Jakubi tha: «Nuk është kështu, por ju keni kurdisur diçka. Unë do të kem durim. Shpresoj se Allahu do të m’i kthejë të gjitha, sepse Ai, në të vërtetë, është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë».” (Jusuf, 83)

Për shkak se djemtë e kishin gënjyer më parë Jakubin (a.s.), në lidhje me Jusufin, edhe pse kësaj here ata mund të thoshin të vërtetën, ai nuk deshi t’u besonte dhe u tha:

“Jo, juve ju ka mashtruar egoja juaj dhe ju ka shtyrë në një punë të tillë. Përndryshe, nga e dinte ministri se, sipas ligjit tonë, vjedhësi mbahet peng?”

(Jakubi) U largua prej tyre dhe tha: «O i mjeri unë për Jusufin!» Sytë i ishin zbardhur prej pikëllimit dhe ishte plot zemërim.” (Jusuf, 84)

Që prej ditës kur e humbi Jusufin, sytë e tij nuk panë gjumë. Në këtë gjendje që ishte, u afrua aq shumë me Allahun, saqë në atë kohë, në tokë nuk kishte njeri më të nderuar te Allahu se sa Jakubi (a.s.).

Në të njëjtën mënyrë, edhe Profeti ynë (a.s.), ka kërkuar prej besimtarëve të popullit të vet, që të bëjnë durim ndaj fatkeqësive të vogla e të mëdha që mund t’i godasin dhe, shpërblimin e atij durimi, ta shpresojnë vetëm prej Allahut të Madhëruar. Gjithashtu, Profeti (a.s.), ka thënë se; shpërblimi i durimit të atij i cili sprovohet me dy gjërat e tij më të dashura (pra marrjen e syve), është Xheneti. (shih. Buhari, Merda, 7.)

Për shkak të të qarave të shpeshta, Jakubit (a.s.), iu verbuan sytë. Por, nëse do t’i kishte parë me sytë e vet ato që punuan djemtë e tij, atëherë hidhërimi do t’i shtohej edhe më tepër.

*

Thuhet se, Jakubi (a.s.) ka qarë për dyzet vite me radhë. Lidhur me verbimin e tij, disa  njerëz të urtë kanë thënë:

Allahu i Madhëruar, ia dha Jakubit (a.s.) këtë verbim, me qëllim që ai të mos shihte pamjen e jashtme të Jusufit, por të shihte vazhdimisht bukurinë e cilësive të larta që Allahu kishte shfaqur tek ai. Kjo, sepse Allahu i Madhëruar, kishte shfaqur te Jusufi bukurinë e cilësive të Tij të larta. Për këtë arsye edhe Jakubi (a.s.), e donte shumë Jusufin. Mirëpo, për shkak të një gabimi të tij, Allahu e ndau Jusufin nga Jakubi dhe ia mori Jakubit (a.s.), sytë të cilat shihnin bukurinë e jashtme të Jusufit.

Këtu aludohet në faktin se, për sa kohë që robi nuk do t’i nxjerrë nga zemra bukuritë që sheh me sytë e tij fizikë, ai nuk mund të arrijë kurrë të shohë bukurinë e cilësive hyjnore.

Nuk hiqet shpresa nga mëshira e Allahut

“Ata thanë: «Për Allahun, ti po e përmend Jusufin pa pushim, saqë do të sëmuresh rëndë ose do të vdesësh!»

(Jakubi) tha: «Unë dhimbjen dhe pikëllimin tim ia paraqes vetëm Allahut, e nga Allahu di atë që nuk e dini ju. O bijtë e mi, shkoni e kërkoni lajme për Jusufin dhe vëllain e tij dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humb askush, përveç jobesimtarëve».” (Jusuf, 85- 87)

T’i presësh shpresat prej Allahut, do të thotë të mos i kuptosh cilësitë e Tij “Rrahman” dhe “Rrahim”; do të thotë të mos e njohësh mëshirën hyjnore. Madje, edhe Faraoni e përmendi emrin e Allahut në frymën e tij të fundit!

Allahu i Madhëruar urdhëron:

“Mos e prisni shpresën prej mëshirës së Allahut!” (Zumer, 53)

Jakubi (a.s.), i cili gjithmonë jetonte me këtë parim, nuk e humbi shpresën, por me anë të djemve, i dërgoi një letër ministrit të Egjiptit:

“Bismil’lahirrahmanirrahim!

Ministrit të Egjiptit, prej Israil Jakubit, birit të Zebiullah Is’hakut, birit të Halilullah Ibrahimit:

Ne jemi një fis që ka përjetuar shumë fatkeqësi. Gjyshi im, Ibrahimi, u sprovua me zjarrin e Nemrudit dhe duroi. Dhe, Allahu e shpëtoi atë. Edhe im atë u sprovua me vështirësi të tjera dhe duroi. Allahu e shpërbleu edhe atë. Sa për mua, edhe unë humba tim bir, Jusufin. Që kur jam ndarë prej tij, kam qarë aq shumë, sa i humba sytë dhe beli m’u kërrus. Veten e ngushëlloja me djalin tjetër që ma keni mbajtur peng. Paskeni thënë se ka vjedhur. Por, prej fisit tonë, nuk dalin vjedhës. Ne nuk lindim vjedhës. Ma ktheve djalin, mirë; nuk ma ktheve, do të të mallkoj në atë mënyrë, sa që ai mallkim do të zërë bijtë e tu për shtatë breza me radhë!”

Kur Jusufi (a.s.), e  lexoi këtë letër, qau dhe i ktheu këtë përgjigje:

“Bismil’lahirrahmanirrahim!

Israil Jakubit prej ministrit të Egjiptit:

O njeri i moshuar! Letra jote më erdhi. E lexova dhe e kuptova. Ti më shkruan për etërit e tu, për fatkeqësitë që u kanë rënë dhe për durimin e tyre. Prandaj, duro edhe ti siç kanë duruar edhe ata! Paqja qoftë mbi ty!..”

Kur e mori Jakubi (a.s.), e lexoi letrën, tha:

“Betohem në Allahun se, kjo nuk është një letër sundimtari, por një letër profeti! Ai që e ka shkruar këtë letër s’mund të jetë tjetërkush veç Jusufit!..”

Pas kësaj, i dërgoi sërish djemtë në Egjipt që të mësonin se si qëndronte e vërteta. Dhe ata, dolën menjëherë në udhë.

“Kur ata dolën para Jusufit, thanë: «O ministër, ne dhe familjen tonë e ka goditur një fatkeqësi e madhe dhe kemi sjellë pak gjëra! Sidoqoftë, na e plotëso masën (për ushqimin) tonë dhe na jep lëmoshë, sepse Allahu i shpërblen dhënësit e lëmoshës».

Ai tha: «A nuk e mbani mend çfarë keni bërë me Jusufin dhe vëllain e tij, kur ishit të paditur?»” (Jusuf, 88-89)

Siç shprehet edhe në komentimet e Kuranit, vëllezërit që e kishin hedhur Jusufin në pus, e kishin munduar vazhdimisht edhe vëllain e tij të vogël, Benjaminin.

Një falje shembullore

“Ata thanë: «Mos vallë, ti je vërtet Jusufi?!» Ai u përgjigj: «Po, unë jam Jusufi e ky është vëllai im. Allahu na mëshiroi. Atë që ruhet (nga gjynahet) dhe bëhet i durueshëm, Allahu e shpërblen, se Ai kurrë nuk ia humb shpërblimin punëmirëve».

Ata thanë: «Betohemi në Allahun, vërtet që Allahu të ka ngritur ty mbi ne dhe ne paskemi qenë vërtet të gabuar».

Ai u tha: «Sot s’ka qortim për ju; Allahu do t’ju falë. Ai është më i Mëshirshmi i mëshiruesve!»” (Jusuf, 90-92)

Njëra prej metodave më të mira të edukimit, është t’i përgjigjesh të keqes me të mirë. Kjo mënyrë sjelljeje, largon armiqësinë e armikut dhe i hap vendin qëllimit të mirë dhe miqësisë. Madje, nëse ai që bën keq, është mik, ai bëhet edhe më i afërt. Sa bukur është shprehur ky fakt në Kuranin Fisnik:

وَلَا تَسْتَوِي الْحَسَنَةُ وَلَا السَّيِّئَةُ ۚ ادْفَعْ بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ فَإِذَا الَّذِي بَيْنَكَ وَبَيْنَهُ عَدَاوَةٌ كَأَنَّهُ وَلِيٌّ حَمِيمٌ

“Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë, e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë.” (Fussilet, 34)

Ja dhe një shembull mësimdhënës prej të Dërguarit të Allahut (a.s.), në lidhje me këtë çështje:

Para profecisë, Ebu Sufjani ishte mik me Profetin. Mirëpo, pas profecisë, ai u bë armiku i tij dhe filloi të shkruante poezi që e nxinin figurën e Profetit (a.s.). Këtyre poezive poshtëruese, u përgjigjej poeti Hasan bin Sabiti (r.a.). Më vonë, Ebu Sufjani u pendua për ato që kishte bërë dhe mori udhën për të shkuar në Medine, ku gjendej edhe Profeti (a.s.). Kur ishte duke kaluar në rajonin  Ebua, u shkëmbye me Profetin (a.s.), i cili nuk ia hodhi sytë fare. Ebu Sufjani, u prek shumë nga kjo gjë dhe i kërkoi falje me anë të ajetit 91 të sures Jusuf, që ia kishte mësuar Aliu (r.a.), më herët:

“Betohem në Allahun, vërtet që Allahu të ka ngritur ty mbi ne dhe ne paskemi qenë vërtet të gabuar»”

Ndërsa Profeti ynë (a.s.), i cili ishte një oqean mëshire dhe dhembshurie, lexoi ajetin vijues nga surja Jusuf:

«Sot s’ka qortim për ju; Allahu do t’ju falë. Ai është më i Mëshirshmi i mëshiruesve!»

Me këtë veprim, Profeti ynë (a.s.), e fali Ebu Sufjanin dhe të gjithë ata që e kishin sharë dhe ofenduar deri atëherë.[1]

Vendoseni këmishën time në sytë e babait tim

Pasi i fali vëllezërit me një zemërgjerësi të madhe, Jusufi (a.s.), i dërgoi tek i ati, duke u dhënë këmishën e vet e duke i porositur:

“Shkoni me këtë këmishë timen dhe vëreni në fytyrën e atit tim e ai do të shohë, dhe m’i sillni tërë familjet tuaja!” (Jusuf, 93)

Jusufi i gostiste vëllezërit e tij mëngjes e mbrëmje, duke i mikpritur në mënyrën më të mirë. Mirëpo, ata ndiheshin të turpëruar, për shkak se u kujtoheshin të këqijat që i kishin bërë më parë. Prandaj,  dërguan dikë tek ai dhe i thanë:

“Ti po na gostit natë e ditë. Mirëpo neve na vjen turp prej teje për shkak të atyre që të kemi bërë!..”

Ndërsa Jusufi (a.s.), përballë ndjenjës së tyre të turpit, u përgjigj i përulur dhe në mënyrë modeste, duke thënë:

“Deri sot, egjiptianët më kanë parë vetëm si një skllav që ka dalë nga burgu dhe thoshin: «Lartësuar qoftë Zoti! Por pa shiko gradën që ka arritur një skllav i shitur për njëzet dirhemë!» Unë, në sajën tuaj, kam fituar nder, sepse ata e kuptuan që unë jam vëllai juaj dhe nipi i një profeti të madh si Ibrahimi (a.s.)!” Në këtë mënyrë, Jusufi i qetësoi vëllezërit e tij.

Kur karvani u largua nga vendi (Egjipti), babai i tyre tha: «Unë, me të vërtetë, po ndiej erën e Jusufit, ndonëse ju mund të më quani matuf ».

Ata thanë: «Për Allahun, me të vërtetë, ti edhe tani qëndron në gabimin e mëparshëm».” (Jusuf, 94-95)

Jakubit (a.s.) i hapen sytë

Kur erdhi lajmëtari me lajmin e mirë dhe ia vuri këmishën në fytyrë, atij iu kthye shikimi. Ai tha: «A nuk ju kam thënë se unë di nga Allahu atë që ju nuk e dini?»” (Jusuf, 96)

Ai që solli lajmin e mirë, ishte djali i madh i Jakubit (a.s.), Jehuda. Sipas një transmetimi, thuhet se ai ka ecur këmbëzbathur dhe kokëzbuluar, prej Egjiptit deri në rajonin e Kenanit, me mendimin se: “Unë ia çova babait këmishën e përgjakur të Jusufit, duke e mbytur në hidhërim. Prandaj, tani unë do t’ia çoj përsëri këtë këmishë babait, që ta mbys në gëzim”.

Lidhur me këtë ajet fisnik, i nderuari Xhelaledin Rumiu, faktin se “dituria e fshehtë” (ilmi leduni – dituria hyjnore), është një dhunti hyjnore, e cila u jepet vetëm atyre që kanë aftësitë e duhura shpirtërore, e shpreh në këtë mënyrë:

“Cilësitë e jashtëzakonshme që pa Jakubi (a.s.) në fytyrën e Jusufit (a.s.), ishin cilësi që gjendeshin edhe tek vetë Jakubi (a.s.). Në sajë të intuitës së tij, dritën që pa Jakubi (a.s.), tek Jusufi (a.s.), nuk mundën ta shihnin edhe vëllezërit e tij, sepse bota e tyre shpirtërore nuk mund t’i shihte dhe kuptonte cilësitë e jashtëzakonshme të Jusufit (a.s.). Për rrjedhojë, kur Jakubi (a.s.), i cili ishte i Dërguari i Allahut, i pa cilësitë që gjendeshin tek Jusufi (a.s.), zemra e tij anoi nga ai.

Jakubi (a.s.), kishte ndjenja të veçanta në lidhje me Jusufin (a.s.). Prandaj edhe era e këmishës së Jusufit arriti tek ai prej një largësie të madhe. Ndërkohë që, vëllai që e barte vetë atë këmishë, ishte i paaftë për ta ndjerë erën e saj. Kjo, sepse këmisha e Jusufit (a.s.), ishte thjeshtë një amanet në dorën e vëllait të tij. Ai ishte i ngarkuar vetëm me detyrën për t’ia çuar dhe dorëzuar këmishën Jakubit (a.s). Me fjalë të tjera, këmisha në dorë të vëllait ishte si një skllave e çmuar në dorën e një tregtari skllevërish. Mirëpo, kjo skllave nuk ishte për tregtarin e skllevërve, por për atë që ia di vlerën e vërtetë asaj dhe e blen atë.”

*

 “Ata thanë: «O babai ynë, kërko falje për ne e për gabimet tona! Ne paskemi qenë vërtet gjynahqarë».

Ai u përgjigj: «Do ta lus Zotin tim që t’ju falë. Pa dyshim që Ai është Falësi dhe Mëshirëploti».” (Jusuf, 97-98)

Thënia e Jakubit (a.s.): “Do ta lus Zotin tim që t’ju falë” dhe lënia e kësaj për më vonë, është për të treguar se, fajtori në fillim duhet të falet prej të dëmtuarit. Për rrjedhojë, edhe falja e tyre u shty derisa ata u takuan me Jusufin.

Koha e bashkimit pas një malli të gjatë; Lumturia dhe realizimi i ëndrrës

Së bashku me Jusufin (a.s.), mbreti dhe i gjithë populli kishin dalë për të pritur Jakubin (a.s.) dhe familjen e tij. Kur erdhën përballë njëri-tjetri, Jakubi (a.s.) dhe të gjithë ata që ishin me të, zbritën nga kuajt dhe dy profetët përqafuan njeri-tjetrin.

Allahu i Madhëruar urdhëron:

“Kur ata hynë te Jusufi, ai i afroi pranë prindërit e vet dhe tha: «Hyni në Egjipt! Me lejen e Allahut, ju do të jeni të sigurt prej çdo të keqeje».” (Jusuf, 99)

Gjithmonë, shpërblimet e mëdha kanë ardhur pas durimit të treguar përballë fatkeqësive dhe sprovave të vështira.

Menjëherë pas këtij bashkimi, Jakubi (a.s.), ngriti duart dhe duke falënderuar Allahun  u lut:

“O Allah! Fali vajtimet e mia për Jusufin, durimin e dobët për shkak të ndarjes nga ai dhe të këqijat e bijve të mi ndaj vëllezërve të tyre!”

Gjithashtu, edhe Jusufi (a.s.) ishte i përfshirë nga një ndjenjë e thellë falënderimi:

“Ai i ngriti prindërit e vet në fron dhe ata të gjithë iu përulën atij. Ai tha: «O babai im, ky është shpjegimi i ëndrrës sime të dikurshme. Zoti im e përmbushi atë. Mua më bëri mirësi, kur më nxori nga burgu, kurse juve ju solli nga shkretëtira, pasi shejtani kishte futur ngatërresë midis meje dhe vëllezërve të mi. Vërtet, Zoti im është i Butë me kë të dojë; Ai është i Gjithëdijshmi dhe i Urti!

O Zoti im! Ti më ke dhënë pushtet dhe më ke mësuar shpjegimin e ëndrrave! O Krijues i qiejve dhe i Tokës, Ti je Mbrojtësi im edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër! Bëj që të vdes si mysliman dhe më shoqëro me punëmirët (në botën tjetër)!»” (Jusuf, 100-101)

Siç transmetohet, Jakubi (a.s.), vdiq në Egjipt pasi jetoi njëzetekatër vite pranë të birit. Sipas porosisë së lënë më herët, ai u varros në Damask, pranë të atit, Is’hakut (a.s.). Për shkak se egjiptianët e deshën shumë Jusufin (a.s.), dëshironin që ai të qëndronte në vendin e tyre. Jusufi jetoi njëzetetre vite pas të atit. Thuhet se, pas vdekjes, trupin e tij e futën në një sënduk të mermertë dhe e hodhën në Nil. Më vonë, Musai (a.s.), e nxori trupin e tij dhe e varrosi pranë të atit, Jakubit (a.s.).

 

[1] -Uakidi, Megazi, II, 810-811; Ibn Hisham, Siret, IV, 20-24; Ibn Abdilber, el-Istiab, IV, 1674.

Share.

Leave A Reply