“Kush nuk ndjen mëshirë për të vegjëlit, kush nuk tregon respekt për të mëdhenjtë, s’është yni…” Tirmidhi, Birr, 15

Pleqëria është ligj krijimi i Allahut të Lartë, është trajta e fundit që merr pema e jetës. Pas fëmijërisë, rinisë dhe pjekurisë, vjen një ditë që çdo njeri e gjen veten të plakur. Në këtë periudhë, njeriu përballohet me dobësinë që ia zë vendin forcës, me shëmtinë që ia zë vendin bukurisë, me regresin që ia zë vendin progresit, me sëmundjen që ia zë vendin shëndetit. Në Kur’anin e Shenjtë, tërhiqet vëmendja kështu mbi këtë çështje:

“Ju krijuam ju nga dheu, pastaj nga fara (sperma), pastaj nga embrioni, pastaj është Ai që ju mban gjallë që të arrini në një kohë plot forcë e fuqi dhe, pastaj, në pleqëri, që të mendoni!” (el-Mu’min, 40/67)

“Ju Allahu ju krijoi. Pastaj do t’ju bëjë të vdisni ose, disa prej jush do t’i mbajë gjallë gjer në periudhën më të dobët të jetës me qëllim që, ndërsa kanë qenë më parë të ditur, të bëhen ashtu që të mos dinë asgjë! Pa dyshim, Allahu di çdo gjë, është i aftë për çdo gjë!” (en-Nahl, 16/70)

Edhe Profeti ynë (s.a.v.s.), me lutjet si në vijim, është mbështetur te Allahu nga kjo gjendje e vështirë e pleqërisë “Allahu im! Mbështetem tek Ti nga dobësia, përtacia, frikacakëria, nga pleqëria kur njeriu mblidhet sa një grusht, dhe nga koprracia…” (Muslim, Dhikr, 50)

“Allahu im! Mbështetem tek Ti nga turbullia e pleqërisë…” (Buhari, Xhihad, 25)

Ç’është e vërteta, gjatë gjithë historisë, shumë anatomistë dhe mjekë janë përpjekur shumë për ta eliminuar pleqërinë ose, të paktën, për ta zbritur në nivel minimal, por nuk kanë patur sukses. Edhe nëse në ditët e sotme mund të bëhet një përmirësim i sipërfaqshëm në trup me anë të një sërë operacionesh dhe mjekimesh, shpërbërja trupore dhe tharja e pemës së jetëgjatësisë nuk mund të parandalohen. Profeti (s.a.v.s.) e thekson kështu këtë situatë:

“O robtë e Allahut, mjekohuni, se Allahu i Lartë ka krijuar shërim për çdo sëmundje përveç pleqërisë…” (Ebu Davud, Tib, 1; Tirmidhi, Tib, 2)

Meqë çdo njeri i gjallë do të plaket, njeriu duhet të dijë ta përdorë në mënyrë të vetëdijshme kapitalin e jetës duke bërë punë të mira para se t’i vijë pleqëria. Në hadithin profetik është shprehur kështu fakti që ata të cilëve u mbyllet jeta e kësaj bote pasi të vjinë në moshë të pjekurisë, s’do të kenë pretekste në praninë hyjnore për t’u justifikuar për të mirat që s’i kanë bërë:

“Allahu i Lartë ia ka zhdukur mundësinë për të paraqitur justifikim personit të cilit i ka dhënë gjashtëdhjetë vjet jetë…” (Buhari, Rikak, 5)

Veç kësaj, edhe pse njeriu plaket dhe trupi rrënohet, dëshira e përjetësisë në botën e brendshme të tij mbetet e pashuar. Në tharmin e egoizmit ekziston kundërshtimi ndaj përkohshmërisë dhe vdekjes. I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) thotë: “Zemra e plakut mbetet e re në dy gjëra: në dëshirën për të jetuar gjatë dhe për të qenë i pasur…” (Muslim, Zekat, 113, 114) Edhe Iblisi (djalli), për ta bindur Hz. Ademin, pati shfrytëzuar ndjenjën e përjetësisë në natyrën e tij. Se “Shejtani i tha: “O Adem, a të të tregoj pemën e pavdekësisë dhe një pasuri që nuk asgjësohet?” Kështu e lëkundi ai atë!” (Taha, 20/120)

Në të vërtetë, me pleqërinë bashkë, duhet që, ashtu si fuqitë dhe ndjenjat e tjera, të dobësohet edhe mendimi për të jetuar gjatë. Por fakti që ndodh e kundërta, ka të bëjë nga afër me ndjenjën e përjetësisë brenda njeriut. Megjithëkëtë, për ata që janë të përgatitur për jetën e pasme, ahiret, ku do të jetohet jeta e amshuar, vdekje do të thotë çlirim i shpirtit nga kafazi-trup, fluturim në botën e perëndishme, shpëtim nga preokupacionet e kësaj bote. Kështu, pleqëria bëhet shkallarja e fundit e këtij shndërrimi rrënjësor. Po ta vlerësojmë me ndjeshmëri islame pozitën e të moshuarve dhe pleqve në shoqëri, duhet që për ta të tregojmë kujdes më shumë se për një fëmijë. Sipas kësaj, nuk duhen fyer ndjenjat e holluara të të moshuarve dhe pleqve, duhen pranuar me të mirë disa situata që mund të ndodhin si pasojë e moshës së shkuar dhe duhen fituar bekimet e tyre. Veç kësaj, nuk duhet harruar se qenia e pleqve është pretekst për zgjerimin e rizkut tonë, se qenia e tyre na shërben si mburojë ndaj ngatërresave dhe fatkeqësive. Profeti ynë (s.a.v.s.) ka thënë kështu:

“Kushtojuni kujdes të dobtëve dhe të sëmurëve, sepse vetëm në sajë të të sëmurëve merrni ndihmë dhe ushqim!” (Ebu Davud, Xhihad, 69)

“Po të mos ishin pleqtë mesthyer, foshnjat që pijnë sisë dhe kafshët që hanë bar, mbi ju do të reshonin ngatërresat dhe mundimet!” (Hejthemi, X, 227)

Prandaj, në moralin islam nuk ka vend për qëndrime dhe mendime negative, si mosdurimi i qenies së personave të moshuar, neveria ndaj tyre dhe dëshira për vdekjen e tyre sa më të shpejtë. Për pasojë, nuk mund të mendohet që besimtari i vërtetë të sillet në mënyrë fyese ndaj pleqve të mjedisit të tij, t’i lërë ata në konviktet e njerëzve të vetmuar të hapur nën titullin “azil”. Përkundrazi, duhet të vrapojë për t’u shërbyer pranë me sa të ketë mundësi, me qëllim që të mund ta vazhdojnë jetën në prehje e qetësi. Sepse edhe vetë i riu i sotëm – në i dhëntë Allahu jetë të gjatë – do të plaket dhe do ta marrë patjetër shpërblimin e shërbimit që do të bëjë. Profeti ynë (s.a.v.s.) porosit:

“Allahu i Lartë ka për t’i favorizuar dikë për shërbim në pleqëri atij të riut i cili i tregon respekt një plaku për shkak të moshës…” (Tirmidhi, Birr, 75)

Në një hadith tjetër profetik shprehet fakti se respektimi i një muslimani plak me flokë e mjekër të thinjur është pasojë e respektit dhe ndjenjës së madhërimit të ndjerë ndaj Allahut të Lartë. (Ebu Davud, Edeb, 20)

Krahas kësaj, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka porositur që t’u sigurohet lehtësi vazhdimisht pleqve si në çështjet materiale, ashtu dhe në çështjet shpirtërore. Siç dihet, duke e paralajmëruar imamin i cili e pati zgjatur shumë namazin, Profeti ka aluduar kështu për të moshuarit dhe pleqtë:

“Kur dikush nga ju t’ua drejtojë namazin njerëzve, ta bëjë të lehtë, sepse mes tyre ka njerëz të dobët, të sëmurë dhe pleq…” (Buhari, Ilm, 28)

Gjithashtu, sipas transmetimit të Enes bin Malikut, një ditë kishte shkuar një burrë i moshuar për ta parë Profetin. njerëzit i kishin hapur rrugë me përtesë. Atëherë, Profeti i Nderuar (s.a.v.s.) kishte thënë:

“Kush s’ka mëshirë për të voglin dhe kush s’tregon respekt për të ma dhin, s’është yni!” (Tirmidhi, Birr, 15)

Veç kësaj, në çlirimin e Mekës, kur Hz. Ebu Bekri e pati çuar të atin plak, Ebu Kuhafe, te Profeti me qëllim që të bëhej musliman, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) i pati thënë:

“Sikur të mos e lodhje këtë plak gjer këtu, se i shkoja unë në shtëpi për vizitë!”

Kurse Hz. Ebu Bekri i pati thënë:

“Ishte më e përshtatshme që të vinte ai tek ti!” (Ibni Hisham, IV, 25)

Kjo sjellje delikate e Profetit (s.a.v.s.) ndaj plakut Ebu Kuhafe duhet parë, krahas konsideratës së tij për Hz. Ebu Bekrin, si shprehje e respektit që ndjente Profeti ndaj njerëzve të moshuar.

Nga ana tjetër, kur Profeti Bujar (s.a.v.s.) i porosiste luftëtarët që po i dërgonte për në luftë, njëkohësisht i urdhëronte që krahas grave dhe fëmijëve, të mos preknin as të moshuarit dhe pleqtë. (Vakidi, Megazi, II, 758)

Ç’lumturi për pleqtë që e njohin vetveten dhe që janë bashkuar me zemër me Krijuesin!.. Dhe ç’lumturi për ata njerëz të cilët, duke ua ditur vlerën të moshuarve dhe pleqve, tregojnë dashuri dhe respekt ndaj tyre!..

Share.

Leave A Reply