Në këtë muaj të bekuar, arritja e të fshehtës së kënaqësive të përjetshme duke hequr dorë nga kënaqësitë e përkohshme, realizohet në sajë të adhuri­mit të agjërimit, ashtu siç e ka urdhëruar Allahu i Madhëruar. Besimtari që agjëron, lufton me dëshirat e egos me një vetëdije të përhershme adhurimi dhe, duke i vënë ato nën kontroll, arrin të minimizojë ndikimet e tyre.

Agjërimi, përsos moralin tonë dhe trajnimin e cilësive të domosdoshme në luftën e jetës, si këmbënguljen, durimin, qëndresën, vullnetin, mjaftuesh­mërinë, forcën shpirtërore, largimin nga dëshirat e ulëta të egos, etj., luan rolin e një mburoje të nderit dhe ndjenjave njerëzore, kundrejt dëshirave të pashtershme të egos që anon gjithmonë nga ngrënia, pirja dhe epshet.

Po ashtu, në sajë të privimeve dhe urisë, agjërimi na kujton mirësitë e panumërta që na ka dhuruar Allahu i Madhëruar. Për rrjedhojë, na bën të mendojmë gjendjen e të varfërve, duke na i mbushur zemrat me ndjenjën e mëshirës dhe dhembshurisë. Gjithashtu, ai ringjall edhe ndjenjën e fa­lënderimit. Për këtë arsye, agjërimi është adhurimi që ndikon më shumë në eliminimin e gjërave negative që kanë mbytur shoqërinë, si urrejtjen, smirën dhe zilinë në jetën sociale. Prandaj, agjërimi nuk i është bërë farz/i detyrueshëm vetëm këtij populli (myslimanëve), por edhe popujve të tjerë paraardhës. Allahu i Madhëruar urdhëron:

“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (Bekare, 183)

Adhurimet që Islami i ka bërë të detyrueshme, janë si ilaç për shumë sëmundje shpirtërore. Prirja drejt dëshirave të ulëta të egos, mashtrimit ndaj bukurive të kësaj bote, kënaqësive dhe argëtimeve pa asnjë lloj kriteri moral, janë disa nga fenomenet që shkaktojnë sëmundje shpirtërore. Për të mos u infektuar nga këto lloj sëmundjesh, duhet të mbahet pehriz. Agjërimi është mënyra më e bukur e kësaj kure, sepse atë e ka urdhëruar Vetë Allahu i Madhëruar, i Cili e ka krijuar njeriun. Dhe natyrisht që Ai i di më së miri edhe nevojat e robërve të Tij.

Me të vërtet që agjërimi është ilaç për shumë sëmundje fizike dhe shpirt­ërore. Për këtë arsye, ai mbahet në “ditë të numëruara”. Kjo, sepse nëse një ilaç përdoret vazhdimisht, trupi do të mësohet me të dhe ai ilaç nuk do të ketë më dobi. Prandaj dhe Pejgamberi a.s, sahabiun, i cili tha:

“Pjesën tjetër të jetës sime do ta kaloj gjithmonë me agjërim!”, e kundër­shtoi duke përsëritur tri herë këto fjalë:

“Nuk quhet agjërimi i atij që e kalon gjithë kohën me agjërim!” (Buhari, Saum, 55-57)

Mjekësia vërteton faktin se agjërimi më pak se tridhjetë ditë nuk do të kishte ndikim, ndërsa agjërimi më tepër se dyzetë ditë, do të krijonte një zakon të ri duke mos i garantuar dobitë që do të sillte caktimi i një periudhe kohore për ngrënien dhe pirjen normale.

Agjërimi e bën njeriun të fitojë disiplinën e ushqyerjes, duke kontrolluar oreksin e tij. Ai bëhet pengesë për grykësinë dhe pangopësinë. Për rrjedhojë, bëhet pengesë edhe i sëmundjeve që burojnë prej tyre. Nëse njeriu që agjë­ron është i shëndoshë, ai ka mundësinë të eliminojë kilet e tepërta. Ndërsa sistemi tretës, i cili ka punuar pa pushim për një vit rresht, ka mundësinë të bëjë pak pushim.

Nëse shohim në gjithësi, do të gjejmë shumë shembuj të agjërimit:

Studimet zoologjike kanë nxjerrë në pah se disa kafshët të egra nuk mund të gjejnë asgjë për ngrënë kur bie borë. Për rrjedhojë, këto kafshë e kalojnë dimrin në gjumë, duke agjëruar deri në pranverë.

Edhe gjendja e pemëve është e njëjtë. Gjatë dimrit ato i lëshojnë gjethet dhe bien në gjumë. Madje, nuk marrin ujë nga rrënjët deri sa të vijë pranvera dhe të shkrijë bora. Pas disa muajve të kaluar në agjërim, kur vjen pranvera bëhen më të gjalla dhe më frytdhënëse. Kjo mund të kuptohet edhe nga bollëku i gjetheve dhe luleve të tyre.

Edhe makineritë kanë nevojë për agjërim. Pasi të kenë punuar për një kohë të gjatë, motorët e tyre fiken duke i lënë të pushojnë për njëfarë kohe, me qëllim që të rimarrin përsëri fuqinë e mëparshme.

Në mjekësi, kohët e fundit, në sajë të një metode të re kurimi, të sëmurët kronikë shërohen duke përdorur agjërimin për një kohë të shkurtër ose të gjatë, në bazë të gjendjes së të sëmurit.199

Nga ana tjetër, mbajtja e agjërimit në një muaj të caktuar, është shumë e rëndësishme në aspektin e sigurimit të unitetit dhe bashkimit të mysli­manëve. Punët që bëhen së bashku me njerëzit e tjerë, janë më të lehta dhe Ramazani i bekuar kalon në një atmosferë më festive në bashkësi. Për rrje­dhojë, agjërimi i cili është me ditë të numëruara, i jep jetës sonë, e cila edhe ajo është me ditë numëruara, një hijeshi, thellësi dhe bukuri të veçantë.

Përveç kësaj, rotacioni që bën muaji i bekuar i Ramazanit nëpër të gjitha stinët e vitit, shpreh një urtësi më vete. Ramazani përjetohet me radhë në të gjitha ditët e vitit, qofshin ato të nxehta, të ftohta, të freskëta, të vakëta, të gjata apo edhe të shkurtra. Në këtë mënyrë, Ramazani begaton të gjitha ditët e vitit në intervale të caktuara. Në të njëjtën kohë, kjo gjë bëhet shkak edhe i shumë përjetimeve të mbushura me vështirësi dhe lehtësi, duke u dhënë shpirtrave të besimtarëve kënaqësi nga më të ndryshmet. Po ashtu, kjo gjendje është dhe shembulli më i bukur që tregon bindjen e besimtarëve ndaj Allahut të Madhëruar, në çfarëdolloj situate që të jenë.

Allahu i Madhëruar, në lidhje me Ramazanin dhe agjërimin, urdhëron:

Muaji i Ramazanit është ai në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që përjeton këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër, le të agjërojë më vonë aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë. Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit, ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju udhëzoi dhe ta falënderoni Atë.” (Bekare, 185)

Në këtë ajet fisnik, Allahu i Madhëruar duket sikur dëshiron që agjërimi të mbahet si falënderim për zbritjen e Kuranit. Dhe si në çdo çështje tjetër, Ai e ka lehtësuar edhe agjërimin për robërit e Tij. Allahu nuk i ka lënë kurrë në gjendje të vështirë ata. Ndërsa në pjesën e fundit të ajetit, është bërë i qartë fakti se çfarë duhet të pritet prej agjërimit. Nisur nga kjo, në sajë të agjërimit njeriu kupton mirë madhështinë e Allahut dhe mëson se si ta falënderojë Atë në mënyrën më të bukur.

Shkurtimisht, kuptimi dhe thelbi kryesor i agjërimit, përveçse të disipli­nojë disa dëshira të caktuara të trupit, është të zbrazë mendjen prej çështjeve të kësaj bote dhe gjërave të tjera përveç Allahut, duke e ngritur atë në nivelin më të lartë të vetëdijes hyjnore dhe përqendrimit shpirtëror.

 

Burimi: Islami feja e vërtetë

Share.

Comments are closed.