Udhëtimin e parë tregtar, Profeti e pati bërë kur ishte dymbëdhjetë vjeç, bashkë me të ungjin Ebu Talib për në Siri. Kurse udhëtimi i dytë është ai që pati bërë në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare në Jemen.

Kurejshët përgatiteshin për të shkuar në Damask. Edhe Ebu Talibi deshte të merrte pjesë në atë karvan tregtar. Kur do të niseshin për rrugë, të gjithë vëllezërit dhe motrat kishin dalë për ta përcjellë Ebu Talibin. Ebu Talibi e pyeti nipin e dashur:

“A po vjen edhe ti me mua?”

Të ungjit dhe hallat, duke pasur frikë se mos Muhammedi i vogël sëmurej, i dolën kundër dëshirës së Ebu Talibit. Atëherë, edhe Ebu Talibi u tërhoq duke vendosur ta linte të nipin në Mekë, mirëpo ai u dëshpërua dhe nisi të qajë.

Ebu Talibi i tha:

“O biri i tim vëllai! Ç’ndodhi? A po qan pse s’po të marr me vete?”

Duke e kapur devenë për kapistre, Profeti i tha:

“O im ungj, me kë po më le mua? Unë s’kam as babë, as nënë!”

Ebu Talibi u prek:

“Vallahi, edhe ty do të të marr! As unë s’do të ndahem kurrë prej teje, as ti prej meje!” (Ibni Is’hak, f. 53; Ebu Nuajm, Delail, I, 168)

Më vonë, kur ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç, Profeti shkoi me të ungjin Zubejr në Jemen. Zubejri donte të përfitonte nga mbarësia që ndillte qenia e Dritës së Ekzistencës. Për këtë shkak, iu lut Ebu Talibit ta dërgonte me të edhe nipin e bekuar.84

Rruga e karvanit tregtar arriti në një luginë ku një deve pa zot, e zemëruar dhe agresive, nuk lejonte askënd të kalonte andej. Kur karvani mendoi ta ndërronte rrugën, Profeti tha:

“Ma lini mua atë!”

Dhe doli në krye të karvanit.

Sapo e pa Profetin, deveja e zemëruar u zbut.

Profeti zbriti nga deveja e vet dhe hipi në devenë e zemëruar të cilën e lëshoi sapo e kaluan luginën.

Kurse në kthim, takuan në një luginë që e kishin përmbytur ujërat që nuk po e kalonin dot. Atëherë, Profeti u tha:

“Ndiqmëni mua!”

Dhe duke shkuar pas tij, karvani e kapërceu luginën. Dukej sikur andej nga ecnin ata, Allahu i Lartë i largonte ujërat dhe e bënte rrugën të thatë! (Ibni Kethir, el-Bidaje, II, 282)

Share.

Comments are closed.