Muadh ibn Xhebeli (r.a.), ishte një dijetar që u bë mysliman në moshë të re dhe që e njihte mirë shkencën e fikhut (jurisprudencës islame)… Ai ishte një mësues i ri që e lexonte bukur, e kuptonte mirë dhe e shpjegonte mrekullueshëm Kuranin Fisnik… Ai ishte një predikues orator, vishej bukur, ishte i zgjuar, trim dhe bujar…

Muadhi (r.a.), ia dha besën të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), në besatimin e dytë të Akabesë. Ai ishte prej trimave që dhanë fjalën se do ta mbronin të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), siç mbronin jetën dhe pasurinë e tyre dhe se do ta ndihmonin atë në përhapjen e Islamit.

Kur Muadhi (r.a.), u kthye në Medine, së bashku me shokët e tij formoi njësi të vogla. Ata filluan të luftonin me idhujt siç pati bërë edhe Pejgamberi Ibrahim (a.s.). Në këtë mënyrë, deshën t’u tregonin politeistëve se idhujt nuk mund të kishin asnjë dobi dhe se nuk mund të ndalonin asnjë fatkeqësi. Amr ibn Xhemuhut, i cili ishte prej të parëve të Jethribit (Medines) që e ruanin idhullin e tyre me përpikëri, ia copëtuan disa herë idhullin që e ruante aq shumë dhe ia hodhën në mbeturina. Ata deshën ta bënin atë që të mendonte. Në këtë mënyrë, ia ngulitën mirë Amrit në kokë se idhujt nuk mund të ruanin dot as veten nga dëmi që mund t’u vinte. Më së fundi Amri arriti të mendonte dhe e gjeti rrugën e drejtë. Muadh ibn Xhebeli (r.a.), u bë shkak që Amri të hynte në Islam duke i thënë: “A mund të jenë zota këta idhuj që nuk mund ta parandalojnë as dëmin që do u bëhet vetë atyre?

Abdullah ibn Mes’udi (r.a.), ka dëshmuar për Muadh ibn Xhebelin: “Muadhi ishte si një xhemat në rrugën e Allahut. Ne e ngjasonim atë gjithmonë me Ibrahimin, alejhi’s-selam. Ai u mësonte njerëzve vetëm të mirën dhe i bindej Allahut e të Dërguarit të Tij.”

Muadh ibn Xhebeli (r.a.), u nderua me Islam në moshën 18 vjeçare nëpërmjet thirrjes së Mus’ab ibn Umejrit (r.a.). Ai ishte një djalosh i zgjuar, trim dhe shumë bujar. Muadhi (r.a.), fliste pak dhe dëgjonte shumë. Pasi i Dërguari i Allahut (s.a.s.), bëri hixhret në Medine, Muadhi (r.a.), nuk u nda aspak prej tij. Kuranin dhe Islamin e mësoi nga burimi i pashtershëm i Resulullahut (s.a.s.). Muadhi u bë prej nxënësve më të zgjedhur të mësuesit më të mirë.

Pejgamberi ynë i nderuar ka thënë në lidhje me Muadhin (r.a.): “Ai që e di më së miri hallallin dhe haramin prej umetit tim, është Muadh ibn Xhebeli.”

Muadh ibn Xhebeli (r.a.), ishte prej lexuesve më të mirë të Kuranit i ciliyyyt67t6ty67ojkjhk e mësoi Kuranin përmendësh në kohën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), dhe që mori lavdërimin e Pejgamberit i cili u shpreh: “Merreni Kuranin nga këta katër persona: Muadh ibn Xhebeli, Ubej ibn Ka’bi, Abdullah ibn Mes’udi dhe Salim Mevla Hudhejfe.”

* * *

Ai ishte një mësues i fesë që u la në Mekë pas çlirimit të saj, në mënyrë që t’u mësonte Islamin myslimanëve të rinj.

Muadhi (r.a.), fliste bukur dhe thoshte fjalë plot urtësi. Gjithashtu vishej hijshëm. Ai binte në sy me rininë dhe bukurinë e tij. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), e edukoi atë si një njeri të devotshëm dhe predikues të Islamit. Një ditë Resulullahu (s.a.s.), e mori Muadhin përballë dhe i dha këto këshilla:

“O Muadh! Të këshilloj që të kesh frikë Allahun, t’i kërkosh mbrojtje Atij, të thuash të vërtetën, të mbash fjalën e dhënë, t’u japësh selam të gjithëve, të bësh vepra të mira, t’i mëshirosh jetimët dhe të jesh fjalëmbël.

Të këshilloj të jetosh gjithmonë me Kuranin, të mos e nxjerrësh nga brenda frikën ndaj llogarisë së ahiretit, të jesh i butë ndaj të gjithëve, të mos e harrosh Allahun në çdo vend e në çdo kohë dhe të pendohesh pas çdo mëkati.

O Muadh! Adhuroje Allahun sikur e sheh dhe konsideroje veten të vdekur. Po të them edhe një gjë më të rëndësishme: Mbaje gjuhën!”

Këto këshilla çdo fjali e të cilave është rregull jetik, elhamdulil-lah/falënderimi qoftë për Allahun, na ndriçojnë edhe ne që prej shumë shekujsh. Andaj ne duhet ta vazhdojmë rrugën me këtë dritë… Sa lumturi e madhe është të jetuarit me këtë kandil që nuk shuhet përgjatë gjithë jetës!.. O Allah! Na e mundëso edhe neve një jetë të tillë të ndritur!

* * *

Muadh ibn Xhebeli (r.a.), pati një kontribut të madh në përhapjen e Islamit në vende të tjera. Ai, si një mësues i edukuar në shkollën e Pejgamberit (s.a.s.), shkoi në Mekë, Medine, Sham, Jemen dhe Palestinë. Popujve të këtyre vendeve u mësoi Kuranin dhe Islamin.

Mbreti i Jemenit pati dërguar disa korrierë në Medine për ta lajmëruar Resulullahun (s.a.s.), se kishin hyrë në Islam dhe se kërkonin mësues që t’u mësonte njerëzve Islamin.

I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i cili ishte burimi i dijes, edukatës, mirësjelljes dhe i çdo mirësie tjetër, u kthye nga sahabët dhe tha:

“Kush prej jush mund të shkojë në Jemen?”

Ebu Bekri (r.a.), tha: “Shkoj unë, o i Dërguari i Allahut.”

Hazreti Pejgamberi e përsëriti pyetjen:

“Kush prej jush mund të shkojë në Jemen?”

Këtë herë u përgjigj Omeri (r.a.), duke thënë: “Shkoj unë, o i Dërguari i Allahut.”

Pasi Resulullahu (s.a.s.), e përsëriti edhe një herë tjetër pyetjen: “Kush prej jush mund të shkojë në Jemen?”, Muadh ibn Xhebeli (r.a.), u ngrit në këmbë dhe tha: “Shkoj unë, o i Dërguari i Allahut.”

Këtë herë Pejgamberi, alejhi’s-selam, tha: “O Muadh! Kjo detyrë është e jotja.”

* * *

Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.), po e përcillte Muadhin, ecën pak bashkë. Ai i dha atij këto këshilla:

“Muadh! Ti do të përballesh me një popull që është prej ehli kitabit. Së pari ftoji që të pranojnë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij. Nëse e pranojnë këtë, lajmëroji ata se Allahu ua ka bërë farz faljen e pesë kohëve të namazit. Kur ta bëjnë edhe këtë, njoftoji për urdhrin e zekatit. Nëse e pranojnë edhe këtë, bëj kujdes dhe mos u bëj padrejtësi atyre! Ki kujdes nga lutja e të dhunuarit që mund të bëjë kundër teje, sepse Allahu e pranon menjëherë lutjen e atij që i është bërë padrejtësi.”

Edhe kur po ndahej me Muadhin, e pyeti: “Muadh! Ndoshta nuk do të më shohësh më pas këtij viti… Ndoshta kur të kthehesh, do të vish te xhamia dhe varri im… Me çfarë do të gjykosh nëse do të të pyesin për ndonjë çështje?” Muadhi (r.a.), iu përgjigj:

“Me librin e Allahut.”

 “Po nëse nuk e gjen përgjigjen aty?”

“Me sunetin e Pejgamberit.”

“Po nëse nuk e gjen as aty?”

“Do të bëj ixhtihad dhe do të gjykoj me mendimin tim.” I Dërguari i Allahut (s.a.s.), e shprehu kënaqësinë e tij duke i thënë:

“Elhadulil-lah! I dërguari i të Dërguarit të Allahut u shpreh në përputhje me kënaqësinë e të Dërguarit të Allahut…” Pastaj u lut për Muadhin (r.a.):

“Allahu të ruajt nga fatkeqësitë dhe nga e keqja e njerëzve dhe e xhindëve!”

Muadh ibn Xhebeli (r.a.), qëndroi për një kohë të gjatë në Jemen. Lajmin se i Dërguari i Allahut (s.a.s.), kishte ndërruar jetë e mori kur ishte në Jemen. Më vonë u kthye në Medine.

* * *

Ebu Bekri (r.a.), e futi në komisionin e konsultimit Muadhin (r.a.), i cili u kthye në Medine. Ai e vazhdoi të njëjtën detyrë edhe në periudhën e Hz. Omerit.

Pas një kohe prefekti i Shamit kërkoi nga kalifi që t’i dërgonte mësues për t’ua mësuar njerëzve Kuranin dhe Islamin. Nisur nga kjo kërkesë, Omeri (r.a.), thirri Muadh ibn Xhebelin, Ubade ibn Samitin, Ebu Ejjub el-Ensariun, Ubej ibn Ka’bin dhe Ebu’d-Derdanë, radijall-llahu anhum, të cilët e patën mësuar Kuranin Fisnik në kohën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe u tha:

“Vëllezërit tanë sirianë po kërkojnë mësues. Më ndihmoni në këtë çështje.” Omeri (r.a.), i këshilloi duke marrë parasysh moshën e thyer të Ebu Ejjub el-Ensariut (r.a.) dhe sëmundjen e Ubejit (r.a.): “Së pari filloni nga Humusi. Njëri prej jush le të qëndrojë aty. Tjetri le të shkojë në Sham dhe i treti le të shkojë në Palestinë.”

Tre luftëtarët e edukuar në shkollën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), u nisën dhe Ubade ibn Samiti shkoi në Humus, Ebu’d-Derda shkoi në Sham dhe Muadh ibn Xhebeli shkoi në Palestinë. Ata dhanë përpjekje të mëdha për përhapjen e Islamit në ato krahina.

Muadh ibn Xhebeli (r.a.), u kaplua nga sëmundja e murtajës. Ai ndërroi jetë në moshën 35 vjeçare në fshatin Amvas që ndodhet ndërmjet Kudsit dhe Remles.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Zoti (xh.xh.), na dhëntë edhe neve prej dashurisë dhe pasionit që kishte Muadh ibn Xhebeli (r.a.), në përhapjen e Islamit dhe mësimin e Kuranit! Allahu na bashkoftë me të në xhenet! Amin!

 

Share.

Leave A Reply