Transmetohet nga Ebu Hurejra (RadijAll-llahu anhu) se i Dërguari (Sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Tri gjëra janë shpëtimtare dhe tri gjëra janë shkatërrimtare.

Tri shpëtimtaret janë:

 Devocioni ndaj Allahut të Lartë, fshehurazi (në vetmi) dhe haptazi (në publik);

 Të thuash të vërtetën, të drejtën, në gëzim dhe në hidhërim;

 Të jesh i ekuilibruar në fukarallëk (kursim) dhe në bollëk (shpenzim);

Ndërsa tri shkatërrimtaret janë:

 T’i nënshtrohesh koprracisë;

 Të pasosh epshin;

 Të të pëlqejë vetja (të të hyjë vetja në qejf), e kjo është më e rënda prej tyre.

(El-Bejheki; Hadith Hasen)

Dobitë e hadithit

  1. Devocion, frikërespekt ndaj Allahut (takvallëku) do të thotë t’i bindesh urdhrave hyjnore dhe të largohesh nga ndalesat fetare.
  2. Frikërespekti ndaj Allahut është shkak për rrugëzgjidhje të problemeve jetësore, pastrim të gjynaheve, furnizim me të mirat e dynjasë dhe për shpërblim me të mirat e Ahiretit.
  3. Muslimanit i kërkohet të jetë i sinqertë, i drejtë, pavarësisht gjendjeve emocionale të ngarkuara. Si kur është i kënaqur edhe kur mërzitet, në humor të mirë apo qejfmbetur, ai nuk e ekzagjëron dhe nuk e zbeh të vërtetën.
  4. Muslimanit i kërkohet të jetë njeri i ekuilibruar në të gjitha sferat, në shpenzime, në kursime, në ushqim, në veshje, në adhurim. Ai i drejtpeshon raportet me Allahun, vetveten, familjen, rrethin dhe shoqërinë.
  5. Koprracia nxit për urrejtje, nëpërkëmbje të të drejtave të familjes, fqinjëve, fukarenjve etj.
  6. Epshi përfaqëson idhullin modern. Nënshtrimi ndaj tij ka pasoja negative në jetën e besimtarit si individ dhe në shoqëri.
  7. Medjemadhësia përjashtoi shejtanin nga mëshira hyjnore. Çdo kush që ka një grimcë mendjemadhësi, në zëmrën e tij, meriton dënimin e Allahut.
  8. Sot, disa njerëz mund t’i shohin normat islame si “pranga”, kërkesat e islamit si “barriera”, detyrimet fetare si “jopraktike”, të cilat e pengojnë njeriun nga synimet dhe instiktet e tij epshore. Jo! Përkundrazi, normat islame janë një fuqi pozitive dhe konstruktive, janë çlirim nga robëria ndaj epsheve, çlirim nga makuteria dhe lakmia, ngadhënjim mbi gjendjet emotive, vlerësim dhe përhapje të vetëdijes morale.

Përgatiti: Gilman Kazazi

Share.

Comments are closed.