Pas përfundimit të Bejt-i Makdisit, Sulejmani (a.s.), bashkë me ushtrinë e tij të përbërë prej erës, xhinëve, njerëzve, zogjve dhe kafshëve të tjera të egra, po marshonte drejt Mekës. Prej atje kaloi në qytetin Sana, ku deshi të falej në një luginë të bukur që pa. Ndërkohë, një zog i quajtur Hud’hud (mendohet se i ngjan pupëzës) u largua me dëshirën që të vizitonte vendet përreth. Ai u përzie me zogj të tjerë të llojit të vet dhe u mahnit me vendet e bukura që shëtiti. Zogjtë e tjerë e shëtitën atë në kopshtet e sarajeve të mbretëreshës Belkis.

Pas një farë kohe, Sulejmani (a.s.), kërkoi pupëzën, me qëllim që ta dërgonte për të gjetur ujë, sepse detyra e atij zogu ishte t’i tregonte Sulejmanit (a.s.), vendndodhjen e ujit. Mirëpo, kur nuk e gjeti zogun, Sulejmani (a.s.), tha:

“Pse nuk e shoh pupëzën këtu, a nuk është e pranishme ajo?” (Neml, 20)

Sulejmani (a.s.), i cili në fillim foli butë duke thënë: “Pse nuk e shoh pupëzën këtu?..”, kur mësoi se ishte larguar pa lejen e tij, për shkak të rëndësisë që i jepte disiplinës ushtarake, tha:

“Nëse nuk do të më sjellë arsyetim bindës, do ta dënoj me dënim të rëndë ose do ta ther!” (Neml, 21)

Mirëpo!.. “Nuk vonoi shumë e ajo erdhi dhe tha: «Kam marrë vesh diçka që ti nuk e ke ditur dhe të kam sjellë lajme të vërteta prej (qytetit të) Sebës.»” (Neml, 22)

Sebe’ është emri i një fisi në Jemen. Qyteti Sebe’ ishte kryeqendra e vendit ku sundonte Belkisa. Lidhur me këtë, në Kuran urdhërohet:

“Vendbanimi i Sebës ishte një shenjë e qartë për banorët e tij: dy kopshte në të djathtë dhe në të majtë të lumit. (Ne u thamë atyre): «Hani nga ato që ju ka dhënë Zoti juaj dhe falënderojeni Atë. I mrekullueshëm është vendi juaj dhe Falës i madh është Zoti juaj!»” (Sebe, 15)

Pupëza vazhdoi t’i tregonte Sulejmanit (a.s.), ato që kishte parë:

“Kam parë një grua që sundonte popullin (e atij qyteti). Ajo zotëronte çdo gjë dhe kishte një fron madhështor. Kam parë se ajo dhe populli i saj adhuronin Diellin e jo Allahun. Shejtani ua paraqiste të bukura sjelljet e tyre, duke i larguar nga rruga e drejtë, prandaj nuk ishin të udhëzuar. Ata nuk i përuleshin në sexhde Allahut, i Cili nxjerr gjithçka që është e fshehur në qiej dhe në Tokë dhe di çfarë fshihni ju dhe çfarë tregoni haptazi. Allahu është Një, s’ka zot të vërtetë përveç Atij, Zotit të Arshit të madh!” Sulejmani tha: «Do të shohim se a thua të vërtetën apo je gënjeshtare.»” (Neml, 23-27)

Sulejmani (a.s.), shkroi një letër që fillonte me Bismilah (emrin e Allahut) dhe pasi e vulosi me vulën e tij të famshme, ia dha Pupëzës:

“Shko me këtë letrën time e çojua atyre. Pastaj largohu pak nga ata dhe shiko cila do të jetë përgjigjja e tyre!” (Neml, 28)

Pupëza e mori letrën dhe e la mbi fronin e Belkisës. Më pas u tërhoq mënjanë të shihte se ç’do të ndodhte. Kur Belkisa u zgjua nga gjumi në mëngjes, pa letrën mbi fron dhe u bë kureshtare të dinte se kush e kishte sjellë, sepse dyert kishin qenë të mbyllura. I pyeti rojet:

“Kush e ka sjellë këtë letër?”

Ata iu përgjigjën:

“Ne kemi qenë roje tek dera. Askush s’ka hyrë brenda!”

Pas kësaj, Belkisa e habitur, e hapi letrën, të cilën e lexoi dhe u çudit jashtë mase. Më pas, mblodhi parinë e popullit dhe u tha:

“Mbretëresha (e Sebës) tha: «O paria ime! Mua më ka ardhur një letër fisnike. Ajo është nga Sulejmani dhe shkruan: Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!»” (Neml, 29-30)

Disa komentues, thonë se, respekti që tregoi ajo me fjalët e saj ndaj kësaj letre, tregon se ajo mund të jetë udhëzuar në rrugën e vërtetë.

Po kështu, edhe magjistarët patën treguar respekt ndaj Musait (a.s.), kur i thanë; “O Musa! A do të hedhësh ti i pari apo të hedhim ne?”. Dhe, si përfundim ata u nderuan me besim.

Kurse rasti i sundimtarit pers Kisras, është krejt i kundërt. Kur ai e mori letrën e ftesës së Profetit (a.s.), e grisi  dhe e hodhi në tokë duke sharë e ofenduar. Për rrjedhojë, pasuria dhe sundimi iu shkatërruan, ndërsa jetën e mbylli i privuar nga besimi i vërtetë.

Belkisa vazhdoi të lexonte letrën:

“(Sulejmani thotë) «Mos ngrini krye para meje, por ejani të përulur si besimtarë»!” (Neml, 31)

Duke e filluar letrën e vet me Bismilah, Sulejmani (a.s.), i bënte të ditur Belkisës se adhurimi i bëhet vetëm Allahut. Më pas, duke u thënë; Mos ngrini krye para meje, por ejani të përulur si besimtarë!”, i fton ata të llogaritin veten dhe të kuptojnë se lumturia e vërtetë gjendet vetëm në fenë e Allahut.

 Ajo (Belkisa) tha: «O paria ime, më këshilloni se ç’duhet të bëj në këtë çështje! Unë nuk do të vendos asgjë pa ju!» Ata thanë:

«Ne jemi shumë të fortë dhe luftëtarë të guximshëm, por urdhri të takon ty, andaj mendo mirë se ç’do të urdhërosh!» Ajo tha:

«Në të vërtetë, kur mbretërit pushtojnë ndonjë vendbanim, e rrënojnë atë dhe e poshtërojnë parinë e tij. Kështu veprojnë ata. Tani do t’u dërgoj atyre një dhuratë dhe do të shoh me se do të kthehen të deleguarit.»” (Neml, 32-35)

Belkisa, e cila tashmë e kishte marrë mesazhin e Sulejmanit (a.s.), si rezultat edhe i këshillimit me parinë e vendit, mori vendimin t’i dërgojë Sulejmanit (a.s.), dhurata të çmuara me anë të njerëzve të vet, duke menduar se me këtë veprim, do të ishin të sigurt prej presionit të Sulejmanit (a.s.). Mirëpo, Sulejmani (a.s.), e kuptoi se ata i besonin shumë dhuratave që kishin dërguar dhe, duke i konsideruar ato si një ryshfet, i vendosur në misionin e tij, i dërgoi mbrapsht dhuratat e Belkisës:

“Kur erdhën (të dërguarit), Sulejmani tha: «A mos doni të më ndihmoni me pasuri?! Ajo që më ka dhënë Allahu, është më e mirë nga ajo që ju ka dhënë juve. Por ju gëzoheni me dhuratën tuaj. Kthehuni tek ata! Ne do të sjellim ushtri, të cilën nuk do të mund ta përballojnë ata dhe, me siguri, do t’i dëbojmë ata prej Sebës të poshtëruar dhe të përulur!»” (Neml, 36-37)

Kur të dërguarit u kthyen dhe i treguan mbretëreshës ç’u kish thënë Sulejmani, Belkisa tha:

“Ai duhet ta ketë kuptuar qëllimin tonë! Ai nuk është vetëm një sundimtar. Ne nuk mund të rezistojmë dot para tij!” Pastaj, dërgoi sërish një përfaqësues me këtë mesazh:

“Po vij tek ti së bashku me parinë e popullit tim. Dëshiroj ta shoh sundimin dhe fenë në të cilën po më fton!” Më pas, Belkisa siguroi fronin e saj shumë të çmuar dhe u nis për tek Sulejmani (a.s.), së bashku me një grup të madh njerëzish.

Ndërkohë, Sulejmani (a.s.), u kërkoi njerëzve të tij t’ia sillnin fronin e Belkisës nga Sebe’ në Kuds. Sipas komentuesve, me këtë ai kishte qëllim të kërkonte realizimin e një mrekullie, e cila do të ishte një argument tjetër për Belkisën, në sajë të të cilit do tregonte se ai ishte profet. Përveç kësaj, ai do të bënte ndryshime në fronin e Belkisës dhe do ta pyeste atë nëse e njihte apo jo atë fron, me qëllim që të shihte nivelin e zgjuarsisë së saj. Gjithashtu, për shkak se froni është tregues i madhështisë së mbretërimit, ai deshi të mësonte fuqinë e mbretërimit të Belkisës, para se ajo të vinte tek ai.

“Pastaj ai tha: «O parësi, kush prej jush do të më sjellë fronin e saj, para se ata të vijnë të dorëzuar?» Njëri nga xhindet – Ifriti, tha: «Unë do të ta sjell ty para se të ngrihesh prej vendit; unë për këtë jam i fuqishëm dhe i sigurt».” (Neml, 38-39)

Sulejmani (a.s.), ngrihej në mëngjes, ulej në fron, ku merrej me punët shtetërore dhe ngrihej në kohën e drekës. Për rrjedhojë, xhini po i thoshte se mund t’ia sillte fronin brenda një kohe sa mes mëngjesit dhe drekës. Mirëpo:

“Dikush që ishte i pajisur me dijen e Librit, tha: «Unë do të ta sjell ty sa çel e mbyll sytë.» Kur (Sulejmani) e pa të vendosur para tij, tha: «Kjo është nga dhuntitë e Zotit tim, për të më provuar a jam mirënjohës apo mohues. Kush falënderon, e bën për të mirën e vet e, kush mohon, (ta dijë se) Zoti im është i Vetëmjaftueshëm dhe Dhurues.»” (Neml, 40)

Sipas një mendimi të dijetarëve, njeriu i ditur që ia solli Sulejmanit (a.s.), fronin e Belkisës sa hap e mbyll sytë, ishte veziri i tij Asaf bin Berhija.

 

Share.

Leave A Reply