“Ne e vumë në provë Sulejmanin dhe vendosëm në fronin e tij një trup, por ai iu drejtua Zotit.” (Sad, 34)

Lidhur me interpretimin e këtij ajeti, ekzistojnë mendime dhe histori të shumta. Një nga komentuesit e njohur të Kuranit, Meududi, në tefsirin e tij “Tefhimu’l-Kur’an”, lidhur me këtë ajet, shprehet se kjo është një nga pjesët më pak të qarta në Kuran, sepse nuk ekziston asnjë hadith i qartë lidhur me këtë ngjarje dhe asnjë shpjegim tjetër. Për rrjedhojë, të gjitha versionet që tregohen lidhur me këtë ngjarje, janë të pabaza ose burojnë nga tregimet e hebrenjve.

Megjithatë, ajo që kuptohet qartë në këtë ajet, është se Sulejmani (a.s.), është sprovuar në lidhje me një çështje dhe mbi fronin e tij është lënë një trup apo kufomë, për të cilin nuk ka të dhëna se çfarë dhe si ka qenë. Pas kësaj sprove, Sulejmani është kthyer me pendim nga Allahu dhe ka kërkuar falje:

 “O Zoti im, më fal dhe më dhuro një pushtet që të mos e ketë askush pas meje! Me të vërtetë, Ti je Dhurues i madh!” (Sad, 35)

Fakti që Sulejmani kërkoi që t’i jepeshin fuqi që s’kishte për t’i arritur askush, nuk ishte për mendjemadhësi dhe krenari, por për t’i shkatërruar sundimtarët tiranë dhe mizorë të kohës. Sepse sundimtarët e kohës ushtronin një pushtet të bazuar në krenarinë, mendjemadhësinë dhe padrejtësinë. Pra, qëllimi i vërtetë i Sulejmanit (a.s.), ka qenë arritja e pushtetit jo në këtë botë, por në botën tjetër. Në Kuran urdhërohet:

“Atij që dëshiron shpërblim në jetën tjetër, Ne do t’ia shtojmë atë. Ndërsa atij që dëshiron shpërblim në këtë jetë, Ne do t’i japim pjesë prej saj, por ai nuk do të ketë pjesë në jetën tjetër.” (Shura, 20)

Allahu i Madhëruar e pranoi lutjen e Sulejmanit (a.s.):

“Pastaj, Ne ia nënshtruam atij erën që të frynte me urdhrin e tij, andej nga të donte ai. (Gjithashtu ia nënshtruam) edhe djajtë, ndërmjet të cilëve kishte ndërtues dhe zhytës në ujë, si dhe të tjerë të lidhur në pranga.” (Sad, 36-38)

Siç kuptohet nga këto ajete, Allahu i dha Sulejmanit (a.s.), xhinë për të ngritur ndërtesa dhe për zhytje. Një pjesë e këtyre xhinëve, me urdhër të Sulejmanit (a.s.), bënin punë të mëdha të cilat njerëzit nuk mund t’i bënin, si ndërtesa të larta, faltore, saraje, basene, kazanë të mëdhenj të palëvizshëm, etj. Kurse një pjesë tjetër e tyre, nxirrnin nga deti perla dhe gjëra të tjera të bukura që mund të gjenden vetëm në det.

Allahu i Madhëruar, i pati dhënë Sulejmanit (a.s.), jo vetëm fuqi dhe madhështi të madhe, por edhe një administrim të gjerë:

(Ne i thamë): «Kjo është dhurata Jonë për ty, prandaj jep lirisht ose mos jep gjë prej saj, sepse nuk do të kesh kurrfarë llogarie për këtë! Me të vërtetë, ai te Ne do të ketë vend të afërt dhe strehim të mirë (në jetën tjetër).»” (Sad, 39-40)

 

Share.

Leave A Reply