Tevekul do të thotë të përpiqemi me të gjithë forcën tonë në lidhje me një punë që dëshirojmë të kryejmë dhe të presim rezultatin nga Allahu, pasi të kemi konsumuar të gjithë fuqinë tonë për realizimin e saj.

Le të përpiqemi ta sqarojmë këtë gjë me një shembull:

Bujku që dëshiron të marrë prodhim të mirë nga ara e tij, duhet që më parë ta punojë tokën sa më mirë, të hedhë farën, ta mbulojë atë me pleh, madje edhe ta ujisë sa duhet, nëse është nevoja. Pasi të ketë marrë çdo masë që t’i ruajë të mbjellat nga ndonjë dëm, ai duhet t’ia lërë fazën tjetër Allahut dhe të mbështetet te Ai. Bujku çfarë kishte në dorë e ka kryer. Tani ai do të presë nga Allahu që të mbjellat të shkojnë mbarë dhe të japin fryte. Ky është tevekuli i vërtetë.

Në të kundërt, në rast se njeriu kërkon që një punë të realizohet pa derdhur mund dhe djersë, duke menduar se i është mbështetur Allahut, kjo nuk ka të bëjë aspak me tevekulin. Ky është një mendim i gabuar, që nuk i ka hije myslimanit.

Personin që e la devenë përjashta xhamisë pa e lidhur, duke menduar se çfarëdo që të ndodhë ai i është mbështetur Allahut, Profeti Muhamed (a.s.), e urdhëroi me këto fjalë: “Më parë lidhe devenë, pastaj mbështetu te Allahu.” (Keshful-Hafa, vol. 1, fq. 144.)

Nga këto fjalë të bekuara të Profetit (a.s.), mësojmë se myslima­ni duhet të kryejë më parë atë që ka në dorë të kryejë dhe më pas duhet të mbështetet te Allahu.

Ashtu sikurse është ibadet falja e namazit dhe agjërimi i Ramazanit, ashtu është ibadet edhe puna për të siguruar të mirat materiale për jetën.

Allahu ka thënë:

“Dhe, kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Allahut.” (Xhuma, 10.)

Profeti Muhamed (a.s.), na ka bërë të ditur se kërkimi i fitimit me rrugë hallall është farz. (Keshful-Hafa, vol. 3, fq. 46.)

Omeri (r.a.), ka thënë: “Askush të mos guxojë të braktisë kërkimin e rrizkut me rrugë hallall dhe të rrijë vetëm duke u lutur: ‘O Zot ma fal rrizkun tim’, sepse nga qielli nuk bie as ar dhe as argjend.” (Sherhu Ajnil-Ilm, vol. 1, fq. 182.)

Siç shihet, feja jonë na e urdhëron punën. Puna është detyra e myslimanit. Për të pasur sukses në lidhje me një çështje, më parë duhet të bëjmë atë që kemi mundësi të bëjmë dhe të përpiqemi të punojmë me gjithë fuqinë tonë. Pastaj duhet të presim nga Allahu që të na falë suksesin dhe do të mbështe­temi te Ai.

RËNDËSIA E PUNËS NË FENË ISLAME

Qëllimi i fesë islame, fesë së fundit dhe më të përsosur, është lumturia e njeriut. Kjo lumturi nuk mund të jetë e paekuilibruar dhe e njëanshme.

Feja islame u ka mësuar njerëzve rrugët për të gjetur lumturinë si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër. Lumturia si në këtë jetë, ashtu edhe në jetën tjetër arrihet me punë. Për këtë arsye, myslimani duhet të përpiqet të punojë me zell për të dyja botët. Feja islame i urdhëron atij të punojë dhe të fitojë në këtë jetë.

Allahu ka treguar për rëndësinë e punës në Kuran, ku thotë: “Me të vërtetë që njeriu do të fitojë vetëm atë që punon.” (Nexhm, 39.)

Profeti Muhamed (a.s.), ka thënë: “Ushqimi më i bereqetshëm për nje­riun është ushqimi që ai fiton me punën e duarve të tij. Profeti i Zotit, Daudi (a.s.), jetonte me punën e duarve të tij.” (Rijadus-salihin, vol. 1, fq. 569.)

Feja islame i ka kushtuar rëndësi të madhe punës, duke e konsideruar punën ibadet për fitimin e pasurisë hallall.

Një ditë, para Profetit (a.s.), kaloi një person i fuqishëm fizikisht. Sahabët që gjendeshin aty me Profetin i thanë atij:

– O i dërguari i Allahut! Sa mirë do të ishte, në qoftë se ky njeri do të punonte në rrugën e Allahut!

Profeti (a.s.), iu përgjigj atyre:

– Në qoftë se ky njeri ka dalë nga shtëpia e tij me qëllim që të punojë për të fituar bukën e fëmijëve të tij, ai është në rrugën e Allahut. Në qoftë se ka dalë që të kryejë nevojat e prindërve të tij, ai është në rrugën e Allahut. Në qoftë se ka dalë të fitojë bukën e tij, ai është në rrugën e Allahut. Në qoftë se ka dalë për t’u dukur rrugëve, ai është në rrugën e shejtanit. (Et-Tergib vet-Terhib, vol. 2, fq. 254.)

Dy nga pesë kushtet e Islamit, zekati dhe haxhi janë adhurime me pasuri, që duhet t’i kryejnë myslimanët e pasur. Pasuria arrihet me punë. Njeriu punëtor është njeri i mbarë, sepse duke punuar është i dobishëm për veten e tij, për familjen dhe për popullin e tij.

Profeti (a.s.), e ka sqaruar me këto fjalë këtë të vërtetë, kur ka thënë: “Njeriu më i hajrit është njeriu i dobishëm për shoqërinë.” (250 Hadith, fq. 121.)

Njeriu duhet të punojë për këtë botë sikur nuk do të vdesë kurrë dhe për botën tjetër sikur do të vdesë nesër.

Profeti (a.s.), na e ka këshilluar gjithmonë punën dhe ka kërkuar nga myslimanët të zhvillohen çdo ditë, pasi u ka thënë: “Ai për të cilin dy ditë janë njësoj, është mashtruar nga kjo jetë.” (Keshful-hafa, vol 2, fq. 233.)

Një mysliman nga Medina erdhi te Profeti (a.s.) dhe lypi prej tij para. Profeti (a.s.), e pyeti:

– Nuk të gjendet asgjë në shtëpi?

– Kam një shtambë me të cilën pijmë ujë dhe një shtrojë me të cilën mbu­lohemi vetë dhe anën tjetër e shtrojmë në tokë.

– Shko dhe m’i sill këtu.

Personi shkoi dhe ia solli Profetit (a.s.), i cili, pasi i mori, iu drejtua sa­habëve dhe u tha:

– Kush i blen këto?

– Unë i blej për një dërhem, – tha njëri.

– A nuk mundet kush prej jush të shtojë më shumë, – pyeti Profeti.

– I marr unë për dy dërhemë, – tha tjetri.

Profeti (a.s.), i shiti dhe pasi mori dërhemët, u kthye nga personi dhe i tha:

– Urdhëro, merri këto dy dërhemë. Me njërin blej ushqime për shtë­pinë, ndërsa me tjetrin shko dhe bli një sëpatë.

Burri ashtu veproi. Kur i solli sëpatën, Profeti (a.s.), i vuri asaj një bisht druri dhe pastaj i tha personit:

– Merre këtë sëpatë, shko në pyll, prit dru me të dhe mos eja këtu për pesëmbëdhjetë ditë.

Pas pesëmbëdhjetë ditëve personi u kthye. Ai kishte fituar dhjetë dërhemë, me të cilët kishte blerë ushqime dhe rroba për familjen. Kur e pa këtë gjë, Profeti (a.s.), i tha:

“E sheh se më mirë është të punosh sesa të lypësh. Lypja do të jetë njollë e zezë për ty në Ditën e Gjykimit.” (Et-Tergib vet-Terhib, vol. 2, fq. 523.)

Me këto fjalë, i dërguari i Allahut na ka treguar rrugën e lumturisë në këtë botë dhe në botën tjetër:

“Më i hajrit në mesin tuaj është ai që nuk braktis jetën tjetër për këtë botë dhe anasjelltas, por punon për të dyja dhe nuk u bëhet barrë njerëzve.” (Muhtarul-ehadith.)

Share.

Comments are closed.