Me afrimin e shfaqjes së profetësisë muhammediane, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) tërhiqej shpesh në vetmi duke u zhytur për një kohë të gjatë në thellësitë e detit të meditimit. Herë pas here dilte nga shtëpia, largohej nga Meka dhe shkonte për në vende të heshtura e të qeta. Në këtë mes, pemët dhe gurët që haste, e përshëndesnin me fjalët “es-Selamu alejke ja Rasulullah”, “Paqe ty, o i Dërguari i Allahut!” Profeti i ardhshëm vështronte nga të gjitha anët, por nuk shihte gjë tjetër veç drurëve e gurëve!112

Kështu, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka thënë:

“Unë di një gur në Mekë që, para se të dërgohesha si pejgamber, më përshëndeste me urim për paqe. Vendin e tij e di edhe tani!” (Muslim, Fedail, 2)

Edhe Hz. Aliu (r.a.) tregon kështu:

“Ndodhesha në Mekë së bashku me të Dërguarin e Allahut. Po ashtu, së bashku, shkuam në disa vende të Mekës. Kalonim mes kodrave e pemëve. Të gjitha kodrat dhe pemët nga kalonte ai, e përshëndesnin: “es-Selamu alejke ja Rasulullah!” (Tirmidhi, Menakib, 6/3626)

Në muajin e ramazanit, Drita e Qenies (s.a.s.) tërhiqej për një muaj adhurim dhe meditim113 në shpellën Hira114. Gjatë kësaj kohe, i ushqente të varfërit që i shkonin pranë, ua plotësonte nevojat. Pastaj, kur dilte nga itifaku, para se të shkonte në shtëpi, e bënte Qaben tavaf.115

Kur shihte se si fisi i tij u falej idhujve, e dëshironte më shumë largimin prej tyre, tërheqjen në vetmi dhe adhurim. Ky adhurim ishte në formën e meditimit, e marrjes mësim prej krijimit të qiejve e të tokës, siç bënte i pari i tij, Ibrahimi (a.s.), dhe e soditjes së Qabes.116

Kur shkonte për në Hira, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) merrte me vete pak ushqim. Kur i mbaroheshin ushqimet, kthehej te Hz. Hatixheja, merrte të ngrëna dhe shkonte prapë në mal Ndodhte që në Hira të shkonte edhe së bashku me Hz. Hatixhenë.118

Gjatë kohës kur ndodhej në vetmi, Profeti shihte drita dhe dëgjonte zëra. Ai frikësohej prej këtyre duke menduar se ishin gjëra që kishin të bënin me xhindët dhe orakujt119. Ai i thoshte Hz. Hatixhesë:

“O Hatixhe, kam frikë se mos bëhem orakull (falltar). Vallahi, për asgjë nuk ndjej aq neveri dhe urrejtje sa ç’ndjej për këta idhujt dhe orakujt (falltarët)!”

Kurse ajo e qetësonte duke i thënë:

“O biri i tim ungji!120 Mos thuaj ashtu! Allahu kurrë nuk të bën ty orakull (falltar)!..” (Ibni Sa’d, I, 195)

Periudha e tërheqjes në vetmi në malin Hira kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) pati qëndruar vetëm për vetëm me Zotin e Tij, i ngjan aventurës së farës nën tokë. Shpella Hira është mjedisi i një gjeneze121, cilësia e së cilës do të mbetet përjetësisht e panjohur për njerëzimin. Aty u hodhën farërat e besimit, aty u ndez pishtari i lumturisë së përjetshme dhe aty nisi zbritja e Kur’anit, udhëzuesit të rrugës së drejtë, si dhuratë për njerëzimin.

Faktorët që e shtynë Hz. Muhammedin (s.a.s.) në Hira ishin, në dukje, bestytnia ku kishte rënë populli, vuajtja që i reflektohej në zemër nga padrejtësia, dhuna dhe mjerimi, si dhe mëshira gjithëpërfshirëse për tërë njerëzimin. Kurse, në të vërtetë, ishte një etapë përgatitore që do të siguronte përcjelljen te njohja njerëzore të Kur’anit të Shenjtë nga pozita hyjnore nëpërmjet zemrës së pastër muhammediane. Nga pikëpamja cilësore, kjo situatë ishte një skenë rrjedhe shkëndijash shpirtërore që i përngjante pothuaj shkarkimit në tokë të një potenciali elektrik me tension të lartë dhe fakti që kjo ishte një e fshehtë intime mes Allahut dhe njeriut të dashur të Tij, e bënte të detyrueshme realizimin e saj në një shpellë larg syve të njerëzve. Periudha e Hirasë ishte koha kur Hz. Muhammedi do të bëhej bashkëbiseduesi i mesazhit hyjnor, koha kur do të dilte në dukje kapaciteti i lindur për ta bartur barrën e rëndë të papërballueshme për njerëzit e zakonshëm. Krejt si kapaciteti i natyrshëm i përbërjes fiziko-kimike të hekurit të papërpunuar për t’u kthyer në çelik…

Nuk mund të përfytyrohet një aftësi njohëse, korniza e së cilës nuk do të copëtohej e shpërndahej në përpjekjen për ta nxënë denjësisht këtë të fshehtë, si dhe një fjalë njerëzore që do të mund ta shprehte këtë të fshehtë.

Nga tërheqja në vetmi dhe vetizolimi i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) në Hira si dhe nga itikafet e kryera në mënyrë të madhërishme në periudhat e mëvonshme kuptojmë se një musliman, sado adhurim që të bëjë, nuk mund të arrijë përkryerjen në kuptimin e plotë të fjalës pa u tërhequr kohë më kohë në vetmi për të bërë vetëllogari dhe për të medituar mbi rrymat e fuqisë hyjnore në gjithësi. Kjo është një detyrë minimale që duhet ta bëjë çdo besimtar. Kurse personat që kanë për t’u bërë udhëzues e prijës për njerëzit, kanë nevojë më shumë për këtë meditim, sensibilizim dhe vetëllogari.

Kur’ani, duke e vënë njeriun në meditim qysh nga ajeti i parë e gjer tek i fundit, sugjeron që në qendër të mendimit të vendoset Zoti. Në këtë mënyrë, besimi shndërrohet në shije e kënaqësi. Në çdo kohë dhe vend, robi ndodhet në përpjekje për ta kërkuar pëlqimin e Zotit. Dhe, si përfundim, me anë të shfaqjeve të rrymave të madhështisë dhe fuqisë hyjnore në zemër, duke iu afruar Zotit, robi arrin bashkimin me Të!

Një nga specifikat më të rëndësishme për besimtarin është edhe dashuria për Allahun, ajo që në gjuhën e mistikës emërtohet muhabetullah, afeksion ndaj Allahut.122 Faktori i vetëm pas besimit, për ta fituar dashurinë për Allahun, është meditimi i vazhdueshëm mbi favoret dhe mirësitë e Allahut, mbi madhështinë dhe fuqinë e Tij dhe, pastaj, përmendja e Tij e shumtë me gojë e me zemër!123 Dhe të gjitha këto janë të mundura me plot kuptimin e tyre, duke e mbrojtur zemrën nga preokupimet dhe marramendjet materiale të kësaj bote me anë të tërheqjes në meditim dhe adhurim.

Këtu është e nevojshme të nënvizohet se me tërheqjen në meditim dhe adhurim nuk nënkuptohet largimi nga njerëzit, vetizolimi dhe banimi në male dhe shpella duke ikur nga shoqëria. Veprimi në këtë mënyrë bie në kundërshtim me praktikën e Profetit (s.a.s.) dhe sahabeve.

Kështu, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka thënë: “Muslimani i cili futet mes njerëzve dhe merr pjesë në vështirësitë e tyre, është më i dobishëm se muslimani që qëndron i veçuar dhe nuk merr pjesë në vështirësitë e tyre!” (Tirmidhi, Kiamet, 55)

Fakti që i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka kryer shumë veprimtari, si ka kullotur vetë dhentë, ka marrë pjesë në luftën Fixhar dhe organizatën Hilfu’l-Fudul, ka bërë tregti dhe ka punuar si punëtor në rindërtimin e Qabes, tregojnë se ai ka qenë brenda jetës edhe para profetësisë. Ai ka marrë pjesë në të gjitha vlerat e shoqërisë, por ka qëndruar larg të këqijave të saj duke mos iu afruar kurrë atyre!

Tërheqja në vetmi dhe adhurim ka për qëllim riedukimin e vetvetes. Ilaçi i marrë për të gjetur shërim, duhet të jetë në kohë dhe masën e duhur. Eshtë jashtë çdo diskutimi se po të merret më shumë se ç’lejohet dhe ç’duhet, në vend të dobisë, shkakton dëm

Share.

Comments are closed.