Kurani tërheq vëmendjen mbi thelbin e ndodhive. Ai nuk u jep shumë rëndësi elementëve të kohës dhe vendit si dhe emrave të tyre. Sepse hyrja në hollësira që nuk i shërbejnë qëllimit për të marrë shembull prej ndodhive, e mbyt çështjen mes hollësirave. Për rrjedhojë, duke e ngarkuar idenë që duhet të dalë, e bën të vështirë për t’u kuptuar. Një tjetër veçori që bie në sy në rrëfimet e Kuranit është edhe kjo:

Kurani merr nga ndodhia që përcjell vetëm atë pjesë që përmban qëllimin për të cilin e merr si shembull. Meqë i jep rëndësi nënvizimit të qëllimit fetar të ndodhisë në fjalë, Kurani rrëfen ndodhinë nga kreu, mesi ose fundi, pa marrë parasysh rrjedhën historike. Kurani nuk e lë lexuesin të humbë mes ndodhive të rrëfimit; mes radhëve të rrëfimit ai ka “spërkatur” analogji dhe udhëzime fetare që i japin blerim klimës së zemrës.

Rrëfimet e Kuranit nisin me një hyrje tërheqëse për lexuesin. Ndodhitë nuk radhiten me shprehje të thata, por paraqiten të konkretizuara me anë të një përshkrimi plot lëvizje e gjallëri. Shprehjet janë simbolike, domethënë tregohen skena të rëndësishme, kurse shumë hollësi që përmbajnë ato, i lihen imagjinatës së lexuesit. Për shembull, në suren Jusuf, ëndrra që pa Jusufi (a.s.) dhe ia tregoi babait të tij, Jakubit (a.s.), tregohet me një hyrje mjaft tërheqëse dhe një përshkrim të gjallë:

“Kur Jusufi i tha babait të vet: «O babai im! Unë pashë në ëndërr njëmbëdhjetë yje, Diellin dhe Hënën! I pashë të më përuleshin në sexhde». Ai i tha: «O biri im! Mos ua trego ëndrrën tënde vëllezërve të tu, që të mos kurdisin ndonjë gjë kundër teje, sepse, vërtet, djalli është armik i hapët i njeriut.»” (Jusuf, 4-5)

*

Një tjetër prej veçorive më të rëndësishme të Kuranit, është përsëritja. Më shumë se në temat e tjera, në Kuran, përsëritja ndihet tek rrëfimet. Në të vërtetë, kjo nuk është thjeshtë një përsëritje. Është një model stilistik,  i cili brenda atmosferës së përgjithshme të sures, me rastin e parantezave e të introduktave, përmban për çdo radhë, hollësi të veçanta. Kështu, çdo detaj i veçantë, si simbol i një mësimi të caktuar, u hap zemrave një mijë e një dritare sublime për të parë kah botët e fshehta. Për shembull, fakti që shejtani nuk ra ne sexhde para Ademit (a.s), bëhet i ditur duke u përsëritur disa herë dhe, për çdo radhë tërhiqet vëmendja mbi njërën prej hileve dhe dinakërive të tij.

Për shembull, në ajetin 74 të sures Sad, tregohet se mburrja dhe mendjemadhësia e çoi shejtanin në mohim. Me këtë, tregohet se, nëse sëmundja e mendjemadhësisë nuk kurohet, ajo është një sëmundje shumë e rrezikshme, që mund ta çojë njeriun në mohimin e Zotit. Në ajetet 11 dhe 12 të sures A’raf, tregohet se shejtani, i cili më parë ndodhej në mes të melekëve dhe gëzonte mirësi të mëdha, në vend që të falënderonte për këto mirësi, u tregua mosmirënjohës dhe e kundërshtoi urdhrin e Allahut, duke e quajtur këtë një epërsi. Ndërsa në ajetin 31 të sures Hixhr, tregohet se shejtani kishte rënë aq shumë në batakun e mendjemadhësisë, saqë ishte verbuar së brendshmi. Ai e shikonte formën e Ademit (a.s.), të krijuar prej balte, por nuk e shikonte dot shpirtin që i ishte fryrë atij nga Vetë Allahu i Madhëruar.

Përsëritja është kumtimi i qëllimit thelbësor me anë të mënyrave të ndryshme të shprehjes. Prandaj edhe çështjet e zakonshme nuk përsëriten. Për shembull, lindja, rinia dhe martesa e Musait (a.s.), nuk përsëriten. Ndërkaq, shumë veçanti të rëndësishme, për nga synimi i misionit profetik, si takimi i tij me Faraonin, provimi me magjistarët dhe gjendja e popullit të prishur të bijve të Izraelit përsëriten në shumë vende.

Nga ana tjetër, kur pjesët e informacionit lidhur me një person, të  përmendura në vende të ndryshme, sillen bashkë në një vend, vihet re një tërësi e përsosur. Kështu, çdo rrëfim paraqet tërësinë e një teme të vetme pa asnjë kundërshti ose mospërputhje mes pjesëve të tij.

Në rrëfimet bëhet më shumë  përsëritja e kuptimeve. Qëllimi më i rëndësishëm i kësaj është që synimet e larta dhe hyjnore t’u injektohen zemrave e shpirtrave, sepse njeriu e  përvetëson më mirë atë që kërkohet, në se çështja përkatëse  i parashtrohet duke iu përsëritur me forma, stile dhe shprehje të ndryshme. Dhe kjo, tregon se, përsëritja në librin e Zotit, zë vend si një mënyrë edukimi hyjnore e përshtatshme për psikologjinë njerëzore.

Në përsëritjen e kuptimeve, ndonjëherë përmenden detaje, e ndonjëherë përmenden përmbledhje. Kështu, Kurani u drejtohet niveleve dhe mendësive të ndryshme, sepse ndërsa disa njerëzve u mjafton  një përmbledhje e shkurtër, disa të tjerëve u duhen hollësi. Ndërsa përsëritja në Kuran e fjalëve dhe fjalive, krahas qëllimit përforcues, është për të siguruar njërin prej detajeve esenciale të stilistikës së kumtimit siç janë shkaktimi i mahnitjes dhe habisë, frikësimi, paralajmërimi dhe gjallërimi i përfytyrimit. Për shembull në suren “Karia / Krisma (e Kiametit)”, përsëritja tri herë e fjalës “El-Kaaria” mbështetet në urtësinë e idesë për ta bërë lexuesin ta ndiejë thellë pamjen e tmerrshme të Kiametit.

Nga ana tjetër, fjalia “E cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?”, e cila në suren “Rrahman” vjen pas fjalive ku numërohen të mirat e krijuara prej Zotit për njerëzit dhe xhindet, duke u përsëritur tridhjetë e një herë, ua kujton njerëzve, duke ua hapur perdet e indiferencës, se e kanë për detyrë t’i njohin të mirat dhe të falënderojnë.

Kurani, i cili është një udhëzues që fton për tek e vërteta, përkrah çështjeve të tjera që përmban, në të njëjtën kohë, ai është edhe një libër lutjeje dhe dhikri. Ndërsa synimi i lutjes dhe i dhikrit, shfaqet më tepër me anë të përsëritjes.

*

Në rrëfimet e Kuranit, profetët paraqiten si personalitetet më të zgjedhur ndër të gjithë njerëzit, në çdo aspekt të njerëzimit. Këta profetë, janë zgjedhur me vullnetin dhe caktimin e Allahut. Në Kuran urdhërohet:

“Ne zgjodhëm dhe udhëzuam në rrugë të drejtë edhe disa nga paraardhësit, pasardhësit dhe vëllezërit e tyre.” (En’nam, 87)

Zgjedhja e profetëve për këto detyra hyjnore, u ka ngarkuar atyre përgjegjësi të mëdha dhe të rënda. Kështu, Zoti duke u shprehur krejt hapur e qartë si në ajetin e mëposhtëm, thotë se edhe ata janë po aq të dobët dhe nevojtarë si të tjerët dhe kurrsesi nuk mund t’u atribuohet ndonjë cilësi hyjnore:

“Pa dyshim, Ne do të kërkojmë llogari prej popujve që u kemi çuar të dërguar, e patjetër që do t’i pyesim edhe të dërguarit.” (A’raf, 6)

Siç bëhet e qartë edhe në ajet, megjithëse profetët janë nën garancinë hyjnore, ata do të merren në pyetje sipas nivelit të përgjegjësisë së misionit kumtues të tyre.

Këtu duhet të theksojmë se, detyra e kumtimit të urdhrave hyjnorë që kishin të gjithë profetët e tjerë përveç Muhamedit (a.s.), ishte e kufizuar në një kohë të caktuar. Për rrjedhojë, prej tyre nuk është trashëguar ndonjë sistem i pasur sjelljesh, të cilat do të ishin shembull për brezat e mëvonshëm. Mirëpo, për shkak se Profeti ynë, Muhamedi (a.s.), i drejtohet të gjithë brezave, në të gjitha kohërat dhe vendet, prej ditës që është dërguar si profet e deri në ditën e Kiametit, çdo fjalë dhe vepër e tij, është ruajtur me kujdes të jashtëzakonshëm dhe ka mbërritur tek ne në një mënyrë të saktë me çdo detaj. Dhe kjo, do të vazhdojë deri në Ditën e Kiametit, sepse ai është parashikuar të jetë një shembull i përsosur i popullit të fundit para Kiametit.

Morali i Profetit tonë (a.s.), ishte morali i Kuranit. Për shkak se që prej zbritjes së tij, e deri në Ditën e Kiametit, Kurani Fisnik është udhëzuesi i rrugës së drejtë për botën njerëzore, si në aspektin e kësaj bote ashtu edhe në aspektin e botës tjetër, ai i ka korrigjuar jetët dhe botëkuptimet e devijuara të shoqërive në errësirat e mohimit dhe refuzimit të Zotit, duke prekur botën e tyre të zemrës. Në këtë mënyrë, ai ka realizuar revolucionin më të madh të njerëzimit. Kurani Fisnik, këtë detyrë do të vazhdojë ta kryejë aq sa të ekzistojë edhe njerëzimi.

*

Për të treguar pamundësinë e krijimit të diçkaje të ngjashme me Kuranin Fisnik, Allahu i Madhëruar ka sfiduar të gjithë botën e njerëzve dhe të xhindëve pa përcaktuar afat kohor. Kjo sfidë deri më sot ka mbetur pa përgjigje. Kjo e vërtetë shprehet kështu në Kuran:

“Thuaj: «Sikur të tuboheshin të gjithë njerëzit dhe xhindet për të hartuar një Kuran të tillë, ata nuk do të mund të hartonin një të ngjashëm me të, madje, edhe sikur ta ndihmonin njëri – tjetrin.»” (Isra, 88)

Megjithëse Allahu i Madhëruar e ka ulur këtë sfidë deri në sjelljen e vetëm dhjetë sureve të ngjashme me Kuranin, përsëri njerëzit nuk kanë mundur të sjellin një të ngjashme me të. Allahu i Madhëruar urdhëron:

“Nëse ata thonë: «Ai e ka trilluar atë!» Thuaju (o Muhammed!): «Sillni dhjetë sure të ngjashme (në bukuri dhe elokuencë) të trilluara dhe thirrni në ndihmë kë të mundni, përveç Allahut, nëse thoni të vërtetën!»” (Hud, 13)

Më në fund, Allahu i Madhëruar, e ka ulur kufirin e kësaj sfide në sjelljen e vetëm të një sureje, me qëllim që njeriu të kuptojë se është i paaftë të bëjë diçka të tillë dhe se Kurani është fjalë e pastër hyjnore. Lidhur me këtë çështje, në Kuran urdhërohet:

“Nëse ju dyshoni në atë që ia kemi zbritur robit tonë (Muhammedit a.s.), atëherë hartoni një sure të ngjashme me atë që ia kemi shpallur atij! Thirrni në ndihmë edhe dëshmitarët tuaj (që i adhuroni) në vend të Allahut, nëse jeni të sinqertë. Nëse nuk mundeni, dhe kurrsesi nuk do të mundeni, atëherë ruajuni zjarrit, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët dhe që është përgatitur për të ndëshkuar mohuesit.” (Bekare, 23-24)

*

Për të kuptuar Kuranin Fisnik, për ta perceptuar atë, për ta ndjerë, dëgjuar dhe arritur të fshehtat e tij, ka nevojë për një zemër të pastër. Kjo, sepse Kurani Fisnik, i hap të fshehtat e tij në bazë të gjendjes së zemrës. Lidhur me këtë Allahu i Madhëruar urdhëron:

أَفَلَا يَتَدَبَّرُونَ الْقُرْآنَ أَمْ عَلَىٰ قُلُوبٍ أَقْفَالُهَا

“Vallë, a nuk e përsiatin ata  Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?!” (Muhammed, 24)

Zemrat e errëta, s’kanë ç’të marrin prej Kuranit Fisnik. Prandaj, megjithëse orientalistët që studiojnë Kuranin dhe Islamin, kanë njohuri të mëdha në fushat e shkencave, ata janë të privuar nga jeta shpirtërore. Dhe për rrjedhojë, Kurani nuk u bën as dobi, por nuk ua hap as të fshehtat e tij. Allahu urdhëron:

“Do t’i largoj prej shenjave të Mia ata që sillen me arrogancë në Tokë, kështu që edhe kur të shohin çfarëdo shenje, nuk do ta besojnë atë. Kur të shohin rrugën e drejtë, ata nuk do ta ndjekin atë dhe, kur të shohin rrugën e gabuar, do ta marrin atë, sepse ata nuk i besuan shpalljet Tona dhe nuk u kushtonin vëmendje atyre.” (A’raf, 146)

Për shkak se Profeti ynë (a.s.), është komentuesi më i saktë i Kuranit Fisnik, sipas përmbajtjes së tij, të gjitha hadithet e tij, konsiderohen si komentimi i Kuranit. Komentuesit më të mëdhenj pas Profetit tonë (a.s.), janë dijetarët që punojnë me diturinë e tyre dhe veprojnë sipas traditës së Profetit tonë të dashur (a.s.).

Mevlana i nderuar, shprehet se, nëse Kurani lexohet me një zemër të pastër, urtësitë dhe mësimet e tij do t’i frymëzojnë shpirtrat. Në këtë mënyrë, arrihet edhe e fshehta e tij:

“Drejtoje veten para se të lexosh ajetet e Kuranit dhe hadithet e Profetit (a.s.)! Nëse nuk e ndjen aromën e këndshme prej kopshteve të trëndafilave, fajin mos ia hidh kopshtit, por zemrës dhe hundës tënde!”

 

Share.

Leave A Reply