Ishin ditët pranë vdekjes së Resulullahut a.s, i cili e kishte të pamundur të dilte për të prirë në namaz. Dhe, për këtë arsye urdhëronte Ebu Bekrin a.s, të printe në namaz. Atë ditë, kur u thirr ezani, sahabët shprehën dëshirën për të parë Resulullahun a.s dhe për të falur namaz bashkë me të;

“Pa ardhur i Dërguari i Allahut, nuk duam të qëndrojmë në namaz! Na ka marrë malli shumë për të. Të paktën të qëndrojë edhe ai midis nesh.”-thoshin ata.

Mirëpo, Pejgamberi a.s, nuk kishte fuqi të shkonte në xhami, sepse ndihej i këputur. Megjithatë, për shkak të kësaj ftese mallëngjyese, vendosi të shkojë dhe tha: “Më sillni një kovë ujë!” Pastaj e derdhi mbi trup dhe mori gusull. Më vonë, deshi të ngrihej në këm­bë. Por nuk i mjaftoi takati për t’u ngritur dhe i ra të fikët. Kur erdhi në vete, kërkoi përsëri një kovë. Mori gusull, por përsëri i ra të fikët. Edhe pas herës së tretë nuk arriti të ngrihej dot. Mirëpo, nuk hoqi dorë. Iu futën në krahë dhe e çuan deri në xhami, ku Pejgamberi a.s, i bëri me shenjë Ebu Bekrit a.s, i cili doli në mihrab për të prirë namazin. Ky ishte edhe namazi i fundit me xhemat i Resulullahut a.s

Pjesën tjetër pas kësaj na e tregon nëna jonë Ai­sheja r.a:

“Megjithëse kishte vuajtje të shumta dhe ishte në gjendje aq të keqe, sa e merrnin dhe e sillnin duke e mbajtur në supe, unë nuk e kam parë kurrë kaq të gëzuar Resulullahun a.s. Pas namazit, u kthye nga xhemati dhe po shihte i kënaqur atë xhemat të mirë e të zgjedhur, të cilin e kishte edukuar vetë. Kur e pa atë brez ideal që do të linte pas, ku secili prej tyre ishte si një yll i shndritshëm në qiell, u gëzua

aq shumë, saqë në atë gjendje të këputur buzëqeshi aq bukur; mbase ajo ishte buzëqeshja më e bukur që kam vënë re tek Resulullahu.

Share.

Leave A Reply