Kjo kauzë kërkon njeri të edukuar. Pra, kërkon një njeri të pajisur me fuqi të madhe, moral të lartë, të vendosur, guximtar, të qëndrueshëm dhe të besueshëm…

Në çdo periudhë është kërkuar njeriu besnik. Në çdo fushë të jetës është ndjerë nevoja për njeriun e tillë. Në udhëheqje, në arsim, në predikim… Në kryerjen e një shërbimi dhe në mbajtjen e një amaneti… Për kryerjen e punës, për mbajtjen e premtimit, për mbajtjen e sekretit… Gjëja  parë që kërkohet te njeriu, është besnikëria.

Mbartja e Islamit nëpër breza dhe sigurimi i bashkimit të umetit janë realizuar nga njeriu i besueshëm. Për këtë arsye, që nga Epoka e Lumturisë e deri më sot, gjithmonë është ndjerë përmallim për njeriun e besueshëm. Përgjatë gjithë historisë është ndjerë nevoja veçanërisht për njerëz të besueshëm.

Edhe Hazreti Omeri (r.a.), e ka kërkuar këtë lloj njeriu me të njëjtin mallëngjim. Kur një ditë në periudhën e kalifatit të tij po qëndronin në një shtëpi, u tha të pranishmëve: “Kërkoni dhe shprehni një dëshirë!” Njëri prej tyre tha: “Do të doja ta kisha këtë shtëpi plot me florinj dhe ta jepja në rrugë të Allahut.” Hz. Omeri tha: “Kërkoni edhe më shumë!” Një tjetër tha: “Do të doja ta kisha këtë shtëpi plot me perla, smeralde dhe rubinë dhe ta jepja në rrugë të Allahut. Këtë dëshiroj.” Kur Omeri (r.a.), tha: “Kërkoni edhe më shumë!”, ata thanë: “Nuk po e kuptojmë dot se çfarë dëshiron të thotë Emiru’l-Mu’minin/Udhëheqësi i Besimtarëve me këto fjalë.” Nisur nga kjo, Omeri, radijall-llahu anh, tha:

“Unë dëshiroj që kjo shtëpi të ishte e mbushur plot me burra si Ebu Ubejde ibn Xherrah.”

* * *

Pejgamberi ynë i dashur ka thënë për Ebu Ubejde ibn Xherrahun (r.a.): “Çdo umet ka besnikun e tij. Ndërsa besniku i këtij umeti është Ebu Ubejde.”

Andaj, edhe ne le të kërkojmë burra pikërisht si Omeri (r.a.). Pra, burra të besueshëm. Burra të cilëve u besojnë miqtë dhe armiqtë, burra që nuk kanë gënjyer qoftë edhe një herë në jetën e tyre, burra që nuk ia kanë shkelur të drejtat askujt, burra të ndershëm dhe punëtorë… Njerëzimi ka nevojë për burra të tillë… Umeti po i pret njerëzit që i posedojnë këto cilësi…

Edhe myslimanët, edhe të krishterët, edhe politeistët i presin me mallëngjim këta lloj burrash. Shikoni! Tregon Muhamed ibn Xhaferi:

Te i Dërguari i Allahut (s.a.s.), erdhi një grup njerëzish të krishterë dhe i thanë:

“O Ebu’l-Kasim! K rënë në mosmarrëveshje për ndarjen e pasurive tona. Na dërgo një njeri të besueshëm që të gjykojë ndërmjet nesh në këtë çështje. Ne kemi konsideratë të lartë për ju.”

Resulullahu, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, thirri Ebu Ubejde ibn Xherrahun (r.a.) dhe i tha: “Shko bashkë me ata dhe gjyko me drejtësi në çështjet që nuk pajtohen.”

Ebu Ubejde ibn Xherrahu (r.a.), ishte njeri asket dhe i devotshëm. Ai ishte shumë i butë kundrejt njerëzve. Përgjatë periudhës kur ishte prefekt në Sham, atje shkoi edhe Emiru’l-Mu’minin, Omeri (r.a.). Ai shkoi në shtëpinë e Ebu Ubejde ibn Xherrahut (r.a.). Aty nuk pa gjë tjetër përveçse një copë dhe një enë uji prej lëkure. Për këtë arsye, e pyeti: “Ku janë orenditë e tua? Ti je prefekt. A nuk ke gjë për të ngrënë? Ebu Ubejde solli torbën prej hasre dhe e hapi. Prej saj dolën vetëm disa kafshata. Kur kalifi e pa këtë gjendje, i dolën lot gëzimi nga sytë dhe i tha:

“O vëllai im, Ebu Ubejde! Kjo botë i ka ndryshuar të gjithë. Vetëm ty nuk të ka mundur të ndryshojë.”

* * *

Ishte viti i dhjetë i hixhretit. Kur po kërkonin një burrë të besueshëm për të marrë dhe për të sjellë taksën e të krishterëve të Nexhranit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), dërgoi Ebu Ubejde ibn Xherrahun (r.a.), duke thënë: “Ky është besniku i umetit.”

Pasi Pejgamberi ynë i dashur u shpërngul në botën e përtejme, një prej problemeve më të mëdha të myslimanëve ishte zgjedhja e kalifit. Sahabët e nderuar të cilëve nga njëra anë u digjej zemra për ndarjen nga mesi i tyre i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), në anën tjetër përpiqeshin të ruanin unitetin. Ensarët u mblodhën në konakun e Beni Saides dhe po thoshin: “Ne e kemi ndihmuar të Dërguarin e Allahut. Muhaxhirët janë strehuar te ne. Andaj, kalifi duhet të zgjidhet prej nesh.”

Ebu Bekri (r.a.), Omeri (r.a.) dhe Ebu Ubejde ibn Xherrahu (r.a.), të tre bashkë shkuan te konaku i Beni Saides. Ata mbajtën nga një fjalim. Ebu Ubejde ibn Xherrahu (r.a.), tha:

“O Ensarë! Ju ishit ata që i shërbyet kësaj feje në fillim. Bëni kujdes dhe mos u bëni të parët që e prishni këtë punë.” Pastaj kapi për dore Ebu Bekrin, radijall-llahu anh dhe i dha besën. Pas tij e dhanë besën edhe sahabët e tjerë. Në këtë mënyrë u parandalua një rrëmujë e madhe.

Ebu Ubejde ibn Xherrahu (r.a.), ishte njëri prej dhjetë personave që u përgëzuan me xhenet që në këtë botë. Ndërmjet sahabëve thirrej me llagapin e njohur “Eminu’l-Umme/besniku i umetit”. Ai qe bërë mysliman nëpërmjet Ebu Bekrit (r.a.). Kur u nderua me Islamin, ishte në moshën 31 vjeçare. Që nga ajo ditë, të gjithë jetën ia dedikoi Islamit. Ai u përpoq për ta përhapur Islamin me pasurinë dhe jetën e vet. Ebu Ubejde ishte shumë i thjeshtë, i turpshëm, njeri që i jepte siguri atij që kishte përballë dhe kishte një fytyrë të këndshme. Ai kishte një trup të dobët, të gjatë dhe fytyrë të mprehtë. Kur bëhej fjalë për çështje serioze, shndërrohej menjëherë në një luan që ulërinte.

* * *

Ebu Ubejde ibn Xherrahu (r.a.), nuk u nda asnjëherë nga i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam. Ai mori pjesë në të gjitha luftërat dhe luftoi më heroizëm. Përgjatë luftës së Bedrit u përball me babanë e tij në mejdan. Babai i tij gjendej në rreshtat e politeistëve. Pasi babai e sulmoi, Ebu Ubejde ia preu kokën atij. Kokën e prerë ia çoi të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Hazreti Pejgamberi u gëzua shumë nga ky veprim i Ebu Ubejdes i cili tregonte nënshtrimin e tij ndaj Islamit. Pas kësaj ngjarjeje Allahu Teala zbriti këtë ajet fisnik:

“Nuk gjen njerëz, që besojnë në Allahun dhe në Ditën e Fundit, që të ushqejnë dashuri ndaj atyre, të cilët kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e tij, edhe në qofshin ata etërit e tyre ose bijtë e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre. Allahu ka skalitur besimin në zemrat e tyre dhe i ka fuqizuar ata me shpalljen e Vet. Ai do t’i shpjerë ata në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj e ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ata, por edhe ata do të jenë të kënaqur me Të. Ata janë Pala e Allahut dhe, vërtet që Pala e Allahut do të jetë fituese.” (Muxhadile, 22)

* * *

Ebu Ubejde ibn Xherrahu (r.a.), shfaqi heroizma të mëdha edhe në luftën e Uhudit. Pejgamberi ynë i nderuar i zgjodhi Ebu Ubejde ibn Xherrahun (r.a.) dhe Sa’d ibn Ebi Vakkasin (r.a.), si komandantë të atyre që do të luftonin në rreshtat e parë. Sahabët e nderuar vunë jetën në rrezik dhe e rrethuan të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), për ta mbrojtur atë. Përgjatë luftës shumë prej tyre ranë dëshmorë. Politeistët vazhdonin të sulmonin. Në ato momente, hekuri i përkrenares ia shpoi faqen Resulullahut (s.a.s.). Kur Ebu Ubejde ibn Xherrahu e pa këtë, ia hoqi menjëherë hekurin me dhëmbë. Dy dhëmbët e parë iu thyen. Edhe Pejgamberit (s.a.s.), iu thyen disa dhëmbë.

Ebu Ubejde ibn Xherrahu (r.a.), shfaqi heroizma të mëdha edhe në luftën e Hendekut dhe atë të Hajberit. Kur Ebu Bekri (r.a.), u zgjodh kalif, e emëroi atë kryekomandant. Ai bëri çlirime në anët e Shamit dhe Palestinës. Luftoi me bizantët dhe e shpëtoi Sirinë. Ndërsa Humusin e mori me marrëveshje paqësore.

Në Sham kishte rënë epidemia e murtajës. Edhe Ebu Ubejde (r.a.), u kaplua nga kjo sëmundje. Pasi gjendja iu rëndua, i këshilloi kështu ata që gjendeshin pranë tij:

“Faleni namazin, mbajeni agjërimin, jepni lëmoshë dhe kryejeni haxhin.

Bindjuni dijetarëve dhe të mëdhenjve tuaj. Mos u mashtroni nga kjo botë. Duajeni dhe ndihmojeni njëri-tjetrin.

Njeriu më i mençur është ai që i zbaton urdhrat e Allahut. Të gjithëve po ju lë amanet te Allahu. I lutem Atij që t’ju mëshirojë dhe t’ju japë begati. Eja o Muadh, falja namazin xhematit.” Pas këtyre fjalëve i mbylli sytë në këtë botë të përkohshme.

Ai zgjodhi Muadh ibn Xhebelin (r.a.), si zëvendës të tij. Pasi Muadhi e fali namazin, u kthye nga xhemati dhe tha: “Betohem në Allahun se sot keni humbur një njeri që asnjëherë nuk ka anuar nga kjo botë dhe që gjithmonë e ka ndihmuar popullin e tij. Ai i këshillonte vazhdimisht njerëzit që ta donin njëri-tjetrin. Andaj, bëjani hallall atij.”

Ebu Ubejde ibn Xherrahu (r.a.), ndërroi jetë në moshën 58 vjeçare më 18 hixhri. Varri i tij gjendet në fshatin “Amtan” i cili gjendet pranë lumit Sheria në Jordani.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

E lus Allahun Teala që të na bëjë të gjithëve njerëz të besueshëm si Ebu Ubejde ibn Xherrahu (r.a.)! Zoti (xh.xh.), na bashkoftë me të në xhenet! Amin!

Share.

Comments are closed.