Xhaferi (r.a.), ishte biri i Ebu Talibit. Pra, ishte djali i xhaxhait të të Dërguarit të Allahut (a.s.). Tajjar është llagapi i tij. Ai ishte prej të parëve që e pranuan Islamin.

Kur Pejgamberi ynë i nderuar ishte 36 vjeç, u përjetua një vit zie buke. Për këtë arsye, Hz. Pejgamberi së bashku me xhaxhain e tij, Abbasin menduan të merrnin nga një fëmijët e Ebu Talibit që t’ia lehtësonin gjendjen e vështirë. Kur Resulullahu (a.s.), shkoi te Ebu Talibi dhe i tregoi për këtë mendim, mori përgjigjen: “Mua më lini Akilin. Me të tjerët bëni si të dëshironi…” Pas kësaj përgjigjeje i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, mori Aliu dhe xhaxhai i tij, Abbasi mori Xhaferin. Ata u kujdesën për fëmijët e vëllait si për fëmijët e tyre.

Kur erdhi feja Islame, Aliu (r.a.), ishte i pari prej fëmijëve që arriti nderin për t’u bërë mysliman. Ndërsa Xhafer ibn Ebi Talibi (r.a.) dhe bashkëshortja e tij, Esma binti Umejsi iu bashkuan karvanit të parë të Islamit nëpërmjet Ebu Bekrit (r.a.).

I Dërguari i Allahut (a.s.), e ka shprehur dashurinë që kishte në zemër kundrejt Xhafer ibn Ebi Talibit (r.a.), duke thënë: “Xhaferi është ai që ngjan më së shumti me mua në krijim dhe moral.”

Edhe Xhafer ibn Ebi Talibi (r.a.), u torturua dhe përjetoi shumë vështirësi si të gjithë myslimanët e parë, por bëri durim, sepse ai e dinte se rruga e xhenetit ishte e shtruar me gjemba dhe e rrethuar me vështirësi. Më në fund u detyrua të emigronte familjarisht në Abisini me një grup sahabësh. Kur arritën në Abisini, shijuan kënaqësinë e të qenët të sigurt për herë të parë që kur ishin bërë myslimanë. Dinjiteti, mirësjellja, serioziteti dhe sinqeriteti që ai shfaqi kundrejt mbretit të Abisinisë, Nexhashit, kur po i fliste për Islamin, përbëjnë një shembull të shkëlqyer në predikimin e fesë sonë.

Politeistët Kurejsh nuk e duronin dot faktin se myslimanët po e përjetonin besimin e tyre në mënyrë të qetë në Abisini. Për këtë arsye, i dërguan Nexhashit dy veta bashkë me dhuratat dhe i kërkuan që t’i nxirrte nga vendi i tyre këta të rinj që i kishin besuar fesë së re. Nexhashi i mblodhi dy Kurejshët mushrikë dhe myslimanët që ishin strehuar në vendin e tij dhe i dëgjoi. Kur i erdhi fjala zëdhënësit të myslimanëve, Xhaferit (r.a.), tha këto fjalë në mënyrë shumë të qartë dhe të sinqertë:

“O mbret! Ne ishim një popull që jetonim në injorancë. I adhuronim idhujt dhe hanim ngordhësirat. Bënim çdo lloj të keqeje dhe nuk i mbanim lidhjet farefisnore. Fqinjësinë e kishim në gjendje të keqe. Kështu që i forti e shtypte të dobëtin. Na e vazhduam jetën në këtë mënyrë derisa erdhi i Dërguari i Allahut (s.a.s.).

Ky i Dërguar i Allahut na ftoi që t’i besonim Zotit i Cili është një, që të adhuronim vetëm Allahun dhe të hiqnim dorë nga adhurimi i gurëve dhe i idhujve që adhuronin etërit tanë.

Ai na ka urdhëruar që të themi të vërtetën, ta mbajmë amanetin, t’i mbajmë lidhjet farefisnore, të kalojmë mirë me fqinjët, të qëndrojmë larg harameve dhe të mos derdhim gjak.

Ai na e ka ndaluar dëshmimin e rremë dhe shpifjen. E ka bërë haram ngrënien e pasurisë së jetimit. Ai na ka urdhëruar që të adhurojmë vetëm Allahun, që të mos i bëjmë shirk Atij, që të falim namazin, të japim zekatin dhe të mbajmë agjërimin në muajin e Ramazanit.

Ne i kemi besuar këtij Pejgamberi. Kemi ecur në rrugën që na ka treguar. E kemi pranuar si hallall çdo gjë që ai na ka thënë se është hallall dhe e kemi pranuar si haram çdo gjë që ai ka thënë se është haram.

O mbret! Për këtë arsye, populli ynë na sulmoi dhe na torturoi. Ata u përpoqën të na nxirrnin nga feja jonë dhe të na bënin t’i adhuronim idhujt përsëri. Ata na bënë padrejtësi. Kur padrejtësia e tyre u bë e padurueshme, u larguam nga vendi ynë. Kështu, preferuam të zgjidhnim vendin tuaj duke shpresuar se nuk do të na bëhet më padrejtësi.”

Nexhashi kundrejt këtyre fjalëve të qarta e të sinqerta pyeti: “A dini ndonjë gjë përmendësh nga shpallja që i ka ardhur Pejgamberit tuaj?” Xhafer ibn Ebi Talibi (r.a.), tha: “Po, di.” Nexhashi tha: “Atëherë më këndo një pjesë prej saj.” Hz. Xhaferi lexoi ajetet e mëposhtme:

“Kaf, Ha, Ja, Ajn, Sad. Ky është rrëfim për mëshirën e Zotit tënd ndaj robit të Tij – Zekerijas. Kur ai e thirri Zotin e vet me lutje të fshehtë (duke thënë): “O Zoti im! Eshtrat tashmë më janë dobësuar, koka më shkëlqen nga thinjat dhe asnjëherë nuk kam mbetur i zhgënjyer nga lutja ime për Ty, o Zoti im!” (Merjem, 1-4)

Ndërsa po dëgjonte, Nexhashi filloi të qante. Lotët i lagën mjekrën. Për këtë arsye, i tha Xhafer ibn Ebi Talibit:

“Për Zotin kjo është një dritë që del nga i njëjti kandil. Ajo që ka sjellë Pejgamberi juaj dhe ajo që ka sjellë Isai dalin nga i njëjti kandil.”

Nexhashi u kthye nga kurejshit dhe u tha: “Ngrihuni dhe largohuni! Unë nuk ua dorëzoj kurrë këta juve.”

Kurejshët që s’po e kuptonin dot atë që ndodhi, ditën e nesërme shkuan përsëri te Nexhashi. Ata deshën ta nxisnin mbretin kundër myslimanëve duke i thënë: “O mbret! Këta njerëz që janë strehuar te ti, thonë fjalë të rënda për birin e Merjemes, Isain. Thirri ata dhe dëgjoji se çfarë thonë në lidhje me Isain.” Nexhashi urdhëroi që Xhaferi dhe shokët e tij të vinin përsëri. Pastaj i pyeti:

“Çfarë thoni ju për birin e Merjemes, Isanë?” Xhaferi (r.a.), iu përgjigj:

“Ne themi vetëm atë që thotë Pejgamberi ynë.” Nexhashi e pyeti:

“Çfarë thotë ai në lidhje me këtë çështje?” Hz. Xhaferi iu përgjigj:

“Pejgamberi ynë thotë se Isai ka qenë robi, pejgamberi dhe shpirti i Allahut. Gjithashtu thotë se ai ka qenë fjala e Allahut që e ka vendosur te Merjemja e virgjër dhe e ndershme.”

Nexhashi i ra vendit me dorë dhe shfaqi besimin e tij duke thënë: “Për Zotin, biri i Merjemes, Isai nuk ka qenë aspak i ndryshëm nga ato që thotë Pejgamberi juaj.” Pastaj u tha sahabëve:

“Shkoni! Këtej e tutje jeni të sigurt… Ai që ju ofendon apo ju sulmon, do të ndëshkohet.”

* * *

Xhafer ibn Ebi Talibi (r.a.) dhe bashkëshortja e tij jetuan të sigurt dhe në paqe në vendin e Nexhashit për dhjetë vjet. Në vitin e shtatë të hixhretit emigroi në Medine së bashku me myslimanët e tjerë. Kur arritën në Medine, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), sapo ishte kthyer nga çlirimi i Hajberit. Pejgamberi ynë i nderuar u gëzua aq shumë kur u takua me Xhaferin (r.a.), saqë tha:

 “Nuk e di se për çfarë të gëzohem. Për ardhjen e Xhaferit, apo për çlirimin e Hajberit.”

* * *

I Dërguari i Allahut (s.a.s.), e përkujtonte atë me llagapin “babai i fukarenjve”, sepse ai ishte shumë i butë dhe i mëshirshëm kundrejt të varfërve dhe të dobëtëve. Xhaferi (r.a.), i merrte të varfrit në shtëpi dhe i ushqente. Për shkak se ishte shumë i njohur me bujarinë e madhe, njerëzit i thoshin: “Xhevad ibn xhevad / bujari i biri i bujarit.”

Në vitin e tetë të hixhretit Resulullahu (s.a.s.), përgatiti një ushtri për të luftuar kundër Bizantëve. Zejd ibn Harithenë (r.a.), e emëroi komandant. Ushtarëve u tha: “Kur Zejdi të bie dëshmor, komandën ta marrë Xhaferi. Nëse edhe ai plagoset apo bie dëshmor, komandën le ta marrë Abdullah ibn Revaha.”

Kur ushtria e myslimanëve prej tre mijë ushtarësh arriti në Mu’te, u përball me ushtrinë e Bizantit prej njëqind mijë ushtarësh. Në fillim të luftës Zejdi ra dëshmor. Flamurin e mori Xhaferi (r.a.). Ai depërtonte nëpër rreshtat e armikut duke sulmuar me shpatë djathtas e majtas. Në ato momente mori një goditje që i këputi dorën e djathtë. Për këtë arsye, flamurin e mori me dorën e majtë. Pa kaluar shumë, mori edhe një goditje tjetër që i këputi dorën e majtë. Xhaferi Tajjar filloi ta mbante flamurin me kraharor dhe krahët e këputur. Kur deshi të sulmonte përsëri, mori edhe një goditje tjetër dhe ra dëshmor. Flamurin e mori Abdullah ibn Revaha. Edhe ai luftoi derisa i pasoi shokët e tij. Pra, ra dëshmor.

I Dërguari i Allahut (s.a.s.), u mërzit shumë për martirizimin e këtyre tre komandantëve. Ai shkoi te shtëpia e djalit të xhaxhait të tij, Xhaferit. Kur i përkëdheli me pikëllim fëmijët e tij, nuk i mbajti dot lotët.

Për shkak të kësaj, Esma (r.anha), e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Përse po qan? Mos vallë ka ardhur ndonjë lajm nga Xhaferi dhe shokët e tij?” Pejgamberi i mëshirës iu përgjigj: “Po, ata sot kanë rënë dëshmorë.” Pastaj i tha asaj që të mos i dilte ndonjë fjalë e papërshtatshme nga goja dhe shkoi në shtëpi.

Xhebraili (a.s.), erdhi dhe e ngushëlloi Profetin (s.a.s.), për fatkeqësinë që i kishte ndodhur. Pastaj e lajmëroi se Allahu Teala i kishte dhënë Xhaferit dy krahë prej rubini në vend të duarve që iu prenë dhe se Xhaferi tashmë ishte duke fluturuar në xhenet.”

Ja, për këtë arsye ai është përkujtuar me llagapin Xhaferi Tajjar. Kur Xhafer ibn Ebi Talibi ra dëshmor, ishte në moshën 41 vjeçare.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Allahu Teala na dhëntë edhe neve një moral të lartë si morali i Xhafer ibn Ebi Talibit (r.a.) dhe na bashkoftë me të në xhenet! Amin!

Share.

Comments are closed.