Pasuria e Ejjubit (a.s.), bijtë dhe të gjitha mirësitë që zotëronte, iu morën një e nga një, si një sprovë hyjnore. Ndërsa më pas i bie një sëmundje e rëndë. Megjithatë, ai tregoi një durim të madh ndaj fatkeqësive që i ranë mbi trupin, pasurinë dhe fëmijët, duke treguar dorëzim dhe mbështetje të madhe tek Zoti. Kjo, e bëri që të fitojë edhe kënaqësinë hyjnore. Ky durim dhe dorëzim që tregoi ai, ka kaluar në historinë njerëzore si një shembull shumë mësimdhënës.
Këto sprova të mëdha të Ejjubit (a.s.), kanë ndodhur në kohën e profecisë së tij. Sipas disa transmetimeve, thuhet se shejtani është bërë shkas për sprovën që iu dha Ejjubit (a.s.). Shejtani nuk i duronte dot virtytet e larta të Ejjubit (a.s.), prandaj hyri midis njerëzve dhe u thoshte:
“Është e lehtë të bësh adhurim kur ke kaq pasuri dhe të mira. Nëse do të ishte në vështirësi, atëherë do ta shihnim!..” Në këtë mënyrë, shejtani mundohej të cenonte respektin që gëzonte Ejjubi tek njerëzit. Pas kësaj, me qëllim që populli të shihte dorëzimin dhe nënshtrimin e Ejjubit (a.s.), Allahu e sprovoi profetin e Tij me vështirësi të ndryshme.
Kur Allahu dëshiroi ta sprovonte Ejjubin (a.s.), në fillim i mori pasurinë. Me anë të një përmbytjeje i shkatërroi bagëtinë dhe me anë të një ere të fortë i shkatërroi të mbjellat. Shejtani nuk e humbi këtë rast, dhe i veshur si çoban, vrapoi menjëherë tek Ejjubi (a.s.) për t’i treguar gjithçka që kishte ndodhur:
“O Ejjub! Na gjeti një fatkeqësi e madhe! E gjithë pasuria dhe prona jote u shkatërrua!”
Ejjubi (a.s.), nuk u shqetësua fare nga ky lajm që mori dhe me një qetësi e dorëzim të madh, falënderoi Allahun. Më pas i thotë shejtanit të veshur si çoban:
“Mallin dhe pasurinë ma ka dhënë Zoti im. Ndërsa tani ma mori. Ai është Pronari i vetëm i çdo gjëje! Po deshi ta jep, po deshi ta merr!”
Këto fjalë dhe ky qëndrim i Ejjubit (a.s.), e shkatërruan shejtanin.
Më vonë, ndërkohë që fëmijët e Ejjubit (a.s.), po mësonin në shtëpi, bie një tërmet, që u mori jetën. Shejtani nuk humbi kohë dhe shkoi përsëri tek Ejjubi (a.s.), duke bërtitur e qarë me lotët që i shkonin çurg. Qëllimi i tij ishte që Ejjubi (a.s.), të mërzitej e t’i ngrinte krye Allahut. Prandaj, i thotë:
“O Ejjub! Zoti ta shembi shtëpinë me tërmet! T’i mori të gjithë fëmijët! Rënkimet e tyre nuk mund të duroheshin!” Ai ia tregoi ndodhinë në mënyrë aq të dhimbshme, saqë prej syve të Ejjubit (a.s.), zemra e të cilit ishte brumosur me durim dhe dorëzim të plotë tek Allahu, rrodhën lot mëshire. Mirëpo, ai bëri durim të madh edhe para kësaj sprove, duke treguar nënshtrim të plotë ndaj caktimit të Allahut. Shejtani, i cili nuk ia arriti qëllimit të tij edhe këtë herë, u nxeh shumë dhe sapo deshi t’i thoshte diçka tjetër, Ejjubi (a.s.), ia priti:
“O i mallkuar! Ti je Iblisi dhe kërkon të më shtysh të ngre krye ndaj Zotit tim! Ta dish se bijtë e mi ishin amanet tek unë! I zoti i tyre i mori përsëri. Ai është që jep, Ai është që merr! E pse të mërzitem unë? Unë jam një rob që e falënderoj Zotin sido të bëhet!”
*
Enes bin Malik (r.a.), transmeton:
Djali i sëmurë rëndë i Ebu Talhasë (r.a.), kishte ndërruar jetë kur ai nuk ndodhej në shtëpi. Kur Ummu Sulejme e pa që djali i saj kishte ndërruar jetë, e lau dhe e qefinosi atë. Më vonë, kur Ebu Talha (r.a.), erdhi në shtëpi, pyeti:
“Ku është djali?” Ummu Sulejme (r.anha), tha:
“Djalit iu qetësuan dhimbjet dhe tani besoj se po rehatohet pak.” Madje, Ummu Sulejme i porositi njerëzit e shtëpisë duke u thënë:
“Kujdes, mos i tregoni Ebu Talhas për vdekjen e djalit, deri sa t’i tregoj vetë!..”
Më pas, i solli ushqimin burrit të saj dhe ai hëngri. Ndërsa Ummu Sulejme (r.anha) u zbukurua dhe doli para tij. Më vonë, ata shkuan të çlodheshin në dhomën e tyre. Në mëngjes, në momentin kur Ebu Talha (r.a.), po bëhej gati të dilte nga shtëpia, Ummu Sulejme, e cila ishte një grua e zgjuar dhe e devotshme, i tha:
“O Ebu Talha! Pa shiko ç’bëri ky fqinji ynë… Kur i kërkova amanetin që ia kisha dhënë për ta përdorur, ata s’deshën të ma jepnin.” Ebu Talha (r.a.), u përgjigj:
“Jo nuk bën kështu. Nuk kanë vepruar aspak mirë!” Pas këtyre fjalëve, Ummu Sulejme (r.a.), tha:
“O Ebu Talha! Djali yt ishte një amanet i Allahut tek ti dhe Ai e mori përsëri.” Ebu Talha papritur u shastis, heshti dhe më pas tha:
“Ne jemi të Allahut dhe padyshim tek Ai do të kthehemi!”
Kur shkoi në xhami për të falur namazin, ia tregoi Profetit (a.s.), gjithçka që kishte ndodhur. Ndërsa i Dërguari i Allahut (a.s.), bëri dua duke thënë:
“Allahu jua begatoftë këtë natë!” (Buhari, Xhenaiz, 42, Edeb, 116.)
Pa kaluar një vit prej kësaj ndodhie, Allahu i fali kësaj familjeje një tjetër djalë, të cilit Profeti ynë (a.s.), ia vuri emrin Abdullah.
*
Si sprovë të fundit, Allahu i Madhëruar i dha Ejjubit (a.s.), një sëmundje, emri i të cilës nuk përmendet në Kuran. Sëmundja e tij u rëndua aq shumë, saqë nuk i mbeti askush për ndihmë përveç gruas së tij, Rahimes, e cila tregoi besnikëri të pashoqe, duke vazhduar t’i shërbejë bashkëshortit të saj. Ajo përpiqej të siguronte jetesën duke bërë punë dore dhe çdo lloj shërbimi ndaj të shoqit, e bënte me dashuri.
Ejjubi (a.s.), nuk u ankua as në këtë gjendje të sëmurë që ishte. Ai duroi duke u mbështetur tek Allahu dhe i vazhdoi falënderimet ndaj Tij. Madje, duke treguar një edukatë profetike, sëmundjen dhe dobësinë që kishte ia atribuoi shejtanit.
“Kujtoje robin Tonë Ejjubin, kur iu lut Zotit të vet: «Me të vërtetë, më ka goditur shejtani me mundim dhe vuajtje!»” (Sad, 41)
Shejtani kishte zili ndaj gjendjes së mirë të Ejjubit (a.s.), prandaj dëshironte ta mundonte. Mirëpo, Ejjubi (a.s.), ishte i vetëdijshëm se çdo gjë ishte prej Allahut. Për këtë arsye i mbështetej dhe i dorëzohej plotësisht Zotit të tij.
Shejtani, të cilit i kishin shkuar dëm të gjitha përpjekjet për t’i dhënë vesvese Ejjubit (a.s.), këtë herë filloi të ngacmonte banorët e qytetit:
“Aman, bëni kujdes! Mos u takoni me Rahimen dhe mos e ndihmoni! Përndryshe, sëmundja e Ejjubit do t’u ngjitet edhe juve! Dëbojeni menjëherë prej qytetit!”
Banorët e qytetit, anuan nga intriga e shejtanit dhe e kërcënuan Rahimen, duke i thënë: “Largohuni prej këtu së bashku me Ejjubin! Përndryshe do t’ju vrasim me gurë!”
E pashpresë, zonja Rahime e mori në krahë Ejjubin (a.s.) dhe u larguan prej andej. Ata u vendosën në një vend jashtë qytetit, ku i bëri Ejjubit (a.s.), një shtrat prej rëre dhe nën kokë i vuri një gur. Më vonë, bëri një kolibe të vogël, ku vazhdoi t’i shërbente me besnikëri bashkëshortit të vet.
Profeti durimtar i Allahut, Ejjubi (a.s.), edhe në këtë gjendje e vazhdoi detyrën e tij, duke i këshilluar ata që kalonin andej të bënin mirë e të hiqnin dorë prej të këqijave.
Për të siguruar jetesën, zonja Rahime bënte punë për zonjat e qytetit. Një ditë, duke parë gjendjen e keqe të bashkëshortit dhe vuajtjet e tij, ajo i thotë:
“Ti je profet! Sikur t’i kërkoje Allahut shërim e të t’i hiqte këto vuajtje!”
Pasi dëgjoi këto fjalë, Ejjubi (a.s.), i drejtohet të shoqes dhe i thotë:
“Sa kohë kemi kaluar me shëndet e me të mira?”
Rahimja u përgjigj:
“Tetëdhjetë vjet!”
“O Rahime!” – I tha Ejjubi (a.s.). “Kam turp t’i ankohem Allahut pa u bërë koha e sëmundjes dhe vështirësisë aq sa ishte koha e shëndetit dhe begatisë. Allahu, më parë na ka dhënë shumë të mira. Pse të mos durojmë tani të këqijat e ardhura prej Tij?”
Ky durim i jashtëzakonshëm i Ejjubit (a.s.), ashtu siç është lavdëruar në Kuran, është lavdëruar edhe në hadithet profetike:
“Ejjubi ka qenë më i buti i njerëzve, më i duruari dhe ai që e mposhtte më shumë zemërimin!” (Ibn Ebi Shejbe, III, 210.)
Shejtani, i cili nuk mundi t’i jepte vesvese Ejjubit (a.s.), tashmë filloi të mundonte Rahimen. Ai i dilte përpara dhe përpiqej t’i prishte mendjen. Kur zonja Rahime ia tregoi këtë Ejjubit (a.s.), ai e paralajmëroi të shoqen:
“O grua! Ai që të ka dalë në rrugë është Iblisi. Ki kujdes! Ai kërkon të të japë vesvese dhe të ndajë prej meje!”
Zonja Rahime, ishte prej gjakut të Jusufit (a.s.). Për rrjedhojë, tek ajo reflektohej një pjesë e bukurisë së Jusufit (a.s.). Në atë vend, nuk kishte grua më të bukur se ajo. Për këtë arsye, një ditë, shejtani i doli para në trajtën e një burri të pashëm dhe i tha:
“S’kam parë grua më të bukur se ti! Unë rri në këtë fshatin këtu afër dhe kam pasuri të madhe.”
Zonja Rahime, mbështetet tek Allahu dhe i thotë:
“Unë jam zonja e profetit të sëmurë, Ejjubit dhe jam në shërbim të tij. Unë kurrë nuk e këmbej atë profet të nderuar me tjetërkënd!..” Dhe më pas largohet.
Kur u kthye tek Ejjubi (a.s.), Rahimja ia tregoi të gjitha që kishin ndodhur. Mirëpo, Ejjubi (a.s.), u mërzit nga këto fjalë dhe, i zemëruar, i tha të shoqes:
“O Rahime! A nuk të thash të ruhesh dhe të qëndrosh larg prej tij?!” Më pas i tha duke u betuar: “Nëse do të shërohem, do të të gjuaj njëqind herë me shkop!”
Sëmundja e Ejjubit (a.s.), filloi të rëndohej çdo ditë e më shumë. Prandaj, ngriti duart drejt Allahut për të kërkuar shërim dhe tha:
“Mua më ka goditur fatkeqësia e Ti je më mëshiruesi i mëshiruesve!” (Enbija, 83)
*
Sipas një transmetimi të Enes bin Malikut (r.a.), një njeri hyri në mesxhidin e Profetit (a.s.) dhe i bëri disa pyetje lidhur me Ejjubin (a.s.). Profeti qau dhe tha kështu:
“Betohem në Allahun se, Ejjubi nuk rënkoi dhe nuk u qa prej fatkeqësisë. Ai qëndroi në atë sprovë për shtatë vjet, shtatë muaj, shtatë ditë e shtatë net. Ai deshi të falte namaz në këmbë, por nuk mundi të qëndronte dhe ra. Atëherë, kur e pa se kishte mangësi në shërbimin në rrugën e Zotit, tha: “Me të vërtetë më ka goditur sëmundja!” (shih. Kurtubi, Tefsir XI, 323.)
Edhe pse këto fjalë të Ejjubit (a.s.), duken si qarje, në të vërtetë ato qenë lutje, sepse të qahesh, konsiderohet si ankesë drejtuar njerëzve. Ndërsa lutja drejtuar Allahut, nuk është një qarje. Edhe Jakubi (a.s.), kur u nda prej birit të tij, Jusufit (a.s.), me shumë dhimbje e mall, tha:
“Unë dhimbjen time dhe pikëllimin tim ia paraqes vetëm Allahut e nga Allahu di atë që nuk e dini ju.” (Jusuf, 86)