profetit (a.s.), i ftuar aty nga vetë Allahu, është një ndodhi e jashtëzakonshme që nuk kishte ndodhur me ndonjë profet tjetër dhe u realizua në një kohë shumë të shkurtër. Kjo ngjarje, vepër e fuqisë së pafund të Allahut, njihet si mrekullia e Israsë dhe Miraxhit për Profetin.

d) Mrekullia më e madhe dhe e përhershme e Profetit tonë është Kurani Fisnik. Kurani është një mrekulli e pashoqe me melodinë e tij, që përkëdhel zemrat dhe qetëson shpirtrat, me kuptimet e tij sublime, që përmbajnë urtësi të panumërta, me parimet e pavdekshme për lumturinë e njerëzimit dhe me të vërtetat shkencore që ndriçojnë të gjithë shekujt.

Share.

Comments are closed.