Islami është një mirësi që nuk i shterojnë kurrë kënaqësitë. Ai që e shijon atë, arrin krenarinë. Ai që jeton me të, gjen nder dhe përkujtohet me nder.

Personalitetet si yje që janë udhëzim për njerëzimin, edhe pse janë shpërngulur në botën tjetër që prej shumë shekujsh, jetuan me krenarinë e Islamit dhe i dorëzuan shpirtrat e tyre me krenarinë e Islamit.

Në cilëndo zemër që ka hyrë drita e Islamit, e ka gjallëruar patjetër atë. Drita e Islamit i ka gjallëruar të gjithë pa marrë parasysh racën, nëse kanë qenë të pasur, të varfër, udhëheqës, punëtorë… Çdo njeri që e ka arritur këtë dritë, e ka arritur edhe shijen e jetës dhe i ka dhënë kuptim jetesës së tij në këtë botë.

Para se të shpallej Islami, një djalë i ri që quhej Mikdad ibn Amr shkoi në Mekë, bëri marrëveshje me Esved ibn Abi Jegusin dhe u birësua. Ky i ri lindi në Nehra jashtë Mekës në vitin 584 e.s.. Kur dëgjoi për ardhjen e fesë së re, Islamit, vrapoi drejt asaj drite dhe u bë prej të parëve që hynë në Islam. Ai ishte trim. Për këtë arsye, nuk e mbajti të fshehur hyrjen e tij në Islam. Dritën që kishte brenda, e reflektoi jashtë dhe deklaroi para të gjithëve se ishte bërë mysliman.

Mikdad ibn Esvedi (r.a.), i cili ishte i mbushur me dashurinë ndaj Islamit, u torturua nga politeistët e Mekës. Krahas kësaj, Islamin e zbatonte haptazi dhe ua predikonte të gjithëve. Ai e mbushte zemrën e tij me dashurinë ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe me këtë dashuri e forconte edhe besimin e tij. Pasi torturat u shtuan, bëri hixhret në Abisini së bashku me myslimanët e tjerë. Pas një kohe, kur dëgjoi se Resulullahu (s.a.s.), kishte bërë hixhret në Medine, edhe ai vetë bëri hixhret atje.

Mikdad ibn Esvedi (r.a.), kishte një diell dashurie që e bënte t’i harronte të gjitha vuajtjet që kishte hequr. Kur dilte në audiencën e këtij dielli, të gjitha vështirësitë merrnin fund dhe fillonte të frynte flladi i lumturisë. Kur merrte lavdërimet e tij, i harronte menjëherë torturat që i kishin bërë. Pejgamberi ynë i nderuar ka thënë për Mikdadin (r.a.):

“Allahu Teala më ka njoftuar se i do në veçanti katër prej sahabëve të tij. Gjithashtu më ka urdhëruar që t’i dua edhe unë. Ata janë Aliu, Mikdadi, Selmani dhe Ebu Dherri.”

* * *

Mikdadi (r.a.), e përdori të gjithë mendjen dhe zemrën e tij në shërbimin dhe mbrojtjen ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), në mënyrë që ta fitonte këtë dashuri. Ai u përkujtua si “kalorësi i të Dërguarit të Allahut”. U njoh ndërmjet myslimanëve si kalorësi i parë që ka kalëruar në rrugë të Allahut (xh.sh.). Nëse në Medine ndjehej ndonjë problem, menjëherë do ta shihnit Mikdadin mbi kalë me shpatë në dorë duke pritur te dera e Pejgamberit tonë të nderuar… Resulullahu (s.a.s.), gjithmonë e gjente atë si një muxhahid me shpatë në dorë dhe të gatshëm për të luftuar.

* * *

Mikdad ibn Esvedi (r.a.), mori pjesë në luftën e Bedrit, Uhudit, Hajberit dhe në luftërat e tjera. Trimëria që shfaqi në luftën e Bedrit, e gëzoi shumë të Dërguarin e Allahut, alejhi’s-selam. Një veprim të tillë dëshironte ta shfaqte çdokush. Këtë ngjarje që gjendet e shkruar në “Sahihu’l-Buhari” e transmeton si më poshtë Abdullah ibn Mes’udi (r.a.):

“Kam dëgjuar një fjalë shumë të madhe nga Mikdadi. Atë fjalë do të dëshiroja ta kisha thënë vetë, sepse ishte më e vlefshme se çdo gjë. Mikdadi erdhi te i Dërguari i Allahut (s.a.s.), me qëllimin për t’i inkurajuar sahabët që të sulmuar politeistët dhe tha:

“O i Dërguari i Allahut! Ne nuk mund të themi siç i ka thënë populli i Musait të dërguarit të Zotit, vetë Musait: “Shko ti me Zotin tënd dhe lufto. Në do të qëndrojmë këtu!” Përkundrazi ne do të luftojmë me armikun në të djathtën e të majtën tënde dhe para e pas teje!”

Resulullahu (s.a.s.), u gëzua jashtëzakonisht shumë nga këto fjalë largpamëse, të gjera dhe të sinqerta të Mikdad ibn Esvedit (r.a.), të cilat premtonin mbështetje. Fytyra e tij e bekuar ndriçoi kundrejt këtij deklarimi të sinqertë.

Mikdad ibn Esvedi (r.a.), i cili shfaqi heroizma të mëdha në luftën e Bedrit, mori pjesë në shumë luftëra edhe pasi ndërroi jetë Pejgamberi ynë i nderuar. Ai ndërroi jetë në Medinë në moshën 70 vjeçare në vitin 656 e.s.. Namazin e xhenazes ia fali Osmani (r.a.).

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Allahu Teala na e mundësoftë edhe neve që të japim mbështetje si Mikdad ibn Esvedi (r.a.), për çdo punë të mirë! Allahu na bashkoftë me të në xhenet! Amin!

Share.

Comments are closed.