Ebu Hurejre (r.a.), transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:

“Namazi i njeriut me xhemat, është njëzet e ca shkallë më i vlefshëm se namazi që ai fal në shtëpinë e tij apo diku tjetër. Kush merr abdes në mënyrën më të mirë, pastaj shkon në xhami duke mos i interesuar asgjë tjetër përveçse falja e namazit me xhemat, për çdo hap të tij, i shtohet një gradë dhe i shlyhet një gjynah, derisa të hyjë në xhami. E kur të hyjë në xhami, fiton sevape njësoj sikur është duke falur namaz për aq kohë sa qëndron për të falur namazin. Derisa nuk largoheni prej vendit që falni namaz, nuk dëmtoni njeri dhe nuk e prishni abdesin, melekët luten duke thënë:

«O Zot, mëshiroje! O Zot, fale! O Zot, pranoja pendimin!»”

-Muttefekun alejhi-

(Buhari, Salat 87, Ezan 30, Buju’ 49; Muslim, Mesaxhid 272. Shih. Ebu Daud, Salat 48; Ibni Maxhe, Mesaxhid 14, 16, 19.)

Shpjegime

Islami e ka konsideruar të domosdoshëm unitetin dhe bashkimin. Për këtë arsye, ai i ka dhënë një rëndësi shumë të madhe faljes së namazit me xhemat, që është edhe një prej faktorëve kryesorë që e realizon këtë synim. Për rrjedhojë, namazi që falet me besimtarët e tjerë në xhami, është shumë më i vlefshëm se namazi që falet vetëm në shtëpi, ose në vendin e punës. Pra, siç e shpreh edhe Hadithi, namazi që falet me xhemat, është njëzetë e kusur, sipas transmetimeve të ndryshme, njëzetepesë, madje edhe njëzeteshtatë shkallë më i vlefshëm.

Edhe pse namazi që falet me xhemat në shtëpi apo në punë, nuk është më i vlefshëm se ai që falet në xhami me xhemat, padyshim se ai është më i vlefshëm se namazi që falet vetëm, pa xhemat. Namazi që falet në vendin e punës, e sidomos në tregje apo dyqane, nuk është fort i konsiderueshëm, sepse në përgjithësi, në këto vende gënjehet, mashtrohet dhe kryhen vjedhje gjatë tregtisë. Po t’i shtosh këtyre edhe frikën se mos ikën klienti dhe dëshirën për të shitur mallin, falja e namazit në këto vende me përkushtimin e duhur, bëhet mjaft i vështirë.

Në Hadith, kërkohet që ai, i cili bëhet gati të shkojë në xhami për të falur namazin, si fillim duhet të marrë abdes në mënyrën më të mirë. Kjo kërkesë, nënkupton larjen e mirë të gjymtyrëve , duke zbatuar të gjitha rregullat e Sunetit dhe të edukatës së abdesit. Më pas, ai person duhet të shkojë në xhami vetëm për të falur namaz me xhemat, e jo për ndonjë qëllim tjetër. Pra, sinqeriteti dhe qëllimi duhet të jenë të plotë.

Nëse shtëpia ndodhet larg xhamisë, të jep mundësinë të ngrihesh një gradë më lart dhe të të shlyhet një gjynah për çdo hap që hedh, derisa të hyshë në xhami. Lidhur me këtë fakt, i Dërguari i Allahut (a.s.), bën këtë shpjegim:

“Ata që marrin më tepër sevape në sajë të namazit, janë ata të cilët vijnë duke ecur nga vendet që janë më larg xhematit (xhamisë).” (Buhar, Ezan, 31.)

Po ashtu, edhe pritja e namazit që do të falet me xhemat, ka shpërblime të veçanta. Një person që pret kohën e namazit, qoftë në xhami, qoftë diku tjetër, konsiderohet sikur të jetë në namaz. Fitimi që kanë ata, të cilët e presin namazin në xhami, janë edhe sevapet e njëjta sikur po falin namaz, edhe lutjet e melekëve për ta. Veçse, këtu duhet të bëhet kujdes lidhur me një çështje delikate, siç është ruajtja nga cenimi i të tjerëve dhe nga prishja e abdesit. Me cenimin e të tjerëve, nënkuptohen thashethemet dhe fyerja e dikujt me dorë apo me fjalë. Sa i përket abdesit, mund të thuhet se melekët, të cilët janë krijesa shpirtërore, nuk ndihen mirë kur dikush qëndron në xhami pa abdes. Kjo është edhe arsyeja e kushtit të mos prishjes së abdesit gjatë pritjes së namazit në xhami.

Një namaz i falur me ndjenja të tilla, pra, me sinqeritet dhe me dëshirën për të fituar kënaqësinë e Allahut, përveç mirësive të tjera, shpërblehet edhe me njëzet e ca gradë më tepër. Kjo sasi, në disa hadithe është përmendur si 25, e në disa të tjera më të sakta, është përmendur si 27 gradë. (shih. Hadithin 1066.) Është e sigurt se dallimi në gradë, është për shkak të ndikimit që ka sinqeriteti, qetësia dhe përkushtimi që ndjen ai që fal namaz. Një shpërblim tjetër i namazit që falet me qetësi shpirtërore, është lutja e melekëve. Këta melekë që luten për ne, mund të jenë melekët mbrojtës, ose edhe melekë të tjerë. Ndërsa lutjet e tyre, janë kërkim faljeje dhe mëshire për ne.

Kështu, me pranimin e lutjeve të melekëve, Allahu i Madhëruar ia fal gjynahet robit të Vet dhe e mëshiron atë duke i dhuruar mirësi të shumta.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Ashtu si në çdo punë, edhe në shkuarjen në xhami për faljen e namazit me xhemat, kërkohet sinqeritet dhe qëllim i pastër vetëm hir të Allahut.
  2. Namazi i falur me xhemat, është më i vlefshëm për njëzet e ca shkallë më tepër se ai i falur vetëm.
  3. Shkuarja në xhami për të falur namazin me xhemat dhe pritja deri për namaz, i sjell njeriut shpërblime të shumta.
  4. Për shkak se qëndrimi në xhami pa abdes i shqetëson melekët, ata që veprojnë kështu, privohen nga lutjet e tyre për ta.
  5. Pritja e kohës së namazit në xhami, ose në ndonjë vend tjetër, ka sevape të shumta.
  6. Falja e namazit në vendin e punës është i lejuar, por ka më pak sevape se falja në vende të tjera.
  7. Marrja e abdesit në mënyrën e duhur, ka sevape të shumta.
Share.

Comments are closed.