Usejjid ibn Hudajri (r.a.), ishte një sahab i dashuruar pas Kuranit Fisnik. Ai ishte prej të parëve të fisit Evs. Babai i tij, Hudajri ishte kryetari i këtij fisi në periudhën e xhahilijetit.

Usejjdi ibn Hudajri (r.a.), i cili njihet me llagapin “Ebu Jahja”, e ka njohur Islamin në sajë të sjelljeve plot mëshirë e dhembshuri të mësuesit të parë të Medines, Mus’abit (r.a.). Ai u bë mysliman në këtë mënyrë:

Myslimanët nga Medina i kërkuan të Dërguarit të Allahut, alejhi’s-selam, një mësues që t’u mësonte Islamin. Pejgamberi ynë i nderuar zgjodhi Mus’abin e ri për këtë detyrë dhe e dërgoi. Kur Mus’ab ibn Umejri (r.a.), shkoi në Medine, qëndroi si mysafir në shtëpinë e Es’ad ibn Zarures (r.a.).

Mus’abi (r.a.), u shpjegonte Islamin dhe u këndonte ajete prej Kuranit atyre që vinin. Pas një kohe u shtuan shumë njerëz që vinin në grupe prej fiseve dhe bëheshin myslimanë. Sa’d ibn Muadhi dhe Usejjid ibn Hudajri, të cilët ishin prej të parëve të fisit Evs, deshën ta nxirrnin Mus’abin nga vendi i tyre, në mënyrë që ta parandalonin këtë ecuri. Sa’di ishte djali i tezes së Es’ad ibn Zarures (r.a.). Për këtë arsye, e dërgoi Usejjidin te Mus’abi duke i thënë: “Po të mos ishte i afërmi im, do ta kryeja vetë këtë punë.”

Es’ad ibn Zarure (r.a.), vuri re se nga larg po vinte Usejjidi. Ai ishte shumë i zemëruar dhe në dorë kishte heshtën. Për këtë arsye, Es’adi i tha Mus’abit (r.a.): “Ky që po vjen është i nderuari i fisit të tij. Ai gjithashtu është më i zgjuari dhe i pjekuri i atij fisi. Nëse ai bëhet mysliman, shumë njerëz do të hyjnë në Islam. Andaj sillu mirë ndaj tij!”

Usejjidi erdhi tërë zemërim te ata dhe i tha Mus’abit:

“Çfarë është kjo që po bëni? Pse luani me mendjen e të dobëtëve tanë? Nëse doni të jetoni, largohuni nga ky vend!”

Mus’ab ibn Umejri (r.a.), iu soll atij me butësi e mëshirë. Pastaj i tha:

“O i nderuari i fisit! Eja, ulu një herë pranë nesh dhe dëgjoji ato që po themi. Nëse të pëlqejnë, mund t’i pranosh. Nëse nuk të pëlqejnë, mund të mos i pranosh.”

Këto fjalë të ëmbla dhe të buta e qetësuan Usejjidin. Ai e nguli heshtën në tokë dhe u ul. Mus’abi (r.a.), i shpjegoi atij Islamin dhe i këndoi disa ajete nga Kurani.

Zemrën e Usejjidit e lanë zemrën pikat e mëshirës. Për këtë arsye tha:

“Sa të bukura qenkan këto që po thua!” Pastaj pyeti:

“Çfarë bëni ju kur dëshironi të hyni në Islam?” Mus’abi (r.a.), iu përgjigj:

“Ti duhet të marrësh gusul (të lahesh i tëri), të veshësh rroba të pastra, të dëshmosh se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Allahut.”

Usejjidi u ngrit menjëherë dhe iku. Pas një kohe të shkurtër erdhi i pastruar. Ai tha shehadetin dhe hyri në atmosferën e mëshirës së Islamit.

* * *

Usejjidi (r.a.), ishte i nderuari i fisit të tij. Ai njihej për fisnikërinë dhe zgjuarsinë që kishte. Usejjidi gjithashtu ishte një luftëtar dhe shkrimtar. Krahas se e kalëronte mirë kalin dhe gjuante në të njëjtën kohë edhe shigjetën, ishte prej njerëzve të rrallë që dinin shkrim e këndim. Nëpërmjet tij u bënë myslimanë shumë njerëz prej fisit Evs me në krye Sa’d ibn Muadhin (r.a.).

Usejjid ibn Hudajri (r.a.), tashmë njihej si një muxhahid që luftonte në rrugë të Allahut ose si një i dashuruar pas Kuranit që e lexonte duke qarë librin e Allahut. Ai u kap aq fort pas Kuranit, siç kapet i dashuruari pas atij që dashuron… Gjëja të cilën Usejjidi (r.a.), donte dhe prej së cilës merrte kënaqësi, ishte leximi i Kuranit Fisnik. Veçanërisht zgjohej natën dhe lexonte Kuran me zërin e tij të ëmbël në kohën kur çdo anë e kishte rrethuar heshtja. Usejjidi (r.a.), thoshte se sa më shumë të lexonte Kuran, aq më shumë ndjente se i pastrohej zemra dhe i shtohej besimi. Këtë dashuri të madhe që Usejjidi (r.a.), kishte ndaj Kuranit Fisnik, e mësojmë nga hadithi që ka transmetuar ai vetë. Ngjarja ka ndodhur si më poshtë:

“Një natë Usejjidi (r.a.), po rrinte në oborrin e shtëpisë. Djali i tij, Jahja po flinte pranë tij. Edhe kali i ri që kishte përgatitur për xhihad në rrugë të Allahut, ishte i lidhur pak më tutje. Nata ishte e qetë dhe qielli i pastër. Usejjidi (r.a.), filloi te këndonte ajetet (1-4) të sures Bakara me zërin e tij të butë dhe të ëmbël. Në ato momente dëgjoi zërin e kalit. Pasi vazhdoi të këndonte, kali i tij filloi të ngrihej në këmbë të para dhe gati po e këpuste litarin. Kur e linte këndimin e Kuranit, edhe kali qetësohej. Pasi filloi të lexonte dy-tri herë në këtë mënyrë, kali i tij përsëri u frikësua dhe u ngrit në këmbë të para. Usejjidi e çoi pak më tutje birin e tij, Jahjan.

Në ato momente, kur e ngriti kokën lart dhe pa në qiell, vuri re dy yje që po ndriçonin si kandila në një mjegull që i ngjante hijes së një reje të bardhë. Kur erdhi mëngjesi, Usejjidi (r.a.), shkoi menjëherë te i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe i tregoi për ato që kishte parë. Resulullahu, alejhi’s-selam, i tha: “Lexo, o biri i Hudajrit! Lexo, o biri i Hudajrit!” Usejjidi (r.a.), i tha:

“O i Dërguari i Allahut! Leximin e ndërpreva ngaqë kisha frikë se mos më shkelte kali Jahjan. Në ato momente, në qiell u formua diçka e bardhë që i ngjante hijes së resë. Brenda saj pashë yje që ndriçonin si kandila. Pastaj kjo gjë e bardhë u ngrit në qiell dhe u bë e padukshme.”

Resulullahu, alejhi’s-selam, i tha: “A e di se çfarë kanë qenë ata?” “Jo.” – iu përgjigj Usejjidi. Pejgamberi ynë i nderuar i tha: “O Usejjid! Ata kanë qenë engjëjt. Ata janë afruar prej zërit tënd. Po të kishe vazhduar me këndimin e Kuranit, engjëjt do të të dëgjonin deri në mëngjes. Edhe njerëzit do t’i shikonin, sepse ata nuk do të fshiheshin prej syve të tyre.”

* * *

Ja pra, engjëjt e vizitojnë në këtë mënyrë ate që i digjet zemra me dashurinë ndaj Kuranit Fisnik dhe e kalon kohën me Librin e Zotit. Sahabët e nderuar garonin me njëri-tjetrin për të dëgjuar Kuran nga Usejjid ibn Hudajri (r.a.). Me këndimin e këtij sahabi ishin të dashuruar banorët e tokës dhe banorët e qiellit. Andaj, si thoni? A t’i mbushim zemrat tona me Kuran si Usejjidi në këta tri muaj të shenjtë dhe të pimë derisa të ngopemi prej burimit të mëshirës së tij? Sa shumë kemi nevojë për këtë, apo jo? Atëherë le të fillojmë dhe ta lexojmë menjëherë Kuranin… Le të fillojmë të marrim prej dritës së Kuranit…

Usejjid ibn Hudajri (r.a.), mori pjesë në të gjitha luftërat. Përgjatë luftës ë Uhudit u plagos në shtatë pjesë të trupit. Ai mori pjesë në luftën e Hendekut, Hajberit dhe në Çlirimin e Mekës. Usejjidi (r.a.), ndërroi jetë në kohën e Omerit (r.a.). Namazin e xhenazes ia fali Hz. Omeri dhe u varros në Xhenetu’l-Baki.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

* * *

Nëna jonë, Aishja (r.anha), ka thënë në lidhje me virtytin e Usejjidit (r.a.):

“Prej ensarëve ka pasur tri persona. Askush nuk kishte virtyte më të mira se ata. Që të tre ishin prej Beni Abdi’l-Eshherëve. Ata ishin Sa’d ibn Muadhi, Usejjid ibn Hudajri dhe Abbad ibn Bishri, radijall-llahu anhum.”

Lus Allahun e Madhëruar që të na japë zemër e cila digjet me dashurinë ndaj Kuranit, që të na i ndriçojë zemrat tona me dritën e Kuranit dhe të na bashkojë në xhenet me Usejjid ibn Hudajrin (r.a.), i cili ishte një sahab i dashuruar pas Kuranit! Amin!

 

Share.

Leave A Reply