Kur Muhammedi ishte gjashtë vjeç, e ëma, Hz. Amine, e mori atë dhe, së bashku me skllaven e të shoqit, Ummi Ejmenin, shkuan në Medinë për të vizituar varrin e të atit të Profetit, Abdullah. Ata qëndruan një muaj në shtëpinë e dajave në Medinë.

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) luante me fëmijët e dajave, madje edhe notin gjatë kësaj vizite e mësoi.69

Duke i treguar kujtimet e atyre ditëve, Profeti është shprehur kështu:

“Disa nga hebrenjtë më afroheshin dhe rrinin e më shihnin.” (Ibni Sa’d, I, 116)

“Po kështu, një ditë, një burrë nga hebrenjtë, pasi më vështroi me vëmendje disa çaste, u kthye e shkoi. Pastaj, një ditë tjetër kur ndodhesha vetëm, më erdhi pranë dhe më pyeti:

“O djalë! Si e ke emrin?”

“Ahmed!” – Iu përgjigja.

Pastaj më pa në shpinë dhe tha:

“Ky fëmijë është pejgamberi i këtij ummeti!”

Kur edhe dajat i treguan nënës për këto ngjarje, nëna nisi të ketë frikë për mua. Atëherë dolëm menjëherë në rrugë për t’u kthyer në Mekë.” (Ebu Nuajm, Delail, I, 163-164)

Gjatë rrugës Hz. Amine u sëmur dhe vdiq në vendin e quajtur Ebva, ku edhe u varros. Atëherë ajo ishte tridhjetë vjeçe. Para se të vdiste, e pati parë gjatë të birin jetim me sytë plot dashuri të thellë dhe i pati thënë kështu:

“Allahu të bekoftë! Po qe se ato që kam parë në ëndërr, dalin të vërteta, ti do të dërgohesh nga ana e Allahut të lartë dhe bujar për t’ua njoftuar bijve të Ademit hallallin dhe haramin. Allahu ka për të të mbrojtur nga idhujt dhe idhujtaria. Çdo i gjallë do të vdesë, çdo gjë e re do të vjetërohet, çdo gjë që rritet, do të marrë fund, do të asgjësohet. Edhe unë do të vdes, por do të kujtohem përjetësisht sepse solla në botë një bir të pastër dhe po shkoj duke lënë pas një kujtim të dobishëm!..” (Dijarbekri, I, 229-230; Kamil Miras, Tecrid Tercümesi, IV, 549)

Poeti Arif Nihat Asja që i ka ndjerë në zemër këto të vërteta, i drejtohet kështu Hz. Aminesë:

“O e vdekura që shtrihesh në Evbá,

Trëndafili që çeli në bahçen tënde,

Shok në botë nuk ka…”

Kështu, i mbetur jetim edhe për nënë, Nuri i Ekzistencës u kthye në Mekë vetëm me Ummi Ejmenin.

Gjatë gjithë jetës, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e pati vizituar shpesh dadon Ummi Ejmen dhe i thërriste “nënë”. Ai tregonte konsideratë, respekt dhe dashuri të veçantë për të duke thënë “Kjo është nëna ime pas nënës sime! Kjo është njeriu i vetëm që ka mbetur nga shtëpia ime!”

Share.

Comments are closed.