Abbasi (r.a.), ishte xhaxhai i të Dërguarit të Allahut (a.s.)… Ai ishte biri i fundit i Abdulmuttalibit… Ishte më bujari i kurejshve dhe njeriu që fitoi lavdërimin e tyre në formën: “Respektuesi më i madh i lidhjeve farefisnore.” Abbasi (r.a.), ishte një njeri i pjekur që njihej me sigurimin dhe shërbimin e ujit për haxhilerët (Saku’l-Haramejn)… Ai ishte sahabi që bëri hixhret më i fundit para çlirimit të Mekës…

I Dërguari i Allahut (a.s.), e donte shumë xhaxhanë e tij, Abbasin (r.a.). Ndërmjet tyre kishte tri vite diferencë. Fëmijërinë e kaluan së bashku. Ai u rrit në Mekë së bashku me Profetin (a.s.). Ata u rritën si dy fëmijë të së njëjtës moshë dhe si dy të rinj të së njëjtës familje. Për këtë arsye, Pejgamberi ynë i Nderuar e respektonte Hz. Abbasin duke thënë: “Xhaxhai për njeriun është si babai.”

Abbas ibn Abdulmuttalibi u preokupua më tregti që në vitet e rinisë dhe u bë shumë i pasur. Ai kreu detyrat si riparimi i Qabesë dhe shërbimi i ujit e ushqimit ndaj haxhilerëve. Abbasi (r.a.), e mbrojti të Dërguarin e Allahut (a.s.), kundrejt mushrikëve. Akoma nuk ishte bërë mysliman, por prapë se prapë e ndihmonte të Dërguarin e Allahut (a.s.), që ta predikonte Islamin. Gjithmonë e mbronte atë. Në besatimin e fundit të Akabesë, Ensarët e patën ftuar Profetin (a.s.), në Medine. Kur xhaxhai i Pejgamberit, Abbasi e dëgjoi këtë lajm, u tha medinasve:

“O medinas! Ky është djali i vëllait tim. Ai është njeriu që e dua më shumë prej të gjithëve. Nëse dëshironi t’u besoni atyre që ka sjellë nga Allahu dhe ta merrni me vete, duhet të më jepni një premtim që më bind.

Siç e dini, ne e kemi mbrojtur atë kundrejt politeistëve. Ai ka jetuar ndërmjet nesh me krenari dhe nder. Krahas kësaj, ai ju ka zgjedhur ju. Nëse do ta mbroni nga armiqtë, kjo do të ishte shumë mirë për ju. Por nëse keni për ta lënë vetëm, hiqni dorë që tani.”

Kjo ishte ndjenja momentale që mund të kishte një xhaxha për birin e vëllait…

Abbasi (r.a.), me këto fjalë donte të merrte garanci nga medinasit për sigurinë e nipit të tij të shtrenjtë dhe të testonte sinqeritetin e tyre. Nisur nga këto fjalë, myslimanët medinas thanë: “Ne do ta mbrojmë të Dërguarin e Allahut me pasurinë dhe jetën tonë. Do ta mbajmë këtë premtim.” Në këtë mënyrë dhanë premtimin dhe besën e tyre.

Abbasi u detyrua që të gjendej në rreshtat e politeistëve në luftën e Bedrit. Ai u kap rob në këtë luftë. Të Dërguarit të Allahut (a.s.), i erdhi shumë rëndë që xhaxhai i tij ta kalonte natën me robërit e luftës. Për këtë arsye, atë natë nuk fjeti dot. Kur e pyetën se pse nuk po flinte, u përgjigj: “Dëgjova rënkimin e Abbasit të lidhur me litarë…” Kur dëgjuan këtë fjalë, njëri prej sahabëve shkoi dhe ia zgjidhi litarët Abbasit. Akoma nuk kishte zbritur ndonjë dispozitë në lidhje me robërit. Pasi Resulullahu (a.s.), u konsultua me sahabët, u vendos që robërit të liheshin të lirë në shkëmbim të një vlere. Pejgamberi i Zotit i tha xhaxhait të tij, Abbasit:

“Paguaj shkëmbimin për vete, birin e vëllait tënd Ukajlin dhe Neufelin.” Ai i tha:

“Nuk kam asgjë tjetër përveç dërhemëve që keni marrë si plaçkë të luftës.”

I Dërguari i Allahut (a.s.), mendoi se kishte arritur një mundësi për t’ia ngrohur zemrën xhaxhait ndaj Islamit. Për këtë arsye, shfaqi një mrekulli duke i thënë:

“Po, ata florinjtë! Florinjtë që i ndave dhe ia le bashkëshortes tënde ditën kur dole nga Meka dhe i the: <<-Nëse nuk kthehem dot, kaq janë të tutë, kaq të Fadilit, kaq të Abdullahut, kaq të Ubejdullahut dhe kaq të Kusemit!..>>” Abbasi mbeti i habitur dhe tha:

“Betohem se nuk kam pasur asnjë pranë kur ia kam dhënë asaj ata florinj. Nga e di këtë?” I Dërguari i Allahut (a.s.), iu përgjigj:

“Më njoftoi Allahu Teala.”

Abbasi nuk dinte çfarë të thoshte kundrejt kësaj mrekullie. Atij iu shtua edhe më shumë admirimi dhe habia kundrejt nipit të tij. Në këtë mënyrë ia ndriçoi edhe drita e besimit zemrën. Ai tha menjëherë shehadetin dhe u nderua me Islamin. I Dërguari i Allahut (a.s.), e këshilloi që ta mbante të fshehtë pranimin e Islamit dhe të kthehej në Mekë.

* * *

Resulullahu (a.s.), i dha një detyrë atij për ta kryer në Mekë. Ai do të sillte informacione dhe do t’i ndihmonte myslimanët që gjendeshin aty. Hazreti Abbasi ishte prej të parëve të kurejshve. Ai do ta përdorte për myslimanët ndikimin dhe influencën që kishte atje dhe në këtë mënyrë do t’i shërbente Islamit. Ai do ta përgatiste Mekën për çlirim.

Kështu, u përpoq për ta realizuar këtë qëllim. Krahas të gjitha vështirësive, nuk e la Mekën dhe qëndroi me vendosmëri. Por dashuria ndaj të Dërguarit të Allahut (a.s.), e dogji dhe e përvëloi. Tashmë kishte arritur deri në atë gjendje, saqë nuk e duronte dot ndarjen nga Pejgamberi (a.s.). Pas një kohe i dërgoi letër Resulullahut (a.s.) dhe e njoftoi se dëshironte të shkonte pranë tij. Pejgamberi ynë i nderuar iu përgjigj:

“Xhihadi në vendin ku gjendesh është më i mirë dhe më i frytshëm.”

Hazreti Abbasi pas kësaj përgjigjeje e vazhdoi detyrën e tij me të njëjtën dashuri e pasion. Pak kohë para çlirimit të Mekës bëri hixhret në Medine. Bazuar në hadithin: “Nuk ka hixhret pas çlirimit.”, ai u bë sahabi i fundit që bëri hixhret.

Ditën e çlirimit të Mekës gjendej pranë të Dërguarit të Allahut (a.s.). Abbasi (r.a.), u përpoq shumë në mënyrë që Meka të çlirohej pa derdhur gjak. Me përpjekjet që dha para edhe pas çlirimit, realizoi shërbime të mëdha.

Abbasi (r.a.), ishte trupmadh dhe kishte zë të fortë. Ai i mblodhi sahabët që u shpërqendruan në luftën e Hunejnit, me zërin e tij të fortë. I Dërguari i Allahut (a.s.), i pati thënë: “O Abbas! Thirru atyre duke u thënë: “O populli i Ensarëve! O ju që keni dhënë besën!..” Pas një kohe të shkurtër sahabët u mblodhën përsëri dhe u zhvilluan beteja të përgjakshme. Shumica e ushtarëve të armiqve u vranë. Një pjesë e tyre u kapën rob.

* * *

Ai ishte një sahab shumë i qëndrueshëm dhe i vendosur. Gjithmonë e ruante gjakftohtësinë kundrejt ngjarjeve. Kur ndërroi jetë i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, u përpoq bashkë me Ebu Bekrin (r.a.), për t’i qetësuar sahabët. Abbasi (r.a.), shkoi në xhami dhe tha:

“O njerëz! A e keni dëgjuar ndonjëherë të Dërguarin e Allahut (a.s.), që të thotë: “Unë nuk do të vdes.”

Sahabët iu përgjigjën:

“Jo, nuk e kemi dëgjuar.” Pastaj u kthye nga Omeri (r.a.) dhe i tha:

“O Omer! A ka ndonjë gjë që di në lidhje me këtë çështje?” Edhe ai u përgjigj:

“Jo.” Nisur nga kjo përgjigje, Abbasi (r.a.), tha:

“Betohem në Allahun se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka ndërruar jetë, sepse Allahu Teala thotë:

“Sigurisht që ti (o Muhamed) do të vdesësh një ditë e sigurisht se edhe ata do të vdesin. Pastaj, në Ditën e Gjykimit ju do të merreni në llogari para Zotit tuaj!” (Zumer, 30-31)

Abbasi (r.a.), arriti t’i qetësonte sahabët me këto fjalë. Ndërsa nga ana tjetër u preokupua me çështjet e xhenazes. Aliu, Ebu Bekri, Abbasi dhe bijtë e tij (r.anhum), e përgatitën të Dërguarin e Allahut (a.s.), me aromë misku. Në varr zbriti xhaxhai i tij, Abbasi (r.a.) dhe e vendosi trupin e bekuar të Pejgamberit në shtëpinë e xhenetit (varr).

* * *

Abbasi (r.a.), duhej dhe respektohej nga të gjithë. Omeri, Osmani dhe të gjithë të tjerët ngriheshin në këmbë kur vinte ai. Një herë Omeri (r.a.), dëshironte të zgjeronte Xhaminë e Profetit. Kur i tha Abbasit se donte t’i blinte shtëpinë, Abbasi (r.a.), e fali menjëherë shtëpinë. Ai ishte shumë bujar. Gjithmonë lironte skllevër dhe ua plotësonte nevojat të afërmve. Abbasi (r.a.), dha shumë ndihmë për armatimin e ushtrisë islame që do të luftonte kundër Bizantit.

Në kohën e Omerit (r.a.), pati thatësirë. Njerëzit dolën për të bërë lutjen e shiut. Hz. Omeri kapi dorën e djathtë të Abbasit (r.a.) dhe iu përgjërua Zotit: “O Allah! Kur ishte Pejgamberi gjallë, e bënim atë ndërmjetësues… O Zot! Sot po bëjmë ndërmjetës xhaxhain e të Dërguarit Tënd. Kërkojmë shi prej Teje! Na mëshiro!..”

Akoma pa mbaruar ky përgjërim dhe kjo lutje, Allahu Teala e dërgoi mëshirën e Tij me shiun që binte furishëm. Sahabët e nderuar e përqafuan Abbasin (r.a.) dhe e shfaqën dashurinë kundrejt tij duke i thënë: “Urime, o shërbyesi i ujit në haramejn…”

Abbasi (r.a.), ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare në Medinetu’l-Munevvere përgjatë kalifatit të Osman ibn Affanit (r.a.). Namazin e xhenazes ia fali Osmani (r.a.). Pastaj u varros në varrezat Xhennetu’l-Baki.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Zoti na e mundësoftë edhe neve të bëjmë shërbime të dobishme si Abbasi (r.a.) dhe të bëhemi robër të qëndrueshëm e bujarë si ai! Allahu na bashkoftë me të në xhenet! Amin!

Share.

Comments are closed.