Siç dihet, ajetet e para që zbritën ishin të specifikave besimore, si ftesë për tevhid ose besimin monoteist islam, besim në ringjalljen pas vdekjes, përgëzimi i besimtarëve me xhennet dhe frikësimi i mohuesve, heretikëve dhe mëkatarëve me xhehennem. Pastaj, pas fuqizimit të besimit të njerëzve duke i bindur me anë të argumenteve të ndryshme të këtyre temave, filluan të zbrisnin konkluzionet dhe urdhrat lidhur me aktet (veprimet praktike) dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore, sepse, meqë njerëzit ishin të lidhur fort pas bestytnive dhe veseve, e kishin shumë të vështirë të hiqnin dorë prej tyre. Përpjekja për t’i pastruar njerëzit nga shprehitë dhe veset e këqija pa respektuar gradualitetin, mund t’i jepte shkak neverisë, urrejtjes dhe largimit.
Hz. Aisheja thotë kështu:
“Sureja e parë e zbritur ishte një nga suret mufassal283. Aty bëhej fjalë për xhennetin dhe xhehennemin. Kurse konkluzionet dhe urdhrat mbi hallallin dhe haramin filluan të zbrisnin vetëm pasi njerëzit u ngrohën mirë pas Islamit. Po të zbriste qysh në fillim urdhri “mos pini (pije alkoolike)”, njerëzit do të thoshin:
“Ne kurrsesi s’mund ta lëmë pijen!”
Gjithashtu, po të zbriste i pari urdhri “mos kurvëroni”, njerëzit do të thoshin:
“Ne kurrsesi s’mund ta lëmë kurvërimin!”
Ndërsa unë isha në Mekë ende një fëmijë që luan lojëra, Hz. Muhammedit (a.s.) i kishin zbritur ajete (që kishin lidhje me besimin dhe kiametin), si:
بلَِ الساَّعَةُ مَوْعِدُهُمْ وَالساَّعَةُ ادَْهَى وَامََرُّ
“Jo, koha (e vërtetë e ndëshkimit) e premtuar atyre është kiameti. Ja, pra, ai çast është me të vërtetë shumë i tmerrshëm dhe i hidhur!” (el-Kamer, 46)
Kurse suret Bakara dhe Nisa (që përmbajnë konkluzione dhe urdhra lidhur me aktet praktike dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore) kanë zbritur vetëm ndërsa unë ndodhesha pranë tij (në Medinë).” (Buhari, Fedailu’l-Kur’an, 6)
Suret mekase janë të shkurtra dhe lakonike për sa i përket stilit dhe parashtrojnë një qëndrim të qartë e të prerë ndaj politeizmit dhe idhujtarisë. Sepse politeistët mekas ishin zotërues elokuence dhe oratorie që zhvillonin konkurse letrare. Fjala e cila duhet të bënte efekt mbi ta, duhet të ishte në nivel të mrekullueshëm për sa i përket elokuencës dhe oratorisë.
Kështu, Allahu i Lartë, duke mos i marrë aspak në konsideratë përparimin dhe nivelin e politeistëve në letërsi dhe për t’ua kthyer mendjet përmbys, në fillimin e fjalës, në kundërshtim me mënyrën se si qenë mësuar ata, përdorte tingujt (shkronjat) e shkëputur të quajtur në terminologjinë përkatëse “hurufi mukattaa”. Me përjashtim të sureve Bakara dhe Al-i Imran, të gjitha suret që fillojnë me “hurufi mukattaa”, janë mekase.
Si pasojë e këtyre veçorive specifike, stili letrar i ajeteve të para ishte me aq efekt, saqë ndikonte gjer në zemrën e dëgjuesve (si dhe kënduesve), bukuria dhe rrjedhshmëria e tyre pothuaj i magjepste dëgjuesit.
Një nga veçoritë specifike të stilit të ajeteve kur’anore të zbritura në Mekë është, me pak përjashtime, fillimi me formën thirrëse “o njerëz!”.
Me qëllim që shumë specifika në kundërshtim me opinionet dhe zakonet e politeistëve të dukeshin të pranueshme në vështrimin e tyre, në suret mekase zënë vend betimet mbi diellin, hënën, yjet, ditë-natën dhe qenie të tjera të ngjashme për të cilat ata kishin konsideratë, sepse me anë të këtyre qenieve mbi të cilat bëhej betim, në të njëjtën kohë, shpaloseshin fuqia e Allahut dhe rrjedhat e fuqisë së Tij në gjithësi.
Nga ana tjetër, shumica e rrëfimeve të Kur’anit kanë zbritur në periudhën e Mekës, sepse “marrja e mësimit nga e shkuara” është një nga specifikat mbi të cilat ajetet mekase përqëndrohen më shumë. Suret ku përmbahen rrëfimet mbi profetët dhe popujt e shkuar, veçanërisht mbi Ademin (a.s.) dhe Iblisin, janë, përgjithësisht, mekase. Bën përjashtim vetëm sureja Bakara e zbritur në Medinë.
Rrëfimet mësimdhënëse mbi pasojat e përjetuara nga popujt e kaluar kanë luajtur një rol të rëndësishëm në kumtimin e të vërtetës politeistëve mekas dhe në përmirësimin gradual të tyre. Në ajetet ku bëhen këto rrëfime, besimi tevhid ose monoteist islam është mbajtur vazhdimisht në plan të parë.
Ajetet mekase parashtrojnë edhe mënyrën e veprimit të një kumtuesi fetar. Në to tregohet se ai duhet ta bëjë ftesën jo për interesat materiale të kësaj bote, por vetëm me qëllim për të merituar pëlqimin e Zotit dhe ta presë shpërblimin vetëm nga Allahu. Kështu, në suren Shuara tregohet se profetët Nuh, Hud, Salih, Lut dhe Shuaip (alejhimusselam) u kanë kërkuar vazhdimisht popujve të tyre bindjen dhe devocionin ndaj Allahut dhe, duke i sqaruar se vetë ishin përfaqësues të besueshëm, u kanë thënë:
“Për këtë, unë s’kërkoj ndonjë shpërblim prej jush. Shpërblimi im i takon vetëm Zotit të botëve!” (esh-Shuara, 109, 127, 145, 164, 180)
Pjesa e dytë e Kur’anit përgjithësisht ka zbritur në Mekë. Meqë shumica e mekasve kanë qenë mendjemëdhenj, me përsëritjen
e shprehjes “jo, nuk është ashtu” është kundërshtuar
dhe hedhur poshtë gjendja e tyre dhe këta mendjemëdhenj janë kërcënuar. Prandaj, suret ku përdoret shprehja “kel’la” janë të gjitha mekase dhe të gjitha shprehjet “kel’la” ndodhen në gjysmën e dytë të Kur’anit.
Po kështu, edhe suret që përmbajnë ajetet e sexhdes kanë zbritur në Mekë. Në këtë mënyrë, njerëzit që bënin sexhde para tjetërkujt apo të tjerave gjëra përveç Allahut, janë shtyrë në sexhde vetëm para Tij dhe është siguruar përkryerja e botës së tyre të brendshme.
Ajetet e para të zbritura në Mekë deklarojnë dhe sqarojnë se zakonet e vjetra janë produkte të injorancës dhe janë plotësisht të shtrembra e të gabuara. Në të njëjtën kohë, ato parashtrojnë bazat e parimeve morale të përgjithshme.
Ajetet mekase kanë hedhur themelet e një shoqërie të shëndoshë nga ana morale dhe ideore. Në këto ajete zënë vend konkluzionet dhe urdhrat moralo-etike. Kështu, është vënë si synim që besimtarët të zotërojnë një besim të fuqishëm, të pajisen me virtyte, si durimi, qëndrueshmëria, vendosmëria dhe zelli, të pastrohen nga bestytnitë dhe zakonet e mbrapshta.
Në ajetet mekase nuk ka tema juridike, po ashtu, nuk zënë vend konkluzione dhe urdhra mbi adhurimet. Për shembull, suret Junus, Ra’d, Furkan, Ja-Sin, Hadid janë mekase dhe në to nuk ka ajete juridike dhe urdhëruese. Në këto sure, përgjithësisht parashtrohen bazat e besimit, krijimi, atributet e Allahut, rrëfimet mësimdhënëse të profetëve dhe skenat e kiametit.