Abdullah ibn Abbasi, radijall-llahu anhuma, ishte një sahab i ri të cilin e pyesnin të gjithë në lidhje me dijen e tefsirit, hadithit dhe fikhut (jurisprudencës islame)… Ai ishte një trim që kishte dije të gjerë edhe pse ishte i ri në moshë… Ai ishte një dijetar që ndërmjet sahabëve njihej si “Bahru’l-umme / Deti i dijes së umetit” dhe “Fakihu’l-umme / Fakihu i umetit”…

Ibn Abbasi (r.a.), ishte djali i xhaxhait të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), Abbasit (r.a.). Ai lindi tre vjet para hixhretit. Kur kishte lindur, babai i tij e kishte çuar te Pejgamberi ynë i nderuar. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), e kishte marrë në krahë dhe i kishte lyer qiellzën me pak pështymë. Pastaj kishte qenë lutur për të: “O Allah! Bëje fakih në fe dhe mësoja librin Tënd!”

Abdullah ibn Abbasi (r.a.), nuk largohej aspak nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.), në periudhën e fëmijërisë, edhe pse ishte i vogël në moshë. Për shkak se tezja e tij, Mejmune binti Harithi (r.anha), ishte tezja e tij dhe bashkëshortja e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), disa net qëndronte bashkë me ta. Abdullah ibn Abbasi (r.a.), i përgatiste ujin e abdestit Hz. Pejgamberit dhe e falnin bashkë namazin. Ai vetë tregon siç vijon:

“Një herë i Dërguari i Allahut (s.a.s.), deshi të merrte abdest. Menjëherë ia përgatita ujin. Ai u gëzua për atë që bëra. Kur u ngrit dhe filloi të falte namazin, ma bëri me shenjë që të qëndroja në anën e tij. Ndërsa unë qëndrova pas tij. Kur mbaroi namazi, më pyeti:

“Abdullah! Përse nuk qëndrove pranë meje?” Unë iu përgjigja:

“Ti në sytë e mi je më i lartë dhe më i vlefshëm sesa të qëndruarit në anën tënde.” Nisur nga kjo përgjigje, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), u lut për mua:

“O Allah! Jepi atij urtësi!”

* * *

Një herë Pejgamberi ynë i dashur e vendosi dorën e bekuar në kokën e Ibn Abbasit (r.a.) dhe u lut:

“O Allah! Të gjithë dijen dhe urtësinë jepja kësaj koke! Mundësoja që t’u bëjë te’vil dhe tefsir atyre!”

Me begatinë e kësaj lutjeje Abdullah ibn Abbasi (r.anhuma), arriti grada shumë të larta në dije edhe pse ishte në moshë të vogël. Ai u bë një dijetar i madh që e njihte më së miri Librin e Allahut, e kuptonte më së miri te’vilin e tij, zbriste deri në thellësitë e Kuranit Fisnik dhe përpiqej të arrinte të fshehtat e tij.

* * *

Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.), ndërroi jetë, Abdullah ibn Abbasi (r.a.), ishte një djalosh në moshën 13 vjeçare. Përgjatë jetës së tij piu pa reshtur nga ujëvara e dijes së Hz. Pejgamberit. Kur i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, shkoi te Zoti i tij, Abdullah ibn Abbasi (r.a.), rendi pas sahabëve të ditur që ishin gjallë. Këtë përpjekje e tregon vetë ai:

“Nëse dëgjoja se ndonjë sahab dinte ndonjë hadith të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), shkoja menjëherë te shtëpia e tij. Nëse ishte koha kur ai ishte në gjumin e drekës, qëndroja para derës së shtëpisë së tij, e vendosja rrobën time në pragun e derës, e mbështesja kokën aty dhe prisja. Shpeshherë mbulohesha nga pluhuri që sillte era. Po të kërkoja leje, ai do të më jepte, por unë veproja kështu për ta lartësuar atë. Kur dilte nga shtëpia dhe më shikonte në atë gjendje, më thoshte: “O djali i xhaxhait të të Dërguarit të Allahut! Përse ke ardhur? Po të më lajmëroje, mund të vija unë te ti.” Nisur nga këto fjalë, edhe unë i thosha:

“Njeriu duhet të shkojë te këmbët e dijes. Dija nuk shkon te këmbët e askujt.” Pastaj e pyesja për hadithin që desha të mësoja, merrja përgjigjen dhe kthehesha.”

* * *

Abdullah ibn Abbasi (r.a.), mori begati nga burimi i profecisë që në moshë të vogël dhe transmetoi rreth 1660 hadithe fisnike. Ibn Abbasi (r.a.), jepte mësime në mënyrë të veçantë çdo ditë në fushat e Tefsirit, Hadithit, Fikhut, Historisë Islame dhe Letërsisë. Ndërsa pas namazeve mbante vaza dhe jepte këshilla. Abdullah ibn Mes’udi (r.a.), ka thënë në lidhje me të: “Sulltanu’l-Mufessirin / Sulltani i komentuesve të Kuranit”.

* * *

Për shkak se Abdullah ibn Abbasi (r.a.), kishte dije të madhe dhe perceptim të gjerë, u bë këshilltari i kalifëve të drejtë. Kur Omeri (r.a.), kishte ndonjë çështje për të zgjidhur, thërriste Abdullah ibn Abbasin (r.a.), së bashku me sahabët e tjerë të mëdhenj. Atij i jepte vlerë të madhe dhe e ulte në një vend afër vetes. Kur e pyesnin Omerin (r.a.), për shkakun se pse e respektonte atë njësoj si sahabët e moshuar, ai përgjigjej:

“Padyshim se Ibn Abbasi është në një moshë të pjekur. Ai ka një gjuhë që pyet shumë dhe një zemër që percepton jashtë mase.”

* * *

Abdullah ibn Abbasi (r.a.), e ka parë Xhebrailin, alejhi’s-selam, në audiencën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Babait të tij i tha: “Unë po shoh një burrë te i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Edhe Abbasi (r.a.), e pyeti Pejgamberin tonë të nderuar:

“O i Dërguari i Allahut! Biri im akoma thotë se te ti ishte një burrë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), tha:

“Po, ai që ka parë (djali yt) ishte Xhebraili. Ata që e shohin Xhebrailin përveç profetëve, verbohen. Lus Allahun që verbimin ta ketë në fund të jetës.” Me të vërtetë, Ibn Abbasi (r.a.), u verbua në fund të jetës.

* * *

Ibn Abbasi një ditë ishte ulur në kafshë pas të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Ata të dy po shkonin diku së bashku. Ai foli rreth rregullave të pavdekshme në lidhje me besimin ndaj Allahut dhe kaderin. Neve asnjëherë nuk mund të na shkojnë ndërmend gjëra të tilla. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i tha atij me një gjuhë të ëmbël se duhet t’i dinte ato, pastaj i dha këto këshilla:

“Bir! Po të mësoj disa fjalë. Zbatoji (dispozitat) e Allahut, në mënyrë që ta gjesh pranë Atë. Kënaqe Allahun në kohë mirëqenieje, në mënyrë që edhe Ai të të kënaqë ty në kohë të vështira.

Dije se një gjë që s’do të të ndodhë sipas caktimit hyjnor, ajo s’do të të ndodhë. Ndërsa prej një gjëje që do të të ndodhë (sipas caktimit hyjnor), nuk ke shpëtim.

Dije se ndihma hyjnore vjen me durim. Ndërsa pikëllimi i zemrës vjen me brengosjen. Në çdo vështirësi ka edhe një lehtësim.”

* * *

Abdullah ibn Abbasi (r.a.), ngrihej në mes të natës dhe qante nga frika prej Allahut Teala. Ai derdhte aq shumë lot, saqë lotët i kishin lënë gjurmë në faqet e tij.

Abdullah ibn Abbasi (r.a.), ndërroi jetë në Taif në vitin 68 hixhri.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Disa fjalë të tij të vyera dëshiroj t’i transmetoj duke shpresuar që të na ndriçojnë horizontin tonë.

Lus Zotin (xh.xh.), që të na e mundësojë të përfitojmë nga këto fjalë të vyera e mësimdhënëse të Ibn Abbasit (r.a.)! Allahu na bashkoftë në xhenet me Sulltanin e mufesirëve, Abdullah ibn Abbasin! Amin!

  • Baza e punëve tuaja është feja
  • Stolia juaj është dija.
  • Mbrojtësi juaj prej gabimeve është edukata.
  • Besnikëria është gjëja që ju lidh me njëri-tjetrin.
Share.

Comments are closed.