Enes Ibni Malik (r.a.), transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:

“Nëse Allahu i dëshiron të mirën robi të Vet, Ai ia shpejton dënimin në këtë botë. E nëse Allahu dëshiron dënimin e robit të Vet, Ai ia lë gjynahet e pa falura në këtë botë, me qëllim që ai të vijë i mbushur me gjynahe Ditën e Gjykimit, ku do ta gjejë belaja.”

Po ashtu, i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:

“Vërtet madhësia e shpërblimit është sipas madhësisë së vështirësisë (fatkeqësisë). Vërtet kur Allahu e do një popull, e sprovon me fatkeqësi. Kush është i kënaqur me Allahun në fatkeqësi (bela), edhe Allahu është i kënaqur me të. Por, kush hidhërohet për këtë, edhe Allahu hidhërohet me të.”

(Tirmidhi, Zuhd, 57. Shih. Ibni Maxhe, Fiten, 23.)

Shpjegime

Allahu i Madhëruar i provon robërit e tij me sprova të ndryshme në këtë botë. Mirëpo kjo, jo gjithmonë nënkupton dënim. Allahu i sprovon me fatkeqësi edhe robërit, të cilëve u do të mirën. Nëse robi që sprovohet bën durim, i falen gjynahet dhe, në botën tjetër shkon i pastër nga gjynahet. Kjo është mirësia më e madhe për robin. Pra, ky Hadith, duke na kujtuar pikërisht këtë të vërtetë, i këshillon me durim ata të cilët janë goditur nga fatkeqësitë. Kjo, nuk do të thotë se njeriu duhet të kërkojë të goditet nga fatkeqësitë, sëmundjet dhe vështirësitë. Ne jemi të urdhëruar të kërkojmë shëndet dhe mirësi prej Allahut. Mirëpo, duhet të bëjmë durim ndaj fatkeqësive që na godasin.

Ndërkohë, nuk duhet pandehur se ata të cilët bëjnë gjynahe dhe nuk dënohen në këtë botë, favorizohen me mirësi. Ditën e Kiametit, ata do të vijnë para Allahut bashkë me gjynahet që kanë bërë dhe – nëse Allahu nuk i fal-, do të vuajnë të plotë dënimin e gjynaheve të tyre. Dhe, padyshim se vështirësitë e kësaj bote, janë shumë më të lehta se ndëshkimi në botën tjetër. Për këtë arsye, ata që e kanë vuajtur dënimin e tyre në këtë botë, do të jenë më të fituar.

Në pjesën e dytë të Hadithit, jepet lajmi i mirë se çdo sprovë që kalohet me durim, do të ketë edhe shpërblimet sipas vështirësisë së tyre. Dhe ky është një kriter jashtëzakonisht i rëndësishëm në aspektin e dhënies forcë për të duruar ndaj fatkeqësive të rënda dhe serioze. Allahu kënaqet me robërit e Tij durimtarë dhe u jep atyre shpërblime pa masë. Por, ata që tregohen rebelë dhe nuk bëjnë durim në raste fatkeqësish, do të pësojnë dënimin e Allahut, sepse “kush bën keq dënohet!” [Nisa, 123.]

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Durimi ndaj vështirësive dhe sëmundjeve që të godasin, bëhet shkak i pastrimit nga gjynahet.
  2. Fatkeqësitë dhe problemet, jo gjithmonë nënkuptojnë dënim nga Zoti, sepse Allahu mund ta godasë me fatkeqësi edhe robin që e do.
Share.

Leave A Reply