Besimi është një dritë. Kjo është drita e jetës së besimtarit. Besimtari jeton me këtë dritë. Në sajë të kësaj drite, veprimi dhe sjelljet e tij janë të qarta dhe të dëlira. Besimtari bën mirësi me këtë dritë. Ai fiton sinqeritet dhe besueshmëri nëpërmjet saj.

Ndërsa kufri, pra, mohimi i fesë së Zotit është një shteg që të shpie në errësirat e pafundme. Atje çdo gjë është e fshehtë dhe e mbuluar. Mohuesi i fesë devijon nga rruga e drejtë për shkak se është rrokullisur në humnerën e këtyre errësirave. Për këtë arsye, fjalët nuk i përputhen me veprimet, sjelljet i ka të paqarta dhe është larg sinqeritetit, besnikërisë dhe ndershmërisë.

Islami i ka ndriçuar njerëzit që përpëliteshin në errësira dhe që e bënin jetën e tyre sipas asnjë rregulli. Së pari ndriçoi zemrat e këtyre njerëzve. Pastaj u kërkoi atyre që të jetonin në atë ndriçim.

Sahabët e nderuar që e posedonin këtë dritë dhe iu dorëzuan të Dërguarit të Allahut, alejhi’s-selam, rezistuan me vendosmëri në besim edhe kundrejt torturave dhe padrejtësive. Ajo dritë mundësoi që në zemrat e tyre të çelnin lulet e sinqeritetit, besnikërisë, mbështetjes te Zoti, trimërisë, nënshtrimit dhe sakrificës. Epoka e Lumturisë është e mbushur plot e përplot me shembujt e tyre.

Pejgamberi ynë i dashur ka thënë për Zubejr ibn Avvamin (r.a.): “Çdo profet ka pasur miqtë e tij të sinqetë.  Ndërsa miku im i sinqertë është Zubejri.” Ja pra, Zubejri (r.a.), ishte prej këtyre besimtarëve të përkushtuar.

Zubejr ibn Avvami (r.a.), ishte sakrifikues dhe guximtar. Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.), pyeti: “Kush do të shkojë te çifutët Beni Kurejdha për të mësuar rreth gjendjes së tyre?”, ai u ngrit menjëherë në këmbë dhe tha: “Shkoj unë, o i Dërguari i Allahut.” Pasi shkoi dhe solli lajme për çifutët, Pejgamberi ynë i nderuar u gëzua shumë dhe e lavdëroi atë duke i thënë “miku im i sinqertë”.

Që në moshë të re, (pra që në moshën 15 vjeçare), u bë mysliman nëpërmjet Ebu Bekrit (r.a.). Ai u torturua nga politeistët e Mekës. Madje xhaxhai i tij e mbështolli me hasër dhe deshi ta digjte. Krahas së gjitha këtyre, ai prapë se prapë nuk hoqi dorë nga besimi. Ngjarja ndodhi si më poshtë:

Një ditë xhaxhai i Zubejrit e mbështolli atë me hasër. Pastaj i vuri zjarrin dhe i tha: “Mohoje Zotin e Muhamedit, në mënyrë që të të shpëtoj!..” Zubejr ibn Avvami (r.a.), iu përgjigj: “Edhe nëse e di se do të digjem e përvëlohem, kurrë nuk do të kthehem në kufër!..” Në këtë mënyrë e shfaqi sinqeritetin që kishte në këtë kauzë. Ai bëri durim kundrejt torturave të mushrikëve. Për këtë arsye, xhaxhai i tij hoqi dorë nga ai.

* * *

Ishin ditët e para të Islamit. Në Mekë u përhap një lajm që thoshte se është vrarë i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam. Zubejr ibn Avvami (r.a.), edhe pse ishte i vogël në moshë, mori shpatën dhe doli nëpër rrugët e Mekës për të mësuar nëse ishte i vërtetë ky lajm. Ai ishte i vendosur se nëse ky lajm do të ishte i vërtetë, do t’i vriste të gjithë kurejshit. Zubejri filloi të ecte nëpër rrugë duke shfaqur një nijet të pastër, besnikëri dhe dashuri të madhe ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).

Ndërsa Zubejr ibn Avvami (r.a.), po ecte nëpër rrugët e sipërme të Mekës, papritur përballë i doli Pejgamberi ynë i dashur. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), e pyeti se çfarë kishte ndodhur. Zubejri e njoftoi për lajmin që kishte dëgjuar dhe i tha se për këtë arsye e kishte marrë shpatën dhe se kishte dalë për të parë nëse ishte i vërtetë ky lajm. Resulullahu, alejhi’s-selam, mbeti i kënaqur nga ky veprim i Zubejrit dhe u lut që Zubejri të gjendej vazhdimisht në mirësi dhe shpata e tij të korrte gjithmonë fitore”.

Për këtë arsye, Zubejr ibn Avvami (r.a.), quhet “sel-lu’s-sejf / personi i parë që ka nxjerrë shpatën për të luftuar” në Islam.

Të hapësh një rrugë të re, të jesh prijës në vepra të mira dhe të jesh shembull në zbatimin e dispozitave të Islamit, do të thotë të hapësh derën e sevapit për të mos u mbyllur asnjëherë. Hz. Zubejri gjendej në grupin e parë të muhaxhirëve që bënë hixhret në Abisini.

Xhebrailu’l-Emin (a.s.), shkoi te i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe e njoftoi se Zubejr ibn Avvami do të merrte shpërblim deri në kiamet sa të gjithë ata që luftonin në rrugën e Allahut. Xhebraili (a.s.), tha:

“Allahu të bën selam dhe të thotë që t’i bësh selam Zubejrit e ta përgëzosh. Zubejrit i është dhënë sevap sa të gjithë atyre muxhahidëve që do të luftojnë në rrugë të Allahut deri në kiamet pa u pakësuar asgjë nga sevapi i muxhahidëve, sepse ai qe i pari që nxori shpatën në rrugën e Allahut.”

* * *

Pejgamberi ynë i dashur shpesh herë fliste për Talha ibn Ubejdullahun (r.a.) dhe Zubejr ibn Avvamin (r.a.). Profeti i Zotit shprehej se kishte ngjashmëri të mëdha ndërmjet tyre dhe tregonte për besnikërinë, bujarinë, guximin dhe trimërinë e tyre. Zubejr ibn Avvami (r.a.), mori pjesë në të gjitha luftërat. Në luftën e Bedrit i Dërguari i Allahut (s.a.s.), e caktoi komandantin e anës së djathtë të ushtrisë. Pastaj tha: “Engjëjt janë me shenja. Andaj edhe ju bëjini vetes nga një shenjë!” Nisur nga kjo fjalë, Zubejr ibn Avvami (r.a.), lidhi një copë në kokë dhe doli në mejdanin e luftës. Ai tregon vetë për këtë ngjarje:

“U përballa me politeistin, Ubejde ibn Saidi. Ai ishte i veshur me parzmore nga koka deri te këmbët. I dukeshin vetëm sytë. Ai i sfidonte të gjithë duke thënë se ishte Ebu Dhatu’l-Kerish. (Ky llagap i ishte vendosur ngaqë kishte qenë barkmadh që në fëmijëri.) Heshtën që e kisha në dorë, ia ngula në sy. Ubejde u rrëzua dhe vdiq. Pastaj ia shkela kokën me këmbë, e tërhoqa heshtën me gjithë fuqinë që kisha dhe e nxora.”

Heroizmat që ka shfaqur Zubejr ibn Avvami (r.a.), në luftën e Bedrit dhe atë të Uhudit janë shumë të mëdha. Kur biri i tij, Urve (r.a.), tregon për plagët që Zubejri kishte marrë në luftën e Bedrit, shprehet se ishin aq të thella, saqë mund të fuste gishtin brenda tyre.

Edhe në luftën e Uhudit kërkoi prej politeistëve një që kishte guxim të ndeshej mbi deve. Këtë e përsëriti tri herë. Pasi asnjë nuk bëri zë, Zubejri (r.a.), e lidhi copën në kokë dhe u hodh në mejdanin e luftës. Pastaj u hodh mbi një deve që mbartte njërin prej qafirëve dhe e kapi politeistin për qafe. E rrëzoi në tokë, iu hodh sipër dhe i preu kokën. I Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, tha: “Po të mos dilte Zubejri, do të dilja vetë.” Pas betejës së fillimit që bëhet tek e tek, lufta u nxeh dhe të dyja palët kaluan në sulm. Harkëtarët e politeistëve i gjuajtën me shigjeta të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Sahabët e nderuar u mblodhën menjëherë pranë tij. Të gjithë i bënë trupat e tyre mburojë kundër shigjetave. Zubejr ibn Avvami (r.a.), nuk u nda për asnjë moment nga Resulullahu (s.a.s.). Nga njëra anë e bëri trupin mburojë kundër sulmeve të shigjetave, shpatave e heshtave dhe nga ana tjetër gjuante me shigjetë. Njëra prej shigjetave të tij goditi mbajtësin e flamurit të mushrikëve dhe e rrëzoi atë në tokë.

Lufta mbaroi. Pastaj u përhap një lajm se gjoja kishte vdekur Dërguari i Allahut (s.a.s.). Kur Hz. Safija e dëgjoi këtë, shkoi në mejdanin e Uhudit. Ajo pa birin e saj, Zubejrin dhe e pyeti: “Ku është i Dërguari i Allahut? Si është ai?” Pasi Zubejri i tha se ishte mirë, ajo u qetësua. Pastaj deshi të shikonte vëllain e saj, Hamzanë. Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.), vuri re se drejt mejdanit të luftës po vinte Safija (r.anha), i tha Zubejrit: “Ktheje pas nënën, në mënyrë që të mos e shohë trupin e Hamzait.” Zubejri i tha nënës së tij: “Nënë e dashur. I Dërguari i Allahut na urdhëron që të kthehemi pas.” Hz. Safija tha:

“Nëse do të kthehem pas për të mos më treguar ato që i kanë bërë Hamzait, unë kam dëgjuar se vëllait tim i kanë prerë dhe copëtuar trupin. Ai ra në këtë gjendje kur po luftonte në rrugë të Allahut. Ne e pranojmë çdo gjë që na ndodh në rrugë të Allahut. Andaj do të durojmë për çdo gjë që do të ndodhë.”

Kur Zubejr ibn Avvami (r.a.), ia trasmetoi këto fjalë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), Pejgamberi ynë i nderuar i tha: “Atëherë lëre ta shohë!” Hazreti Safija u ul pranë trupit të vëllait të saj, Hamzait. Së bashku me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), qanë shumë.

Zubejri (r.a.), ishte një luftëtar besnik, trim dhe i fuqishëm. Në luftën e Jermukun ishte si një ushtri më vete… Kur vuri re se ushtria e tij po mposhtej, tha “Allahu ekber” dhe e ndau përgjysmë ushtrinë bizantine duke luftuar sa majtas djathtas me shpatën e tij, pastaj u kthye pas ndërmjet ushtarëve të tjerë. Ai nuk kërkoi asnjë post në udhëheqje apo në instancat e shtetit. Edhe pse pati shumë pasuri, ndërroi jetë me borxhe, sepse pasurinë dhe jetën e kishte flijuar në rrugë të Allahut (xh.xh.).

Hz. Aliu (r.a.), transmeton: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), me këta dy veshët e mi duke thënë: “Talha dhe Zubejri janë fqinjët e mi në xhenet.”

Zubejr ibn Avvami (r.a.), i cili ishte njëri prej dhjetë sahabëve të përgëzuar me xhenet që në këtë botë, ishte edhe prej “As’habu’sh-Shura”.

Nëna e tij, Hz. Safija (r.anha), ishte bija e Abdulmuttalibit. Pra, Halla e Pejgamberit tonë të nderuar (s.a.s.). Babai i tij ishte Avvami, ndërsa gjyshi ishte Huvejlidi. Ndërsa bashkëshortja e tij ishte Esma Dhatu’n-Nitekajni.

Kurse Hazreti Hatixhja (r.anha), ishte halla e Zubejrit (r.a.).

Zubejr ibn Avvami (r.a.), ra dëshmor në ngjarjen e Xhemelit në moshën 64 vjeçare. Namazin e xhenazes ia fali Aliu (r.a.).

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

E lus Allahun Teala që të na bëjë edhe ne miq të sinqertë, bujarë të mëdhenj, predikues të Islamit dhe luftëtarë në rrugë të Allahut si ai! Allahu na bashkoftë me të në xhenet!

Share.

Comments are closed.