Ne jetojmë në shumë mirësi të Allahut Teala. Këto mirësi janë aq të shumta, saqë nuk mund t’i shohim me sy dhe nuk mund t’i numërojmë. Në Kuranin Fisnik thuhet: “…Nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni…” (Ibrahim, 34)
Edhe dashuria është njëra prej këtyre mirësive… Aq sa ndjejmë nevojë për të ngrënë e për të pirë nga ana fizike, po aq shumë kemi nevojë edhe për dashurinë për shpirtin tonë. Një jetë pa dashuri i ngjason një peme të thatë. I Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, ka thënë: “Nuk ka mirësi në atë që nuk i do (të tjerët) dhe nuk duhet (nga të tjerët).” Dashuria mundëson që njerëzit të afrohen dhe të miqësohen me njëri-tjetrin. Gjithashtu mundëson edhe bashkimin dhe unitetin ndërmjet tyre.
Besimtari i do të tjerët dhe duhet nga të tjerët për hir të Allahut (xh.xh.), sepse ai edukohet në hallkën e dashurisë ndaj Allahut të Lartësuar dhe Resulullahut (s.a.s.). Dashuria i jep drejtim jetës së besimtarëve. Për këtë arsye, ata nuk mashtrohen nga kjo botë. Kjo dashuri i bën myslimanët të durueshëm kundrejt vështirësive të kësaj bote dhe i ushtron me sakrificat në rrugën e Allahu Teala për lartësimin e Islamit. Kjo dashuri u jep besimtarëve një pjekuri me të cilën mund ta flijojnë pasurinë, jetën dhe çdo gjë të tyren për Allahun Teala dhe Pejgamberin (s.a.s.). Nëse do t’i hedhim një shikim jetës së sahabëve të nderuar, do të hasim në mijëra raste të sakrificave të tilla.
Pejgamberi ynë i dashur e donte shumë Talha ibn Ubejdullahun (r.a.). Kur një herë nuk e pa, pyeti: “Çfarë ka ndodhur që nuk e shoh dot atë mikun tonë të dashur dhe orator?” Ja pra, Hazreti Talha ibn Ubejdullahu ishte njëri prej besimtarëve të tillë.
Talha ibn Ubejdullahu (r.a.), i cili fitoi lavdërimin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.): “Talha dhe Zubejri janë fqinjët e mi në xhenet.”, udhëtonte shpesh ngaqë preokupohej me tregti. Nderimi i tij me Islamin ka ndodhur në këtë mënyrë:
“Talha ibn Ubejdullahu (r.a.), kishte shkuar për tregti në panairin që mbahej në qytezën Busra diku afër Shamit. Aty një murg thirri: “A ka ndonjë që ka ardhur nga Meka?” Talha (r.a.), i tha: “Po, unë jam nga Meka.” Murgu e pyeti:
“A është shfaqur Ahmeti?” Talha ibn Ubejdullahu (r.a.), i tha:
“Kush është Ahmeti?” Murgu ia ktheu: “Ai është biri i Abdullah ibn Abdulmuttalibit. Është pejgamberi i fundit. Ai do të shfaqet në Mekë.”
Talha, radijall-llahu anh, e mbaroi punën shpejt, u largua nga aty dhe u kthye në Mekë. Aty dëgjoi se Muhammedu’l-Emini ishte pejgamber. Ai shkoi te Ebu Bekri (r.a.) dhe i tregoi për ato që i kishin ndodhur. Kur dëgjoi se edhe Hz. Ebu Bekri ishte bërë mysliman, së bashku shkuan te i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Kur Talha ibn Ubejdullahu po tregonte për ato që i kishte thënë murgu në Busra, Resulullahu (s.a.s.), vazhdimisht buzëqeshte. Në zemrën e Talhës tashmë ishte ndezur drita e besimit. Menjëherë tha shehadetin dhe u nderua me Islamin.
Talha ibn Ubejdullahu (r.a.), u mundua dhe u torturua shumë nga politeistët e Mekës. Edhe pse i përjetoi gjithë këto vështirësi, prapë se prapë kurrë nuk hoqi dorë nga besimi. Ai rezistoi me durim kundrejt torturave që i bënë. Në këtë mënyrë, edhe besimi iu forcua më shumë.
Mes’ud ibn Hirashi e transmeton si më poshtë një ngjarje që ka dëshmuar: Ndërmjet kodrave Safa dhe Merve pashë një të ri që i kishte duart e lidhura në qafë. Një grup që përbëhej prej shumë vetash, po i shkonin nga pas. Unë pyeta se çfarë faji kishte bërë ky i ri. Ata mu përgjigjën duke më thënë se kishte devijuar nga feja e etërve të tyre. Nga pas edhe një grua po i thoshte fjalë të shëmtuara. Për të më thanë se ishte nëna e tij. Ndërsa i riu i përballonte torturat duke thënë se nuk do të hiqte dorë nga feja e tij, edhe nëse e vrisnin. Ata më thanë se ky i ri quhej Talha ibn Ubejdullah.
Talha (r.a.), ishte shumë trim. Ai dha pasurinë, jetën dhe çdo gjë të tijën për t’i shërbyer Islamit. Talha ibn Ubejdullahu (r.a.), mori pjesë në të gjitha luftërat përveç luftës së Bedrit. Pejgamberi ynë i nderuar e pati dërguar atë për kontroll jashtë Medines së bashku me Said ibn Zejdin (r.a.). Ata nuk mundën të merrnin pjesë në luftën e Bedrit, ngaqë nuk kishin si të njoftoheshin.
Ai digjej vazhdimisht me dëshirën për të rënë dëshmor. Heroizmat që shfaqi në luftën e Uhudit, ishin pothuajse legjendare. Talha (r.a.), atë ditë nuk u largua aspak nga i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, por vetëm i shkonte rreth e rrotull për ta mbrojtur. Ai qëndroi fuqishëm kundër sulmeve të politeistëve dhe e bëri trupin e tij mburojë për Pejgamberin tonë të dashur.
Sa’d ibn Ebi Vakkasi (r.a.), na tregon kështu për atë ditë: “Kur ne po shkonim rreth e rrotull të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), pashë se Talha ibn Ubejdullahu (r.a.), qëndronte pranë Pejgamberit (a.s.) dhe e kishte bërë trupin mburojë për të.”
I gjithë trupi i Talhës (r.a.), atë ditë ishte bërë vrima-vrima nga goditjet të shpatave dhe shigjetave. Por ai qëndroi kundrejt këtyre goditjeve… Talha (r.a.), vazhdoi të luftonte. Pasi ky trim mori dy goditje të forta shpate, ra përtokë.
Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.), e pa në atë gjendje, i tha Ebu Bekrit (r.a.), që të shkonte menjëherë dhe ta ndihmonte. Ebu Bekri (r.a.), shkoi menjëherë dhe ia ngriti kokën Talhës të cilit i kishte rënë të fikët e gjendej i shtrirë përtokë. Hz. Ebu Bekri ia lau fytyrën me ujë.
Pas pak kohe Talha ibn Ubejdullahu (r.a.), erdhi në vete. Pyetja e parë që bëri ishte: “Çfarë po bën i Dërguari i Allahut?” Ebu Bekri (r.a.), i tha: “I Dërguari i Allahut është mirë. Ai më dërgoi mua te ti.” Nisur nga kjo përgjigje që mori, Talha (r.a.), tha:
“Falënderimet e pafundme qofshin për Allahun! Pasi ai të jetë gjallë, çdo fatkeqësi është e lehtë.” Me këto fjalë shprehu dashurinë që kishte ndaj Pejgamberit tonë të nderuar.
Pas pak aty shkoi edhe Resulullahu (s.a.s.). Ai e preku të gjithë trupin e Talhës me duart e tij të bekuara dhe u lut: “O Allah! Shëroje atë! Jepi fuqi atij!”
Pas një kohe të shkurtër, Talha ibn Ubejdullahu (r.a.), u ngrit në këmbë. Tashmë ishte shëruar. Ai filloi përsëri të luftonte. Nuk u nda për asnjë moment nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Ai e mori në kurriz dhe e uli mbi një gur Hz. Pejgamberin, i cili u tërhoq në fund të malit të Uhudit,. Ditën e Uhudit ai u nderua me llagapin “Talha i mirë” dhe fitoi përgëzimin e Pejgamberit i cili u shpreh: “Atij iu bë vaxhib xheneti.”
Talha ibn Ubejdullahu (r.a.), i cili mori pjesë në të gjitha luftërat që u bënë deri në çlirimin e Mekës, në luftën e Tebukut dha çdo gjë që posedonte për armatimin e ushtrisë. Për këtë arsye mori llagapin “Fejjaz/Fisniku”.
Heroizmat që Talha (r.a.), ka shfaqur ditën e Uhudit, nëna jonë Hz. Aishja (r.anha), i transmeton siç vijon: “Kurdo që përmendej dita e Uhudit në prani të Ebu Bekrit (r.a.), ai thoshte: “E gjithë ajo ditë ka qenë dita e Talhës.”
Një shembull për bujarinë dhe fisnikërinë e Talhës (r.a.), transmetohet si më poshtë nga djali i tij: “Kur Talha po ecte rrugës me një rrobë të bukur tip jeleku, një burrë ia tërhoqi atë, ia mori dhe iku me vrap. Disa njerëz që gjendeshin aty, vrapuan dhe ia morën rrobën atij. Ndërsa Talha (r.a.), ia dha përsëri. Kur Talha e pa gjendjen e dobëtt të atij burri, i tha: “Merre! Allahu të bekoftë!” Pastaj e qetësoi duke i thënë: “Më vjen turp nga Allahu që ta kthej duarbosh dikë që më kërkon diçka.”
Hz. Aliu (r.a.), ka thënë në lidhje me Talhën: “Ja, ky është Ebu Muhamed Talha Ubejdullahu (r.a.). Në shumicën e rasteve ai jep pa i kërkuar.”
Hz. Talha vishej shumë thjeshtë, edhe pse ishte shumë i pasur. Hante mjaft pak dhe nuk shpërdoronte. I ndihmonte jetimët dhe ua plotësonte nevojat të varfërve. Nevojtarët e Beni Tejmit jetonin në sajë të ndihmave të tij. Talha (r.a.), i ndihmonte gratë e veja dhe ua paguante borxhet atyre që ishin të zhytur në borxhe.
Sa lumturi e madhe është të jetosh pa pasur lakmi në zemër, duke qëndruar larg urrejtjes, mendjemadhësisë e smirës dhe duke bërë një jetë të pastër e të dëlirë!
Aliu (r.a.), qau shumë kur dëgjoi se Talha ibn Ubejdullahu (r.a.), kishte rënë dëshmor në ngjarjen e Xhemelit dhe tha: “O Talha! Shpresoj që unë dhe ti të jemi prej të devotshmëve fatlumë që përmenden në ajetin fisnik: “Ne e kemi nxjerrë urrejtjen nga zemrat e tyre; ata do të rrinë ulur si vëllezër përballë njëri-tjetrit në divane.” (Hixhr, 47)
Në zemrat e njerëzve që do të jenë prej banorëve të xhenetit, nuk mbetet urrejtje, smirë dhe armiqësi. Njëra prej shenjave të një myslimani të devotshëm është, se ai nuk mban urrejtje. Allahu Teala nuk lë urrejtje në zemrat e të devotshmëve.
Aliu (r.a.), ka thënë: “Shpresoj që Osmani, Talha, Zubejri dhe unë të jemi prej këtyre të devotshmëve.”
Talha ibn Ubejdullahu (r.a.), ishte prej asheratu’l-mubeshsherah. Domethënë, ishte njëri prej dhjetë sahabëve që u përgëzua me xhenet që në këtë jetë. Ai ishte prej heronjve të parë që hynë në Islam. Ai u zgjodh prej “As’habu’sh-Shura/sahabët e kuvendit”. Ky “Shura/kuvendi” luajti rol të rëndësishëm në zgjedhjen e kalifit. Këtë mund ta quajmë edhe “Kuvendi i Konsultimit”. Ky kuvend përbëhej nga gjashtë anëtarë. Edhe Talha (r.a.), u zgjodh si një anëtar i këtij kuvendi kaq të rëndësishëm.
Talha ibn Ubejdullahu (r.a.), ka jetuar në kohën e tre kalifëve. Pra, ka jetuar në periudhën e kalifatit të Ebu Bekrit (r.a.), Omerit (r.a.) dhe Osmanit (r.a.). Të gjitëve u pati dhënë besën. Ai ra dëshmor në ngjarjen e Xhemelit rreth moshës gjashtëdhjetë vjeçare. Namazin e xhenazes ia fali Aliu (r.a.).
Allahu qoftë i kënaqur prej tij!
Lus Allahun Teala që të na mundësojë të marrim mësim nga heroizmat dhe sakrificat e Talha ibn Ubejdullahut (r.a.)! Zoti (xh.xh.), na bashkoftë me të në xhenet! Amin!