Siç përcjell Ibni Abbasi, njëri nga gjenitë e politeistëve, Velid bin Mugire, ka shkuar një ditë te Profeti dhe i ka kërkuar t’i këndojë Kur’an. Dhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i ka kënduar ajetin që thotë:

 “Pa dyshim, Allahu ju urdhëron drejtësinë, mirësinë, ndihmën për të afërmin dhe ju ndalon nga prostitucioni, e keqja, padrejtësia dhe dhuna. Dhe ju këshillon ta dëgjoni e t’i bindeni!” (en-Nahl, 90)

Velidi i ka thënë:

“Ma këndo edhe një herë këtë!”

Pasi Profeti ia këndoi edhe një herë, Velidi nuk mundi të mos i thoshte se “Në këtë fjalë ka një ëmbëlsi të tillë, një bukuri dhe shkëlqim të tillë që kjo i përngjet një peme të blertë me rrënjë të ujitura dhe degët plot fruta. Eshtë e pamundur që këtë ta thotë një njeri. Pa asnjë dyshim, kjo fjalë është eprore ndaj çdo gjëje. Kurse ndaj saj nuk mund të dalë eprore asgjë dhe ajo i mund patjetër kundërshtarët!”

I habitur tejet, Velidi u ngrit e shkoi në shtëpinë e Hz. Ebu Bekrit dhe i bëri atij disa pyetje një sërë pyetjesh mbi Kur’anin. Pastaj shkoi te Kurejshët dhe u tha:

“Gjërat që thotë i biri i Ebu Kebshes, ç’është e vërteta, janë të denja për t’u mahnitur para tyre! Vallahi, ato s’janë as poezi, as magji dhe as përçartje prej të marri! Ato që thotë ai janë, pa dyshim, fjalë e Allahut!”

Kur këto fjalë të tij arritën te Ebu Xhehli, ai tha:

“Vallahi, po qe se Velidi kthehet nga feja, do të kthehen edhe të gjithë Kurejshët e tjerë!”

Dhe, pasi shkoi te ai, i tha:

“O im ungj! Fisi po mbledhin mall për të ta dhënë ty! Kishe shkuar te Muhammedi dhe kishe kërkuar disa gjëra prej tij!”

Velidi i tha:

“Kurejshët më njohin mirë mua, unë jam më i pasuri i tyre!”

Ebu Xhehli i tha:

“Atëherë, thuaj për Muhammedin diçka të tillë që fisi ta dinë se ti e ke mohuar atë dhe se nuk e ke pëlqyer!”

Velidi iu përgjigj:

“Ç’të them? Vallahi, nuk ka mes jush dikush që t’i njohë poezinë, rexhezin214 dhe kasiden më mirë se unë. Fjalët e tij nuk u ngjajnë asnjërës prej këtyre! Vallahi, pak më parë dëgjova prej Muhammedit një fjalë të tillë që nuk i ngjiste as fjalës së njeriut, as të xhindit! Në atë fjalë kishte një ëmbëlsi dhe shije të shkëlqyer!”

Duke këmbëngulur, Ebu Xhehli i tha:

“Gjersa të mos thuash diçka kundër tij, fisi yt nuk do të jetë i kënaqur me ty!”

Velidi i tha:

“Më lër të mendohem pak!”

Pastaj tha këtë përçartje:

“Kjo është një magji e përcjellë!” (Hakim, II, 550/3872; Taberi, Tefsir, XXIX, 195-196; Vahidi, f. 468)

Këtë qëndrim të Velid bin Mugires, Kur’ani e përshkruan me tërë gjallërinë, kështu:

“Ai mendonte, maste e priste. Qoftë i shkatërruar, po si priste ashtu? Përsëri qoftë i shkatërruar, po si priste ashtu? Pastaj pa një herë, vrënjti vetullat dhe e vari fytyrën. Pastaj ktheu shpinën me mendjemadhësi dhe tha: “Ky (Kur’ani) s’është gjë tjetër veçse një magji e mësuar, veçse një fjalë njeriu…” (Muddethir, 18-25)

Share.

Comments are closed.