Suhejb er-Rumi (r.a.), ishte një sahab që meritoi konsideratën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), i cili tha: “Ai që i beson Allahut dhe ditës ë gjykimit, le ta dojë Suhejbin siç e do nëna fëmijën.” Ai ishte një sahab që u torturua duke u lënë në diell i mbështjellur me një parzmore prej hekuri, por ai prap nuk hoqi dorë nga besimi, edhe pse i binte mishi nga trupi…

Emri i tij ishte Suhejb er-Rumi. Llagapi i tij ishte Ebu Jahja. Ndërsa prejardhja e tij ishte: Suhejb ibn Sinan ibn Malik en-Nemri.

I Dërguari i Allahut (s.a.s.), ia ngriti famën Suhejbit duke thënë në lidhje me të: “Katër janë tw parwt në Islam. Unë jam i pari i arabve, Suhejbi është i pari i bizantwve, Selmani është i pari i perswve dhe Bilali është i pari i abisinasve.” Resulullahu (s.a.s.), ia shpalli në këtë mënyrë vlerën Suhejbit (r.a.). Hyrja e tij në Islam ka ndodhur kështu:

“Familja e Suhejbit u vendosën në anët e Basrës për shkak të detyrës së babait ose gjyshit të tij. Bizantët e sulmuan atë vend dhe e plaçkitën çdo gjë. Shumë njerëz i kapën robër. Edhe Suhejbi që ishte në moshë fëminore, gjendej ndërmjet robërve.

Suhejbi, i cili bëri jetë robërie për një kohë të gjatë, e dinte gjuhën bizante më mirë se arabishten. Ky ishte edhe shkaku që atij i thuhet er-Rumi (bizanti). Si rob në Mekë atë ia shitën Abdullah ibn Xhud’anit i cili i përkiste fisit Beni Kelb. Ky person më vonë i dha lirinë Suhejbit dhe filloi të bënte tregti me të.

Suhejbi ishte një djalosh me fytyrë të ndritur, flokë të kuqe, sy që i shpërthenin largpamësi, aktiv dhe shumë i aftë. Për një kohë të shkurtër u bë shumë i pasur.

* * *

Ndërkohë Suhejbi (r.a.), dëgjoi se kishte ardhur një fe e re dhe se Muhamedi (s.a.s.), ishte pejgamber. Ai e gjeti vendin ku qëndronte Resulullahu, alejhi’s-selam. Kështu, shkoi te shtëpia e Erkamit pa e parë askush. Kur arriti atje, pa te dera Ammar ibn Jasirin. Ai e njihte Ammarin që më parë. Prandaj i tha:

“Çfarë do të bësh, Ammar?” Ammari ia ktheu përgjigjen me këtë pyetje:

“Po ti çfarë do të bësh?” Suhejbi (r.a.), i tha:

“Do të shkoj te Muhamedi dhe t’i dëgjoj prej tij ato që kam dëgjuar se thotë.” Ammari (r.a.), i tha:

“Edhe unë për këtë kam ardhur.” Për këtë arsye hynë të dy së bashku te i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe dëgjuan bisedën e Hz. Pejgamberit.

Fjalët që dilnin si perla nga goja e bekuar e Resulullahut, alejhi’s-selam, u bënë shkak që në zemrat e tyre të shkëlqente drita e besimit. Që të dy i zgjatën njëherësh duart të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), thanë shehadetin dhe hynë në Islam.

* * *

Bilali, Ammari, Habbabi dhe Suhejbi, radijall-llahu anhum, ishin prej trimave të parë që u nderuan me Islam. Ata ishin të huaj dhe të varfër në Mekë. Për shkak se nuk kishin të afërt dhe fis për t’i mbrojtur, iu bënë tortura të tmerrshme. Atyre iu veshën parzmore prej hekuri dhe u lanë nën diell në vendet më të nxehta të Mekës. Kur trupi i tyre prekte hekurin e nxehtë, mishi ngjitej në të. I përçmuan dhe i tallën duke thënë: “Ja, këta janë njerëzit që ndjekin Muhamedin.”

Një ditë Suhejbi (r.a.), i cili nuk po e duronte më këtë poshtërim dhe nënçmim, ua ktheu si më poshtë politeistëve tiranë, duke u bërtitur me të madhe:

“Po! Ne jemi njerëzit që ndjekin Muhamedin dhe ndjejmë kënaqësi kur qëndrojmë me të. Ne i kemi besuar. Ndërsa ju nuk i keni besuar. Të gjitha mirësitë gjenden në Islam.”

Ata nuk e fshehën dritën e Islamit krahas torturave dhe vuajtjeve që hoqën. Iu bënë tortura të ndryshme, por asnjëherë nuk hoqën dorë nga besimi, sepse ata besonin në formë absolute se pas çdo vështirësie vjen një lehtësim dhe se këto tortura në rrugë të Allahut do të merrnin fund. Ata e dinin se rruga e xhenetit ishte e rrethuar me vështirësi. Andaj duruan, rezistuan dhe fituan.

* * *

Ishte dhënë leja për të bërë hixhret. Edhe Suhejb er-Rumi (r.a.), deshi të shpëtonte nga torturat e politeistëve duke bërë hixhret në Medine, por mushrikët nuk e lejonin të shkonte. Suhejbi tashmë kishte përparuar edhe në moshë. Dashuria që kishte në zemër, e detyronte të merrte parasysh çdo lloj çmimi dhe të shkonte pranë të dashurit të tij e të qëndronte me të. Ai e flijoi jetën dhe pasurinë për hir të takimit me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.).

Suhejbi (r.a.), gjeti një mundësi dhe doli fshehurazi nga Meka. Ai mori rrugën i vetëm në shkretëtirë. Dashuria që kishte në zemër për Resulullahun, e bënte të ndjehej i ri. Çdo hap që hidhte, e afronte te i dashuri i tij. Sa më shumë ecte, aq më të ri e ndjente veten.

Kur politeistët e dëgjuan se Suhejbi (r.a.), ishte nisur për në Medine, u hipën menjëherë kuajve dhe e arritën në rrugë. Kur Suhejbi (r.a.), vuri re se ata po shkonin drejt tij, nxori shigjetën, e vendosi në hark dhe filloi t’i priste. Kur iu afruan, u tha duke bërtitur me të madhe:

O kurejshë! Ju më njihni mua. Për Zotin, ju e dini se jam prej gjuajtësve më të mirë dhe se shigjetat i gjuaj në shënjestër. Andaj nuk do të më afroheni dot derisa secili prej jush të shembet përtokë prej shigjetave të mia. Pastaj kam edhe shpatën. Përderisa të më mbetet në dorë qoftë edhe një copë prej saj, do të shpërthej si rrufe dhe do të luftoj fort.”

Politeistët ndaluan. Njëri prej tyre filloi të fliste:

“Ti erdhe në Mekë i dobët dhe i varfër. Ndërsa tani ke shumë pasuri. Ndërsa tani do të shkosh vetë dhe do të marrësh edhe pasurinë. Ne nuk mund ta lejojmë këtë.”

Suhejbi (r.a.), tha: “Nëse ua lë pasurinë, a do të më lini të lirë?” Ata iu përgjigjën: “Po!”

Suhejbi (r.a.), ua dha të gjithë pasurinë që kishte me vete. Në këtë mënyrë e shpëtoi fenë dhe jetën e tij prej politeistëve. Pra, zgjodhi fenë në këmbim të pasurisë.

Ai e flijoi pasurinë e kësaj bote për lumturinë e botës së përhershme dhe për fenë së cilës i besonte. Ai ishte një tregtar i mirë. Suhejbi (r.a.), e dinte se ajo që po bënte ishte më fitimprurëse.

Suhejb er-Rumi (r.a.), mori rrugën me nxitim drejt Medines pa u mërzitur aspak dhe pa shfaqur lodhje apo plogështi. Më së fundi arriti shëndosh e mirë te i Pejgamberi ynë i dashur. Kur u takua me Resulullahun (s.a.s.), Pejgamberi i buzëqeshi dhe i dha këtë përgëzim:

“Tregtia të doli me fitim, o Suhejb! Tregtia të doli me fitim!..” Pastaj i këndoi këtë ajet fisnik që kishte zbritur për të:

“Ka njerëz që e flijojnë veten, për të fituar pëlqimin e Allahut. Allahu është shumë i mëshirshëm me robërit e Vet.” (Bakara, 207)

* * *

Suhejbi (r.a.), ishte një sahab i devotshëm dhe i njohur për gazmoret e tij. Një ditë, kur po qëndronte bashkë me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), erdhën hurma të freskëta. Resulullahu (s.a.s.), ua ndau hurmat atyre që kishte përreth. Kur të gjithë filluan të hanin, Hz. Pejgamberi u kthye nga Suhejbi dhe i tha duke bërë shaka:

“A do të hash hurma edhe pse të dhembin sytë, o Eba Jahja?” Suhejbi (r.a.), ia ktheu:

“O i Dërguari i Allahut! Do të ha me anën që nuk më dhemb.”

Kjo përgjigje i pëlqeu Pejgamberit tonë të nderuar. Ai buzëqeshi së bashku me ata që gjendeshin aty në kuvend.

* * *

Suhejbi (r.a.), kishte shumë shenjë. Shigjetën që gjuante, e çonte në pikën e duhur. Ai mori pjesë në të gjitha luftërat duke filluar nga lufta e Bedrit, Uhudit dhe Hendekut. Ai ka dhënë përpjekje të mëdha dhe ka shfaqur heroizma të jashtëzakonshëm. Suhejbi (r.a.), e bëri veten mburojë, në mënyrë që të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), të mos i ndodhte ndonjë gjë e keqe. Ai kurrë nuk u nda nga Resulullahu, alejhi’s-selam.

Suhejb er-Rumi (r.a.), ishte një hero në mejdanet e luftës dhe një bujar i madh. Të gjithëve u bënte mirësi dhe i ushqente të varfrit. Një herë Omeri (r.a.), i tha:

“O Suhejb! Ti u jep shumë ushqim atyre. A nuk është shpërdorim ky?” Suhejbi (r.a.), iu përgjigj:

“Unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), duke thënë: “Më i miri prej jush është ai që i ushqen dhe u jep selam të varfërve.”

* * *

Omer ibn el-Hattabi (r.a.), e donte shumë Suhejbin (r.a.). Kur u plagos, e emëroi Suhejbin si zëvendës të tij derisa të zgjidhej kalifi i ri. Po ashtu e la porosi që namazin e xhenazes t’ia falte Suhejbi. Suhejbi (r.a.), ia fali edhe xhematit namazin për tri ditë me radhë.

Suhejbi (r.a.), ndërroi jetën në moshën shtatëdhjetë vjeçare në vitin 658 e.s. Ai ndërroi jetë në Medinetu’l-Munevvera dhe u varros në Xhennetu’l-Baki.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Lus Allahun Teala që të na bëjë të gjithëve besimtarë të devotshëm që e kanë zemrën të mbushur plot me dashuri, që nuk bëjnë asnjëherë lëshime në besim dhe që e flijojnë pasurinë për hir të fesë si Suhejb er-Rumi (r.a.)! Zoti (xh.sh.), na bashkoftë në xhenet me ata njerëz bujarë! Amin!

 

Share.

Leave A Reply