Jeta e kësaj bote është quajtur “daru’l-imtihan / vendi i sprovës”, sepse në të gjitha aspektet e jetës bëhet fjalë për sprovat e ndryshme hyjnore. Këto, në një aspekt, janë sprova që nxjerrin në pah cilësinë e nënshtrimit ndaj Allahut të Madhëruar. Suksesi apo dështimi do të jetë shkak për lumturinë ose ndëshkimin e njeriut në jetën e përhershme. Çështja është shumë serioze dhe për askënd nuk bëhet fjalë që të mos sprovohet. Pyetjet e këtij provimi janë të veçanta për secilin. Fusha e kësaj sprove është në varësi të mundësive apo pamundësive që i janë dhënë njeriut. Sprovimi me para, apo me një shprehje tjetër, sprovimi me pasuri, është njëri prej sprovimeve më të vështira. Në Kuranin Fisnik ka shumë ajete që flasin në lidhje me këtë çështje. Por në këtë shkrim, ne do të shtjellojmë dhe do të marrim mesazhet bazë të disa historive që Allahu Teala na i ka shfaqur në formën e tablove. Në suren el-Kehf, tregohet biseda e një besimtari të vetëdijshëm me një besimtar të shkujdesur dhe të pasur:

“Jepu atyre si shembull ndodhinë e dy njerëzve. Njërit prej tyre Ne i kishim dhënë dy kopshte vreshtash, që i kishim rrethuar me hurma e midis tyre kishim bërë fusha drithi. Të dy kopshtet jepnin frytet e veta, pa u munguar asgjë dhe bëmë që midis tyre të rridhte një lumë. Ai pati prodhim të bollshëm dhe i tha shokut të vet, duke biseduar me të: ‘Unë kam më shumë pasuri se ti dhe kam rreth më të fortë!’ Pastaj hyri në kopshtin e vet dhe, duke qenë i padrejtë me vetveten, tha: ‘Unë nuk mendoj se kjo do të shkatërrohet ndonjëherë dhe nuk mendoj se do të arrijë ndonjëherë Ora (e Kiametit). Por, edhe nëse do të më kthejnë te Zoti im, sigurisht që do të gjej një vend më të mirë se ky (kopsht)’! Shoku i tij i tha: ‘A e mohon ti Atë, i Cili të ka krijuar nga dheu, pastaj nga pika e farës dhe të bëri më në fund njeri të plotë?! Sa për mua, unë besoj se Allahu është Zoti im dhe Zotit tim unë nuk i shoqëroj askënd (në adhurim). Do të ishte më mirë për ty sikur të kishe thënë, kur hyre në kopshtin tënd: ‘Kështu ka dashur Allahu! Nuk ka fuqi përveçse nëpërmjet Allahut.’ Nëse ti sheh se unë kam më pak pasuri dhe pasardhës, dije, Zoti im mund të më japë diçka më të mirë se kopshti yt, ndërsa në kopshtin tënd mund të dërgojë një shkatërrim nga qielli e të gdhijë rrafsh pa asgjë ose të bëjë që uji i tij (kopshtit), të humbasë në thellësi e të mos mund ta gjesh kurrë më’. Dhe pasuria e tij (e mohuesit) u shkatërrua, kurse ai i rrihte duart për gjithçka që kishte shpenzuar në të (pronën e vet), që tashmë ishte shkretuar nga rrënjët dhe thërriste: ‘Ah! Sikur të mos i kisha shoqëruar Zotit tim askënd!’ Kështu, ai nuk pati kurrfarë rrethi që ta ndihmonte kundër Allahut dhe as që ishte në gjendje të mbronte vetveten. Në një rast të tillë, mbrojtja vjen vetëm nga Allahu, i Vërteti. Ai është më i miri për të shpërblyer dhe jep përfundimin më të mirë.” (Kehf, 32-44)

Mesazhi bazë që jepet në këtë tablo, është e vërteta se kur njeriu nuk pranon që mirësinë e ka nga Allahu, privohet nga mirësia si rezultat i humbjes së sprovës dhe shfaqjes së mosmirënjohjes ndaj Zotit (xh.xh.). Nëse e shohim me vëmendje, kjo gjendje shprehet si rënie në shirk, që është mëkati më i madh. Në të njëjtën mënyrë u dënua  edhe Karuni, i cili pandehte së pasurinë e kishte nga dija e tij dhe u zhyt në fund të dheut.[1] Edhe një tablo tjetër që tregohet në Kuranin Fisnik është në lidhje me disa njerëz, që e fshihnin pasurinë për veten e tyre, që nuk e ndanin me të varfrit, koprracë dhe që e pandehnin veten të mençur e dinakë. Allahu i Madhëruar thotë:

“Ne i kemi vënë në provë ata (banorët e Mekës), ashtu siç i sprovuam të zotët e kopshtit, të cilët ishin betuar se në mëngjes do t’i vilnin frutat dhe nuk patën thënë: ‘Në dashtë Zoti’! Kështu, kopshtin e goditi një fatkeqësi nga Zoti yt, ndërkohë që ata po flinin dhe gdhiu si i kositur. Në agim, ata thirrën njëri-tjetrin: ‘Nxitoni herët në kopshtin tuaj, nëse doni t’i vilni frutat!’ Dhe u nisën duke pëshpëritur: ‘Të mos lejojmë asnjë të vobektë të hyjë në kopshtin tonë!’ Ata u nisën herët, të vendosur në atë që thanë. Por, kur e panë kopshtin, thanë: ‘Ne qenkemi vërtet të humbur, madje, qenkemi të privuar (nga frutat e kopshtit).’ Më i arsyeshmi ndër ta tha: ‘A nuk ju thashë unë se duhet ta lartësoni Allahun?!’ ‘Lavdëruar qoftë Zoti ynë! – thanë – Ne paskemi qenë vërtet të padrejtë!’ Atëherë filluan të qortojnë njëri-tjetrin. ‘Ah, të mjerët ne! – thanë ata – Paskemi qenë vërtet arrogantë! Zoti ynë mund të na japë një kopsht më të mirë, po të kthehemi të penduar tek Ai!’ I tillë ka qenë dënimi i tyre. Ndërsa dënimi në jetën tjetër, është më i madh, veç sikur ta dinin!” (Kalem, 17-33)

Mesazhi në këtë ajet është shumë i qartë: Paratë dhe pasuria nuk i përkasin vetëm atij që i janë dhënë. Aty kanë pjesë edhe nevojtarët. Largimi nga infaku nuk i jep begati pasurisë, përkundrazi, bëhet shkak që ajo të humbasë. Ndarja e pasurisë me të tjerët është një lloj i përkujtimit dhe madhërimit të Allahut Teala nga ana e zotëruesit të pasurisë. Kur njeriu të mos veprojë në këtë mënyrë, siç shprehet edhe Kurani, bën padrejtësi. Ne duhet ta dimë se Allahu Teala është kundër padrejtësisë dhe të padrejtit. Të padrejtët ndëshkohen që në këtë botë. Ndërsa ndëshkimi në Ahiret, pa dyshim se do të jetë më i ashpër.

Paratë, pasuria dhe mirësitë, sigurisht se janë të ëmbla. Dora e lavdëruar nuk është ajo që merr, por ajo që jep. I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, çdo gjë e ka shpjeguar me këtë hadith të Tij: “Sa mirësi e madhe është pasuria për një njeri të devotshëm!” (Ahmed b. Hanbel, Musned, IV, 197,202.) Domethënë, e rëndësishme është që njeriu të jetë i devotshëm. Sa bukur e shpjegojnë këtë të vërtetë edhe këto ajete që bëjnë fjalë për Sulejmanin, alejhi’s-selam, në Kuranin Fisnik:

“Ne i falëm Daudit Sulejmanin. Sa rob i mrekullueshëm ishte ai! Sigurisht se ai i drejtohej gjithnjë me pendesë Zotit! Kur një pasdite iu paraqitën kuajt këmbëshpejtë, ai tha: ‘Unë me të vërtetë e dua pasurinë, ngaqë më bën të përkujtoj Zotin. Kur i humbën nga sytë dhe ikën, tha: ‘M’i ktheni ata (kuajt)!” (Kur erdhën kuajt), filloi t’u ledhatonte këmbët dhe qafën.” (Sad, 30-33) Edhe në këtë mesazh që jep kjo tablo, tregohet mënyra e të qenit “rob i mrekullueshëm te Allahu”, kur të jepen mirësitë. Kjo do të thotë që mirësitë duhet t’ia kujtojnë njeriut Zotin dhe njeriu, gjithmonë duhet ta gjejë mundësinë e shansin për t’iu drejtuar Zotit (xh.xh.), me ato mirësi që i janë dhënë. Fitimi i madh është diçka e pëlqyeshme, përderisa nuk kalohen kufijtë që ka vendosur Allahu Teala. Ndërsa lakmia për të fituar sa më shumë pa pasur kujdes ndaj hallallit dhe haramit, i sjell njeriut shkatërrimin e tij. Në Kuranin Fisnik shfaqet një tablo shumë spikatëse në lidhje me këtë. Allahu i Madhëruar thotë:

(O Pejgamber!) pyeti ata për qytetin që gjendej në bregdet dhe për çfarë i gjeti banorët e tij kur thyen urdhëresën e Sabatit (të shtunës)![2] Atë ditë u vinin peshqit me shumicë, ndërsa ditëve të tjera që nuk i kremtonin, nuk u vinin. Kështu, Ne i vumë në provë, sepse bënin punë të mbrapshta. Kur disa prej tyre thanë: ‘Përse këshilloni, kur e dini se Allahu do t’i zhdukë ose do t’i ndëshkojë ashpër?!’ Këshilltarët u përgjigjën: ‘Për t’u arsyetuar para Zotit tuaj dhe që ju të mund të ruheni nga gjynahet’. Por, kur e harruan atë për të cilën ishin paralajmëruar, Ne i shpëtuam ata që këshillonin, kurse i ndëshkuam ashpër keqbërësit, për shkak të mosbindjes së tyre. Kur ata ngulmuan me mendjemadhësi të bënin atë që u ishte ndaluar, Ne u thamë: ‘Bëhuni majmunë të përbuzur!’” (A’raf, 163-166)

Njëri prej mësimeve më të rëndësishme që mund të merret nga ky ajet fisnik, është: Hapja e mundësive të fitimit të madh me rrugë haram, asnjëherë nuk duhet të pranohet si diçka e duhur. Kjo është humbja më e madhe që duket si fitim. Lloji i pasurisë, që e nxjerr njeriun nga të qenit njeri, në përgjithësi është nga ky lloj.

 

[1] Shik. el-Kasas, 76-83.

[2] Njëra prej dispozitave hyjnore që iu zbrit Musait, alejhi’s-selam, ishte respekti i ditës së shtunë duke mos u angazhuar me punët e kësaj bote dhe duke u preokupuar me punët e ahiret. Por disa çifutë që pandehnin se ishin dinakë, menduan se gjetën zgjidhjen e duhur për t’i kapur peshqit që vinin me shumicë. Në këtë mënyrë, përpiqeshin të shkelnin ndalesën e vënë nga Zoti (xh.xh.). Ajeti bën fjalë për gabimin që bënë këta njerëz.

Adem Ergyl

Share.

Leave A Reply