Prof. Dr. M. Jashar Kandemir

Allahu Teala ka urdhëruar të sillemi mirë ndaj prindërve. Nisur nga kjo:

Të gjithë duhet të sillen mirë ndaj prindërve dhe të jenë mirënjohës kundrejt tyre.

Nëse njëri prej tyre apo që të dy plaken pranë fëmijëve të vet, fëmijët nuk duhet t’u thonë as “of!”

Nuk duhet t’i qortojnë.

Duhet t’u thonë fjalë të buta dhe të mira.

Duhet t’ua hapin krahët me dhembshuri dhe të luten ashtu siç na mëson Allahu Teala në Kurani Fisnik:

“O Zot! Mëshiroji ata siç më rritën duke u përkujdesur për mua kur isha i vogël!”

Allahu Teala njofton se dikur mori premtimin prej Beni Israilëve, se ata do të silleshin mirë ndaj prindërve.

I Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, nën dritën e këtyre ajeteve fisnike, ka bërë disa paralajmërime të rëndësishme në lidhje me çështjen e bindjes dhe mirësisë ndaj prindërve:

“Njëra prej gjërave që e gëzon shumë Allahun Teala, është mirësia dhe bindja e njeriut ndaj prindërve të tij.”

“Një fëmijë nuk mund ta paguajë kurrë hakun e babait, përveçse në një rast: Nëse e gjen babanë e tij rob, e blen dhe e liron atë.”

Haku i nënës

Nënat i mbartin fëmijët në barqet e tyre duke hequr vuajtje të mëdha dhe i sjellin në këtë botë me shumë vështirësi. Haku i nënës është i pamundur të paguhet, ngaqë rritja dhe edukimi i fëmijës nuk është më pak i vështirë se mbartja e tij në bark.

Një burrë erdhi te i Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem dhe e pyeti:

-Ndaj kujt duhet të sillem më mirë dhe t’i shërbej më shumë?

-Nënës tënde!

-Po pas saj, ndaj kujt?

-Nënës tënde!

-Po pas saj?

-Përsëri ndaj nënës tënde?

-Po pas nënës sime?

-Babait tënd!

Në këtë mënyrë, i Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, ka treguar se haku i nënës është aq i madh, saqë nuk mund të matet me asnjë tjetër.

Edhe nëse nëna nuk është myslimane, fëmijët e kanë për detyrë ta respektojnë dhe të sillen mirë ndaj saj.

Nëna e vajzës së Ebu Bekrit, pra nëna e Esmasë, akoma nuk e kishte pranuar Islamin.

Gruaja e shkretë shkoi një ditë për të vizituar vajzën e saj. Esmaja, radijallahu anha, nuk po dinte çfarë të bënte. Nëna e saj ishte adhuruese e idhujve. Vallë, a ishte e drejtë ta merrte brenda atë?

Shkoi te i Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem dhe e pyeti:

“Nënën e kishte marrë malli për mua dhe ka ardhur te shtëpia ime. A mund ta nderoj atë?” I Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, i tha:

“Po! Sillu mirë ndaj nënës tënde!”

Sahabi i nderuar, Harithe bin Nu’mani sillej shumë mirë ndaj nënës së tij. Një ditë i Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, pa një ëndërr. Ndodhej në xhenet dhe Harithe ishte aty duke lexuar Kuran.

Pasi ua tregoi sahabëve të nderuar ëndrrën, u shpreh: “Ja, kjo është mirësia.” Pastaj tha se Harithe, radijallahu anhu, e ka fituar xhenetin, për shkak se është sjellë mirë ndaj nënës.

Gjysma e nënës

Një burrë i tha të Dërguarit të Allahut, sallallahu alejhi ve sellem:

-O i Dërguari i Allahut! Kam bërë një mëkat të madh. A më pranohet pendimi, nëse pendohem?

I Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, e pyeti:

-A i ke prindërit?

-Jo, nuk i kam.

-A ke teze?

-Po, kam.

-Atëherë, sillu mirë ndaj saj!

Në këtë mënyrë, i Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, tha se njeriu mund të shpëtojë nga mëkati duke u sjellë mirë ndaj tezes, e cila është “gjysma e nënës”, nëse nuk i ka prindërit.

Duhet t’i gëzojë ata

Prindërit janë garancia e xhenetit për fëmijët dhe shkak që ata të hyjnë në xhenet nga dera kryesore.

I Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, ka thënë tri herë: “U shkatërroftë!”, për atë pranë të cilit prindërit arrijnë ditët e pleqërisë dhe ai nuk mund të hyjë në xhenet. Po ashtu, është shprehur se fëmijët që nuk i gëzojnë prindërit në periudhën e fundit të jetës së tyre, janë në një humbje të madhe.

Një sahab erdhi te i Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem dhe i kërkoi leje për xhihad. Hazreti Pejgamberi (s.a.s.), e pyeti:

-A i ke gjallë prindërit?

-Po, që të dy janë gjallë.

-Atëherë shko dhe përpiqu t’u shërbesh atyre!

Në këtë mënyrë, i Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, tregoi se shërbimi ndaj prindërve është më i vlefshëm se xhihadi nafile.

Dikush tjetër i tha të Dërguarit të Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, se kishte ardhur të luftonte bashkë me Të apo të shpërngulej te Ai duke i lënë prindërit me lot në sy. Pejgamberi, alejhi’s-selam, i tha:

“Menjëherë kthehu pranë prindërve dhe gëzoji, siç i ke bërë të qajnë!”

Të gjitha këto ngjarje tregojnë këtë:

Ai që i gëzon prindërit, fiton kënaqësinë e Allahut Teala. Ndërsa ai që i zemëron prindërit, tërheq zemërimin e Allahut të Madhëruar.

Prindërit nuk duhet të kundërshtohen

Kundërshtimi i prindërve është një mëkat shumë i madh.

Kur i Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, foli rreth mëkateve më të mëdha, së pari përmendi kundërshtimin ndaj Allahut të Madhëruar dhe pastaj kundërshtimin ndaj prindërve.

Po, mëkati më i madh prej mëkateve të mëdha është adhurimi i diçkaje tjetër për zot, përveç Allahut dhe mosrespektimi i prindërve.

Një ditë, i Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, tha se ofendimi dhe mallkimi i prindërve prej fëmijëve të tyre janë prej mëkateve të mëdha.

Sahabët u habitën nga kjo dhe i thanë:

-Si mund t’i ofendojë dikush prindërit e tij?

I Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, u përgjigj:

“Vjen dhe ofendon babain e dikujt tjetër. Edhe ai ia ofendon babanë. Ofendon nënën e dikujt. Edhe ai ia ofendon nënën e atij.” Në këtë mënyrë, ka ofenduar prindërit e tij.

I Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve selem, e përdorte shumë pak mallkimin, por megjithkëtë, tha:

“Allahu e mallkoftë atë që mallkon prindërit e tij.”

Hazreti Pejgamberi, alejhi’s-selam, na ka mësuar:

Allahu i Madhëruar e ka ndaluar kategorikisht mosbindjen ndaj prindërve.

Ja pra, për këtë arsye nuk mund të hyjnë në xhenet ata që i kundërshtojnë prindërit e tyre.

Pas vdekjes së prindërve

Detyrat e fëmijëve kundrejt prindërve të tyre nuk mbarojnë edhe pas vdekjes. Kanë detyra të tjera edhe pasi ata t’i japin lamtumirën jetës së kësaj bote.

Një sahab e pyeti të Dërguarin e Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, për këtë:

-A ka ndonjë mirësi që mund ta bëj për prindërit pasi ata të ndërrojnë jetë?

Hazreti Pejgamberi, alejhi’s-selam, iu përgjigj:

-Po, duhet të lutesh për ta dhe të kërkosh (nga Allahu) që t’ua falë mëkatet e tyre,

Të zbatosh porositë  e tyre,

Të mbrosh të afërmit e tyre dhe

Të nderosh miqtë e tyre.”

Fëmijët duhet të sillen mirë ndaj mikut të babait, madje edhe ndaj familjes së tij. Duhet t’i mbrojnë dhe t’i ndihmojnë ata.

I Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, e ka cilësuar këtë si mirësinë më të vlefshme.

Si duhet të lutemi për prindërit? 

Kurani Fisnik na mëson se si duhet të lutet një fëmijë për prindërit e tij:

“O Zot! Mëshiroji ata siç më rritën duke u përkujdesur për mua kur isha i vogël!”

“O Zot! Më fal mua, prindërit e mi dhe besimtarët ditën kur do të jepet llogari!”

Fëmija duhet të japë sadaka për prindërit e tij pasi ata të ndërrojnë jetë. Sevapet e mirësive që bëhen për ta, do t’u shkojnë shpirtrave të tyre.

 

Share.

Leave A Reply