Ebu Ejjub el-Ensariu (r.a.), ishte sahabi që priti në shtëpinë e tij si mysafir të Dërguarin e Allahut (s.a.s.)… Ai është roja shpirtëror i Stambollit… Ky mysafir fisnik për Stambollin, pra, Ebu Ejjub el-Ensariu (r.a.), ishte prej Ensarëve dhe i përkiste fisit Hazrexh. Emri i tij është Halid. Ndërsa llagapi i tij është Ebu Ejjub.

Ebu Ejjubi (r.a.), u bë mysliman në Akabe, dy vite para hixhretit. Kur i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, bëri hixhret në Medine, Ebu Ejjubi (r.a.), pati mirësinë ta priste atë si mysafir në shtëpinë e tij për shtatë muaj. Ebu Ejjub el-Ensariu (r.a.), i nderonte edhe ata që vinin të vizitonin Pejgamberin tonë të nderuar. Ai përgatiste sofrat për sahabët. Në këtë mënyrë, i shërbeu Pejgamberit (a.s.), me dashuri dhe kënaqësi. Për këtë arsye, fitoi lutjen dhe dashurinë e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).

Ebu Ejjubi (r.a.), tregon: “Në mbrëmje e përgatisnim ushqimin dhe ia jepnim të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Kur i kthente enët e ushqimit, unë dhe bashkëshortja ime, Fatimja kërkonim vendet që ishin prekur nga gishtat e bekuar të Resulullahut (s.a.s.). Pastaj hanim prej atyre vendeve dhe shpresonim begati nga Allahu Teala. Një herë përgatitëm ushqim me hudhër dhe ia çuam. Kur enët u kthyen, pamë se i Dërguari i Allahut nuk e kishte ngrënë atë. Unë u bëra kureshtar dhe u shqetësova. Prandaj shkova te i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Ne shpresonim begati nga Allahu duke ngrënë prej gjurmëve të gishtave dhe prej ushqimit që kishte mbetur nga ju. Këtë herë nuk paskeni ngrënë!” Resulullahu, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, më tha:

“Unë jam i preokupuar me lutje dhe ibadet. Andaj nuk desha që t’i mundoja engjëjt. Ushqimi kishte erë hudhre. Për këtë arsye nuk e hëngra. Ju mund ta hani.”

Ebu Ejjub el-Ensariu (r.a.), e shfaqi dashurinë dhe nënshtrimin e tij ndaj Pejgamberit tonë të nderuar duke i thënë: “Edhe mua nuk më pëlqen ajo që nuk ju pëlqen juve.” Për këtë arsye, nuk hëngri më hudhër deri në fund të jetës së tij.

Ja pra, Figurat e Epokës së Lumturisë ishin të lidhura ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), me një dashuri të tillë. Rregulli i jetës dhe shembulli i vetëm i tyre ishte Resulullahu (s.a.s.). Zbatimi i Sunetit dhe ndjekja e gjurmëve të Pejgamberit (a.s.), ishin baza absolute për ta.

* * *

Sahabët e nderuar e donin aq shumë të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), saqë nuk duronin të binte mbi të qoftë edhe një pendë zogu. Ata përpiqeshin me mish e me shpirt që të mos shfaqnin ndonjë mangësi në shërbimin ndaj Profetit të Zotit. Për këtë arsye, asnjëherë nuk i ndanë sytë prej tij. Ky veprim i mëposhtëm i Ebu Ejjub el-Ensariut (r.a.), përbën shembullin më të mirë për këtë:

Një ditë Ebu Ejjub el-Ensariu (r.a.), po qëndronte me të Dërguarin e Allahut, alejhi’s-selam. Në mjekrën e bekuar të Pejgamberit (s.a.s.), ra një pendë zogu. Ebu Ejjubit (r.a.), nuk i erdhi mirë për këtë. Menjëherë kërkoi leje dhe e mori atë pendë. Pejgamberi ynë i dashur u gëzua jashtë mase nga ky veprim i Ebu Ejjubit (r.a.). Për këtë arsye, u lut:

“O Ebu Ejjub! Këtej e tutje inshallah nuk të bie asnjë gjë e keqe! Allahu Teala të ruajt nga gjërat që nuk të pëlqejnë!”

* * *

Ebu Ejjub el-Ensariu (r.a.), kishte një jetë të mbushur plot me shërbim, dashuri dhe xhihad ndaj fesë. Ai ishte shumë trim, durimtar, i devotshëm, luftëtar dhe hero. Asnjëherë nuk rendi pas pasurisë apo pozitës. Dëshira e tij e madhe ishte që të rendte nga xhihadi në xhihad dhe të binte dëshmor. Ai mori pjesë në të gjitha luftërat deri në periudhën e Muavijes. Dy herë u nis nga Medina në Stamboll për ta çliruar këtë të fundit.

Ebu Ejjubi (r.a.), përgjatë çlirimit të Hajberit nuk fjeti deri në mëngjes duke qëndruar me shpatë në dorë. Ai bënte roje te çadra e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Kur Pejgamberi ynë i dashur doli në mëngjes nga çadra, pa Ebu Ejjubin (r.a.) dhe i tha: “Çfarë ka ndodhur, o Ebu Ejjub?” Ai iu përgjigj: “O i Dërguari i Allahut! U shqetësova se mos të bëjnë ndonjë të keqe ty. Për shkak të këtij shqetësimi nuk fjeta dot.” Ai me këtë veprim nxori në pah edhe një herë tjetër dashurinë dhe besnikërinë që kishte ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).  Resulullahu (s.a.s.), u gëzua pa masë prej kësaj ndjeshmërie dhe u lut për të:

“O Allah! Mbroje në këtë botë dhe në botën tjetër Ebu Ejjubin i cili u përpoq të më mbronte duke qëndruar pa gjumë dhe duke bërë roje deri në mëngjes!”

* * *

Ebu Ejjub el-Ensariu (r.a.), e kaloi jetën e tij gjithmonë në xhihad. Kur e pyetën: “Përse ia ke dedikuar veten xhihadit?”, ai iu përgjigj: “Unë kam lexuar urdhrin e Allahut Teala i cili thotë: “Dilni në luftë, qofshi të shëndoshë ose të sëmurë dhe luftoni me pasurinë e jetën tuaj në rrugën e Allahut! Kjo është më mirë për ju, veç sikur ta dinit!” (Teube, 41) Tashmë nuk ka mundësi që ta lë luftën.

Ai u nis nga Medina dhe bëri udhëtime shumë të mundimshme për të zbatuar këtë urdhër të Zotit (xh.xh.) dhe për të fituar lavdërimin e përgëzimin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), i cili ka thënë: “Sa ushtri e mirë është ajo ushtri që çliron Stambollin.” Ai bëri dy udhëtime që zgjasnin tre muaj shkuarje dhe tre muaj ardhje, kaloi male, lugina dhe shkretëtira në kurriz të kalit dhe shkoi para mureve rrethuese të Stambollit.

Ebu Ejjub el-Ensariu (r.a.), në udhëtimin e fundit doli nën komandën e Jezidit në moshën tetëdhjetë vjeçare. Kur ushtria arriti në Stamboll, Ebu Ejjubi u sëmur. Kur komandanti e dëgjoi se Ebu Ejjubi (r.a.), ishte vendosur në një çadër dhe se gjendja po i përkeqësohej, shkoi për ta vizituar dhe e pyeti për dëshirën e fundit. Ebu Ejjub el-Ensariu ia shprehu dëshirën siç vijon:

“Më shpjer sa më thellë që të kesh mundësi në tokën e armiqve dhe më varros aty, sepse unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), duke thënë: “Pranë mureve të Kostantinijes do të varroset një njeri i devotshëm.” Shpresoj që ai njeri të jem unë.”

Sa ideal i lartë!.. Sa dashuri e madhe!.. Sa qëllim sublim dhe i sinqertë!..

O Zoti ynë! Na e jep edhe neve këtë ideal të lartë, këtë qëllim sublim dhe këtë dashuri të madhe!..

Na i mbush zemrat me dashurinë ndaj të Dashurit Tënd dhe na bëj besimtarë të mbushur plot me shpirtin e xhihadit!.. Na bashko edhe ne nën flamurin e të Dërguarit Tënd!..

Allahu i Lartësuar na bashkoftë me të në xhenet!

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Allahu Teala na e mundësoftë t’i duam ata që i do Ai, të mos i duam ata që nuk i do Ai dhe të arrijmë kënaqësinë e Tij! Amin!

Share.

Comments are closed.