Suhejl ibn Amri (r.a.), ishte një sahab që u shkri në fenë islame dhe u bë mysliman ditën e çlirimit të Mekës kundrejt mëshirës së gjerë, butësisë, tolerancës dhe faljes së të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).

Suhejli ishte prej shkruesve të mëdhenj të kurejshve. Ai ishte një figurë historike që hodhi firmën për kurejshët në marrëveshjen e Hudejbijes dhe që mbante fjalime kundër Resulullahut (s.a.s.)… Por në të njëjtën kohë ishte edhe një besimtar i penduar që thoshte: “Kur më kujtohen ato që kam thënë, ndihem i turpëruar.”

Ai pati rënë rob në luftën e Bedrit. Omeri (r.a.), duke përfituar nga kjo mundësi, deshi ta  ndëshkonte Suhejlin. Andaj iu afrua Pejgamberit tonë të nderuar dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Më lejo t’ia shkul dy dhëmbët e parë Suhejlit si ndëshkim për fjalët që ka thënë kundër teje, në mënyrë që të mos flasë më kundër teje.” Pejgamberi ynë i nderuar e qetësoi Omerin (r.a.), me këto fjalë:

 “O Omer! Lëre Suhejlin! Ndoshta vjen një ditë që ai mban një hytbe dhe fiton vlerësimin e falënderimin tënd.”

Nderimi i tij me Islamin ka ndodhur kështu:

Meka ishte çliruar. Politeistët ishin strehuar në Qabe. I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte kthyer në qytetin ku kishte lindur dhe ishte rritur. Politeistët ishin të çoroditur dhe mendonin: “Vallë, çfarë do të ndodhë sot? Si do të veprojë Muhamedi me ne? Çfarë ndëshkimi do të na japë për padrejtësitë dhe torturat që u kemi bërë myslimanëve?” Ata po prisnin për vendimin ndërkohë që ndjeheshin të shtypur nën presionin e këtyre ndjenjave…

Pejgamberi i mëshirës, pasi u hodhi një shikim të gjithë njerëzve të fisit Kurejsh, u drejtoi një pyetje:

“O njerëzit e fisit Kurejsh! Çfarë shpresoni prej meje? Çfarë mendoni se do të bëj me ju?” Fakti se i Dërguari i Allahut (s.a.s.), pranoi të fliste me mekasit, u dha një qetësi të madhe atyre.

Suhejl ibn Amri doli para dhe tha: “Prej teje presim mirësi, o vëlla fisnik, bir i vëllait fisnik!” Resulullahu, alejhi’s-selam, u tha me një buzëqeshje që shkëlqente në buzët e tij: “Shkoni!.. Jeni të lirë.”

* * *

Po, këto fjalë ishin shenjë e një mëshire dhe dhembshurie të gjerë që ua çlironin zemrat atyre që kishin ndjenja dhe që dëshironin t’i bindeshin me vullnetin e tyre Resulullahut (s.a.s.). Rezistenca përballë kësaj mëshire ishte e pamundur. Ky veprim plot fisnikëri dhe sublimitet pothuajse ua treti ndjenjat femohuese dhe kryeneçe shumë politeistëve si Suhejl ibn Amrit. Ajo u bë shkak që ata të nderoheshin me Islam.

Suhejl ibn Amri (r.a.), kishte hyrë në një botë të re plot prehje shpirtërore. Ai lexonte Kuran për ta parë më nga afër fisnikërinë e Islamit. Lotët nuk i reshtnin natë e ditë prej frikës së Allahut Teala. Atij i kujtohej periudha e vjetër që kishte kaluar jashtë Islamit. Për këtë arsye, pendohej me këmbëngulje për ditët që kishte kaluar në injorancë, falte namaz pas namazi dhe mbante agjërim pas agjërimi. Islami e ndërtoi përsëri atë me bujarinë, namazin, agjërimin dhe lëmoshën. Shpirtit të tij i dha pothuajse një shpirt të ri.

Suhejl ibn Amri (r.a.), i cili e përvetësoi Islamin me sinqeritet e dëlirësi, thoshte: “Akoma ndjehem i penduar që kam luftuar kundër Zotit në Bedër, Uhud e Hendek dhe ndjehem i turpëruar kur më kujtohen fjalët që kam thënë kundër të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), përgjatë nënshkrimit të marrëveshjes së Hudejbijes.”

Besimi ishte vendosur plotësisht në zemrën e tij. Sinqeriteti dhe dëlirësia e Suhejlit (r.a.), u shfaq edhe më qartë kur në Mekë arriti lajmi për vdekjen e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Pejgamberi (a.s.), i pati dhënë sihariq Omerit (r.a.), në lidhje me Suhejlin dhe i pati thënë: “Ndoshta një ditë do të thotë fjalë prej të cilave do të mbetesh i kënaqur.” Ja, edhe kjo mrekulli e Hz. Pejgamberit doli në pah.

Në ato momente, kur njerëzit ishin thellësisht të tronditur dhe i gjithë vendi po përjetonte fatkeqësinë më të madhe, Suhejli (r.a.), doli përpara myslimanëve në Mekë dhe mbajti një fjalim. Ai u përpoq t’ua tërhiqte vëmendjen dhe t’i qetësonte me këto fjalë:

“O xhemati Kurejsh! Jini të kujdesshëm dhe mos u bëni të fundit që keni besuar dhe të parët që do ta braktisni këtë fe! Për Zotin, feja islame do të vazhdojë ta ndriçojë njerëzimin si rrjedha e lindjes dhe perëndimit të hënës e të diellit. Detyra e besimtarëve kundrejt Pejgamberit është që të ecin në rrugën e tij.”

Në këtë mënyrë, u bë realitet fjalimi mrekulli që do ta kënaqte Omerin (r.a.). Kështu u pa qartë qëndrueshmëria e Suhejlit (r.a.), në Islam dhe vendosmëria e tij në besim.

* * *

Pasi Suhejl ibn Amri (r.a.), u nderua me Islam, në çdo vend u bë mbrojtës i së vërtetës. Një ditë Ebu Sufjani dhe Harith ibn Hishami, të cilët ishin prej fisnikëve të Mekës, shkuan për të vizituar kalifin Omer ibn Hattabin (r.a.). Bashkë me ta pati shkuar te kalifi edhe Suhejbi, Ammari dhe Bilali (r.a.). Ata kërkuan leje nga Hazreti Omeri. Kalifi së pari pranoi Suhejbin, Ammarin dhe Bilalin (r.a.). Për shkak të kësaj, Ebu Sufjanit iu zgjuan ndjenjat e vjetra dhe u ankua duke thënë me vete: “Çfarë ditësh që kanë ardhur! Asnjëherë nuk kam parë ditë të tilla. U jepet leje këtyre robërve, ndërsa ne mbesim këtu.” Kur Suhejl ibn Amri i dëgjoi këto fjalë, u shpjegoi atyre si më poshtë se përparësia në Islam është një masë vlere:

“O njerëzit e mi! Unë e lexoj gjendjen në fytyrat tuaja. Nëse do të mërziteni, mërzitjuni vetes suaj.

Ata u ftuan në Islam. Gjithashtu u ftuat edhe ju. Ata vepruan shpejt. Ndërsa ju mbetët vonë.

Për Zotin, mirësia me të cilën ata ua kanë kaluar juve, ishte më e rëndësishme se këto gjëra që po ju ikin përsëri tani. Siç e shikoni, ata ua kanë kaluar. Ju nuk keni asnjë mundësi për t’i kaluar ata në këtë rrugë. Andaj interesohuni me xhihadin dhe përpiquni shumë. Ndoshta Allahu Teala ju jep mirësinë për të rënë dëshmor.”

* * *

Suhejl ibn Amri (r.a.), pjesën tjetër të jetës e kaloi me xhihad. Ai doli në xhihad në anët e Sirisë. Bashkë me të gjithë të afërmit e tij mori pjesë në çlirimin e Shamit. Luftën e Jermukut e konsideroi si një mundësi për të fshirë gabimet që kishte bërë në periudhën e politeizmit. Suhejl ibn Amri (r.a.), e dëgjoi vetë nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.), mirësinë e rojës në kufi. Për këtë arsye, nuk u kthye në Mekë deri në fund të jetës. Ai bëri roje në kufi në anët e Sirisë. Në vitin e 18-të hixhri ndërroi jetë për shkak të sëmundjes së murtajës.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Allahu Teala na mundësoftë që të bëhemi ushtarë të besimit që e mbrojnë të vërtetën si Suhejl ibn Amri (r.a.), i cili ishte prej figurave të epokës së lumturisë! Zoti (xh.sh.), na bashkoftë me të në xhenet! Amin!

 

Share.

Leave A Reply