Njëri prej synimeve më të rëndësishme të fesë, pa dyshim se është që t’i japë njeriut një pjekuri personaliteti pa fundërrina dhe të papërzier. Pastrimi mund të thuhet se është emri i procesit të arritjes te kjo cilësi. Kur flasim për fjalët që shprehin sinqeritetin në thëniet e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij (s.a.s.), në shikim të parë na vijnë në mendje këto tri koncepte: sinqeriteti, besnikëria dhe këshillë. Sinqeriteti është emri i të qenit i papërzier. Veçanërisht në fjalë dhe në vepra, shprehet të qenët i pastër ndaj Allahut, i përkushtuar ndaj Allahut dhe përjashtimin e çdo lloj mendimi që është jashtë pëlqimit të Allahut Teala. Sinqeriteti është si një adresë për ta bërë adhurimin jo në emër të dikujt tjetër, madje edhe as në emrin tënd, por vetëm në emër të Allahut. Në të vërtetë, njerëzit janë urdhëruar vetëm me një adhurim të tillë. Allahu i Lartësuar thotë: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit), si dhe të falnin namazin e të jepnin zekatin. Kjo është feja e drejtë.” (Bejjine, 5) Ndërsa fjala besnikëri shpreh thelbin, fjalët, sjelljet dhe ndershmërinë e njeriut. Sigurisht se kjo është një rezultat i natyrshëm i sinqeritetit. Allahu i Lartësuar formon një lidhje të drejtë ndërmjet besimit të vërtetë dhe besnikërisë. Në një vend që nuk ka besnikëri, bëhet fjalë për hipokrizi. Madje, shprehet se do t’i provojë me sprova të ndryshme ata që thonë “besuam”, në mënyrë që të dalë në pah besnikëria në besim:

“Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?!

Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë.” (Ankebut, 2-3)

Ndërsa fjala nasihat / këshillë është njëra prej fjalëve të pasura në arabisht nga aspekti i kuptimit. Kuptimet leksikore të saj janë: “Dëlirësia dhe pastërtia e një gjëje, të qenët larg të keqes dhe prishjes, të qenët e njeriut i sinqertë dhe i besueshëm, qëllim i mirë ndaj të tjerëve dhe të duash mirësi gjithmonë për ta.” Ndërsa në gjuhën tonë përdoret më shumë si këshillë që i bëhet dikujt në emër të mirësisë. Kjo fjalë është shumë e qartë se është përdorur në kuptimin e “sinqeritetit” dhe “dëlirësisë” që shprehin bazën dhe synimin e fesë në këtë hadith fisnik të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Temim Ibn Evs ed-Dari, (r.a.), transmeton se i Dërguari i Allahut, (a.s.), ka thënë: “Feja është nasihat / këshillë.” Ne i thamë: “Për kë, o i Dërguari i Allahut?” Pejgamberi, alejhi’s-selam, u përgjigj: “Të jesh i sinqertë kundrejt Allahut, të jesh i sinqertë kundrejt Kuranit Fisnik, të jesh i sinqertë kundrejt liderëve të besimtarëve dhe të jesh i sinqertë kundrejt të gjithë myslimanëve.”[1] Ky hadith fisnik është shumë i rëndësishëm nga aspekti se cilësia e personalitetit dhe adhurimit që synon feja mund të matet me sinqeritet. Nga kjo kuptojmë se grada e fetarisë është aq sa grada e sinqeritetit. Allahu i Madhëruar kërkon besnikëri dhe sinqeritet në besim. Ai i paralajmëron ata që shfaqen sikur kanë besuar apo që shprehen se kanë besuar, edhe pse nuk kanë besuar plotësisht me zemrat e tyre. Madje, shprehet se do t’i provojë nëse janë besnikë dhe të sinqertë në fjalët e tyre ata që thonë më gjuhë se kanë besuar. Përveç të tjerash, deklaron se ata që thonë “dëgjuam” kur u lexohen ajetet hyjnore, por që nuk shfaqin besnikëri dhe sinqeritet, janë krijesat më të ulëta në sipërfaqen e tokës që nuk kanë marrë pjesë nga njerëzia. “Mos u bëni si ata që thonë “Dëgjojmë”, por nuk ia vënë veshin. Krijesat më të këqija para Allahut janë ato që janë shurdhe dhe memece (ndaj së vërtetës) e që nuk hanë arsye.”[2] Ata që sillen me hipokrizi kundrejt të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe ata që përpiqen ta fshehin veten me justifikime e betime të rreme, i cilëson si keqdashës të pandërgjegjshëm dhe të hamendtë. Në këtë mënyrë, na tregon se njerëzit e pasinqertë janë armiqtë më të kobshëm. Andaj na e kujton shpeshherë se duhet të jemi të zgjuar kundrejt atyre që nuk sillen me sinqeritet kundrejt besimtarëve dhe që përpiqen të na mashtrojnë. Gjithashtu na tregon se ata mund të njihen nga fjalët dhe veprat e tyre. Këta njerëz vrapojnë sa andej-këndej dhe vazhdimisht e ndërrojnë qëndrimin e tyre sipas interesave që kanë. Allahu i Madhëruar kërkon që besimtarët të jenë të sinqertë në pendimin e tyre. Andaj urdhëron që të jenë të vendosur në pendimin e sinqertë kundrejt gabimeve e mëkateve dhe të kthehen te Zoti e te e vërteta me një kthim të vërtetë: “O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, Ditën, kur Allahu nuk do ta turpërojë Profetin dhe ata që besuan bashkë me atë. Drita e tyre do të shkëlqejë para tyre dhe në të djathtë të tyre. Ata do të thonë: “O Zoti ynë, përsose dritën tonë dhe falna ne! Vërtet Ti je i Fuqishëm për çdo gjë”. (Tahrim, 8) Gjithashtu kërkon sinqeritet dhe dëlirësi në vepra dhe në sjellje duke na paralajmëruar qartazi: “Thuaj: “Unë jam vetëm një vdekatar si ju, që më është shpallur se Zoti juaj është një Zot i Vetëm. Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” (Kehf, 110) Allahu i Lartësuar na njofton se nuk i konsideron të pranueshme veprat që bëhen për shtirje, për lavdërime apo për synime të tjera jo të sinqerta. Allahu Teala dëshiron t’i shpjerë robërit e Tij te xhevahiri i sinqeritetit nganjëherë me mirësi dhe nganjëherë tjetër me fatkeqësi që duken si gjëra të këqija. Në lidhje me këtë thotë: “Çdo njeri do ta shijojë vdekjen! Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.” (Enbija, 35) Krijuesi i Lartësuar tregon se sinqeriteti është një mburojë e fortë duke e shprehur se do t’i mbrojë robërit e Tij të sinqertë dhe se kurrë nuk do t’i lërë ata në dorën e shejtanëve prej njerëzve dhe xhindeve. Në ajetet fisnike thuhet: “Ajo e dëshiroi atë; por edhe Jusufi do ta kishte dëshiruar atë, sikur të mos kishte parë provën e Zotit të vet. Kështu e larguam nga e keqja dhe vepra e shëmtuar, sepse ai, në të vërtetë, ishte nga robërit Tanë të sinqertë.” (Jusuf, 24) “Iblisi tha: “Zoti im, për shkak se më çove në humbje, unë do t’ju zbukuroj atyre (njerëzve) rrugën e gabuar në Tokë dhe të gjithë do t’i shpie në mashtrim, përveç robërve të Tu të sinqertë”. (Hixhr, 39-40) Së fundi, mund të thuhet se sinqeriteti është cilësi e personalitetit. Nëse nuk arrihet kjo cilësi, është e pamundur të formohen vatra familjare, ortakëritë, miqësitë, bashkimet për të njëjtën kauzë dhe veçanërisht miqësia me Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Në një vend që s’ka sinqeritet, është e vështirë të flitet për miqësi, bashkim, paqe, lumturi, dashuri dhe sukses.

[1] Shik. Muslim, Iman 95. Veçanërisht shik. Buhari, Iman 42; Ebu Davud, Edeb 59; Tirmidhi, Birr 17; Nesai, Bej’at 31, 41.

[2] Enfal, 21-22.

Dr. Adem Ergyl

Share.

Leave A Reply