Usame ibn Zejdi (r.a.), ishte një komandant i ri… Ai ishte një fatlum që u caktua nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.), në moshën 18 vjeçare si komandant i një ushtrie në të cilën gjendeshin edhe sahabët më kryesorë… Ai ishte një trim që meritoi lavdërimin e Pejgamberit (s.a.s.), i cili tha: “Ai që e do Allahun dhe të Dërguarin e tij, le ta dojë edhe Usamën!”

Usame (r.a.), ishte i njohur ndërmjet sahabëve të nderuar me llagapin “Hubbu Rasulil-lah / i dashuri i të Dërguarit të Allahut”. Babai i tij, Zejd ibn Harithe (r.a.), ishte robi që pati liruar Hz. Pejgamberi dhe një prej myslimanëve të parë. Nëna e tij ishte Ummu Ejmani, e cila ishte shërbëtorja e Hazreti Eminesë.

Usame ibn Zejdi (r.a.), u rrit me edukimin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Njëzet vjet prej jetës së tij i kaloi bashkë me Hz. Pejgamberin. Ai ishte bërë një pjesëtar i familjes se Resulullahut (s.a.s.). Babai i tij, Zejd ibn Harithe (r.a.), për shkak të shërbimit që i bënte të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), kishte mundësinë të hynte dhe të dilte lehtësisht në shtëpinë e Pejgamberit (a.s.). Resulullahu (s.a.s.), e deshi atë si nipërit e tij, Hasanin e Husejnin.

* * *

Një ditë i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, në njërin gju uli Usamën dhe në gjurin tjetër uli Hasanin. Që të dy i mbështeti te kraharori i tij dhe u lut: “O Zot! Unë i dua këta. Duaji edhe Ti!”

Hazreti Aishja (r.anha), tregon: “Usame ishte fëmijë. Një ditë ishte rrëzuar dhe i kishte dalë gjak në fytyrë. Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.), e pa Usamën në atë gjendje, tha: “Më sillni ujë për fytyrën e Usamës!..” Derisa unë e mblodha veten, Hz. Pejgamberi e përqafoi Usamën, ia lau fytyrën dhe ia pastroi gjakun. Pastaj e puthi, ia ledhatoi kokën dhe u interesua me të. Ia lehtësoi dhimbjen dhe mërzinë duke i folur më ëmbëlsi.”

* * *

Usame ibn Zejdi (r.a.), ishte shumë i zgjuar dhe trim. Ai luftoi në rrugë të Allahut me shpatë në dorë që në moshën 15 vjeçare. Për shkak se ishte i vogël në moshë, nuk u lejua të merrte pjesë në luftën e Uhudit. Në luftën e Hendekut përpiqej ta tregonte veten të gjatë, në mënyrë që i Dërguari i Allahut (s.a.s.), t’i jepte leje për të marrë pjesë në luftë. Ndërsa në luftën e Hunejnit luftoi me heroizëm, edhe pse ishte shumë i ri dhe nuk u nda aspak nga Pejgamberi (s.a.s.).

Në luftën e Mu’tes luftoi nën flamurin e babait të tij, Zejd ibn Harithe (r.a.), i cili ra dëshmor. Ai e pa me sytë e vet martirizimin e babait të tij. Krahas kësaj, nuk e humbi përqendrimin dhe vazhdoi të luftonte. Ky heroizëm, guxim dhe trimëri e çoi atë deri në nivelin për t’u bërë komandant ushtrie që në moshë të re.

Ishte viti i 11-të i hixhretit. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), urdhëroi që të përgatitej një ushtri për të luftuar kundër Bizantit. Ai e thirri Usamën dhe i dha këtë urdhër: “O Usame! Shko me begatinë e Allahut deri në kufirin e Belkasë, deri në vendin ku ka rënë dëshmor babai yt, (pra), deri te kalaja Darum që gjendet afër Gazës. Ti je kryekomandanti i kësaj ushtrie.” Pastaj doli në xhami dhe u mbajti sahabëve të nderuar këtë fjalim nga minberi:

“O sahabët e mi! Siç ka qenë i dashur për mua dhe i aftë për të komanduar babai i Usamës, Zejdi, po aq i aftë është edhe Usame për të komanduar. Për mua ai është njeriu më i dashur.” Në këtë mënyrë e shpalli se Usame (r.a.), ishte caktuar komandant.

* * *

Ndërsa vazhdonin përgatitjet e ushtrisë, i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, u sëmur. Për shkak se sëmundja iu përkeqësua, ushtria hoqi dorë nga nisja për në këtë mision. Për një kohë të caktuar priti në vendin e saj. Pas një kohe të shkurtër, ushtria mori lajmin për vdekjen e Resulullahut (s.a.s.). Ushtarët erdhën te shtëpia e Hz. Pejgamberit dhe ngritën flamurin.

Usame (r.a.), u preokupua me punët e larjes dhe varrosjes së të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Ai kreu shërbimet si larjen e trupit të bekuar të Pejgamberit (s.a.s.), qefinosjen e tij dhe vendosjen e xhenazes në varr.

* * *

Puna e parë që bëri Ebu Bekri (r.a.), pasi u zgjodh kalif, ishte të dërgonte ushtrinë e Usamës. Usame (r.a.), i cili u nis me urdhrin e Ebu Bekrit (r.a.), i zbatoi një nga një urdhrat e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Ai e përfundoi detyrën me sukses dhe u kthye në Medine.

Omer ibn Hattabi (r.a.), kurdo që takohej me Usamën (r.a.), e lavdëronte duke i thënë: “Selami qoftë për ty, o prijës!.. Kur i Dërguari i Allahut ndërroi jetë, ti ishe prijësi ynë!” Përgjatë kohës kur Omeri (r.a.), ishte vetë kalif, e nderoi dhe e respektoi shumë Usamën (r.a.). Ndërkohë që birit të tij i jepte dy mijë dërhemë në vit, Usamës (r.a.), i jepte pesë mijë dërhemë. Kur Abdullah ibn Omeri (r.a.), e pyeti babain e tij për shkakun e këtij veprimi, Omeri (r.a.), iu përgjigj: “Usame ka qenë më i dashur se ti dhe Zejdi ka qenë më i dashur se unë për të Dërguarin e Allahut.”

Ja një shembull i mrekullueshëm që gjithmonë e mban në plan të parë dashurinë ndaj të Dërguarit të Allahut, alejhi’s-selam… Ja një shembull që nxjerr në pah edhe respektin e madh që sahabët kishin ndaj të dashurve të Pejgamberit (a.s.)… Sa mirënjohje e madhe është kjo! Sa lumturi e madhe është t’i duash ata dhe të gjendesh me ta!.. O Allah! Na e mundëso edhe neve këtë vëllazëri!..

* * *

Usame (r.a.), e tregon si më poshtë një ngjarje që i kishte ndodhur në luftë: “Së bashku me një mysliman medinas filluam të ndiqnim një politeist. Kur mushriku e kuptoi se do të kapej, tha: “La ilahe il-lall-llah”. Myslimani medinas e tërhoqi armën menjëherë. Ndërsa unë e vrava atë me bindjen se ai e tha shehadetin për të shpëtuar jetën. Përgjatë kthimit e njoftuam të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), në lidhje me këtë. Ai më qortoi duke më thënë:

“O Usame! Ke vrarë dikë që ka thënë La ilahe il-lall-llah?” Hz. Pejgamberi e përsëriti aq shpesh këtë, saqë do desha që atë ditë të isha bërë mysliman dhe të mos e kisha vrarë atë njeri. Pejgamberit tonë të nderuar i thashë: “Këtej e tutje nuk do të vras asnjë që thotë La ilahe il-lall-llah.” I Dërguari i Allahut (s.a.s.), më pyeti: “A edhe pas meje?” Unë iu përgjigja: “Po, edhe pas jush, o i Dërguari i Allahut…”

* * *

Usame (r.a.), e mbajti këtë fjalë deri në fund të jetës. Ai nuk hyri në përçarjet që ndodhën ndërmjet myslimanëve dhe nuk mbështeti asnjërën palë. Kështu që preferoi të shihte punën e tij. Ai u lut gjithmonë për mirëqenien e umetit. Nuk mbajti asnjërën palë përgjatë përçarjeve që ndodhën ndërmjet myslimanëve pasi u martirizua Osmani (r.a.). Andaj nuk u përzje në ato ngjarje. Ai nuk mori pjesë as në luftërat ndërmjet myslimanëve që ndodhën në kohën e Hz. Aliut.

Usame ibn Zejdi (r.a.), ka transmetuar 128 hadithe nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Ai ndërroi jetë në lagjen Xhuraf afër Medinetu’l-Munevvera në vitin 58 hixhri.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Allahu na dhëntë edhe neve prej trimërisë, guximit, besnikërisë dhe nënshtrimit që kishte komandanti i ri, Usame ibn Zejdi (r.a.)! Zoti (xh.xh.), na bashkoftë me të në xhenet! Amin!..

 

Share.

Leave A Reply