Në kthim nga Taifi ku s’besoi askush veç Addasit, ndërsa po këndonte Kur’an atje ku e zuri nata, të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) e dëgjoi një grup xhindësh. Pasi e kuptuan të vërtetën, që të gjithë i shprehën besimin të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe pastaj u kthyen te fiset e tyre me detyrën e kumtimit. (Ibni Sa’d, I, 212)

Ibni Abbas (r.anhuma) ka thënë kështu:

“I Dërguari i Allahut (s.a.s.) kishte dalë në rrugë bashkë me një grup sahabesh me qëllim për të shkuar në panairin e Ukazit.

Në atë kohë qe krijuar pengesë që shejtanët (nga lloji i xhindve) të kapnin lajmet që vinin prej qielli.255 Mbi xhindët që, si rregull, sillnin lajme nga qielli, qenë hedhur zjarre.256 Kështu, ata u kthyen te fiset e tyre duarbosh.

Fiset i pyetën:

“Ç’ndodhi, pse u kthyet (pa gjë?)?

Ata thanë:

“Mes nesh dhe lajmeve qiellore u vu pengesë, mbi ne u dërguan flakë. Dhe ne ikëm e u kthyem prapë!”

Fiset u thanë:

“Kjo duhet të ketë ndodhur prej ndonjë gjëje të shfaqur tani, prandaj shëtisni lindjen dhe perëndimin e tokës dhe sillni ndonjë lajm mbi këtë pengesë!”

Xhindët u nisën në grupe për ta kontrolluar sipërfaqen e tokës. Një grup që shkoi nga ana e Tihames (në zonën Nahle në rrugën për në panairin Ukaz) hasi në Profetin (s.a.s.) që po falte namazin e mëngjesit bashkë me sahabet. Me ta dëgjuar këndimin e Kur’anit, xhindët qëndruan, ngrehën veshët dhe thanë:

“Ja, kjo është gjëja që na pengon neve të marrim lajme prej qiellit!”

Dhe u kthyen pas. Kur arritën te fiset e tyre, u thanë:

“O fisi ynë, me të vërtetë ne dëgjuam një Kur’an jashtëzakonisht të bukur që shtyn për në rrugë të drejtë dhe i besuam atij. Tani e tutje askënd nuk do t’ia bëjmë ortak Zotit tonë!”

Pas kësaj, Zoti, duke ia zbritur të Dërguarit të Tij suren Xhin, e njoftoi se xhindët kishin dëgjuar Kur’an dhe se ç’u kishin thënë fiseve të tyre:

 “(O i Dërguar!) Thuaj: “Mua më është zbuluar se një grup xhindësh e dëgjoi Kur’anin (që këndova unë) dhe thanë: “Ne kemi dëgjuar një Kur’an të bukur që të mahnit e që të tregon rrugën e drejtë, prandaj edhe i besuam atij. Ne kurrë më nuk do t’i bëjmë shok Zotit tonë!” (el-Xhin, 1-2) (Buhari, Tefsir, 72, Ezan, 105; Muslim, Salat, 149; Tirmidhi, Tefsir, 72/3324)

Në suren Ahkaf, Allahu i Lartë bën fjalë në këtë mënyrë për këtë ngjarje: “Një grup xhindësh i patëm drejtuar tek ti që të dëgjonin Kur’an. Kur qenë bërë gati të dëgjonin Kur’an, patën thënë (njëri-tjetrit): “Heshtni!” Dhe kur pati mbaruar këndimi i Kur’anit, qenë kthyer te fiset e tyre si paralajmërues. Ata u patën thënë kështu fiseve të tyre: “O fisi ynë, me të vërtetë, ne dëgjuam një libër të zbritur pas Musait dhe që i vërtetonte ata që qenë zbritur para tij. Ai libër tregon të vërtetën dhe rrugën e drejtë. O fisi ynë, bëni si ju thotë ftuesi i Allahut dhe besojini atij që edhe Allahu t’jua falë mëkatet pjesërisht dhe t’ju mbrojë nga një ndëshkim i hidhur! Kush nuk bën siç i thotë ftuesi i Allahut, ta dijë se nuk do ta lërë të paaftë Allahun mbi tokë! Dhe ai nuk ka miq të tjerë veç Allahut! Ja, të tillët janë në rrugë të shtrembër!” (el-Ahkaf, 29-32)

Në ajete thuhet kështu lidhur me ndalimin e xhindëve për të dëgjuar lajmet qiellore:

 “(Xhindët thanë:) Ne prekëm qiellin dhe e gjetëm atë plot me roje të fuqishëm e me flakë. Me të vërtetë, ne uleshim në disa pozicione të qiellit për të dëgjuar. Por tani, kush kërkon të dëgjojë, gjen një flakë të ndritshme që e vëzhgon. Ç’është e vërteta, ne nuk e dimë nëse u dëshirua ndonjë e keqe për ata që janë në qiell, apo Zoti dëshiroi për ta një të mirë!” (el-Xhin, 8-10)

Fitimi formal i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) nga udhëtimi në Taif ishte vetëm Addasi (r.a.). Por, në të vërtetë, Allahu i Lartë i kishte bërë shumë favore. Për shembull, i kishte dhuruar mbretërimin e dy botëve të ndryshme. E para, pa u kthyer ende në Mekë, xhindët dëgjuan Kur’an prej tij dhe filluan kumtimin e tij në botën e tyre. Një kohë të shkurtër pas kësaj, Allahu i Lartë i favorizoi të Dashurit të vet Miraxhin duke e bërë mbret të botës qiellore.

Share.

Leave A Reply