Për ta mësuar Islamin, muslimanët e rinj medinas, me anë të një letre, kërkuan nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.) një mësues që do t’u këndonte Kur’an, do t’ua shpjegonte Islamin dhe do t’u printe në namaz. Dhe ai u dërgoi Mus’abin (r.a.).

Së bashku me Mus’abin (r.a.), Profeti dërgoi në Medinë si mësues Kur’ani edhe Abdullah bin Umm-i Mektumin, njërin prej imamëve të parë.277

Mus’ab bin Umejri (r.a.) e pati gjetur rrugën e drejtë qysh i ri dhe, pavarësisht se familja e kishte torturuar keq, madje, e kishte përjashtuar nga trashëgimia, ai nuk ishte kthyer nga feja. Sepse ai e ndjente se, edhe sikur në pamje të jashtme të mbetej i varfër, kishte një zemër të pasur me dashurinë dhe entuziazmin e besimit. Lidhur me përhapjen e Islamit, ai ishte pothuaj një monument entuziazmi Me të vërtetë, me shkuarjen e Mus’abit (r.a.) në Medinë, Islami mori një zhvillim të madh atje. Ky sahabi i ri të cilin Profeti e kishte ngarkuar me detyrën e kumtesës, filloi të punonte natë e ditë për t’ua shpjeguar njerëzve fenë e Allahut. Esad bin Dhurare (r.a.), nga të parët fatlumë të hyrë në rrugë të drejtë me begatinë e përpjekjeve të Mus’abit (r.a.), e ftonte Mus’abin në shtëpi dhe e ndihmonte në të gjitha punët.

Një ditë, ai, duke marrë me vete edhe Mus’abin, u ul në anë të pusit të kopshtit të të bijve Zafer. Me ta marrë vesh këtë, Sa’d bin Muadh nga parësia e të bijve Abduleshhel, i tha Usejd bin Hudajrit:

“Ti je një njeri që e njeh mirë punën tënde dhe që nuk ke nevojë për ndihmën e askujt. Shko pranë këtyre njerëzve që na kanë ardhur në mëhallë për t’ua prishur besimin njerëzve tanë të dobët, dhe paralajmëroji që të mos na vijnë edhe një herë tjetër në mëhallë! Po të mos ta kisha Es’adin farefis, këtë punë do ta bëja vetë!

Usejdi e rroku heshtën, shkoi atje dhe, shumë i zemëruar, u tha:

“Pse keni ardhur këtu? A për t’ua prishur besimin njerëzve tanë të dobët e ke sjellë këtë të huajin këtu? Të mos e përsërisësh më këtë gjë! Në qoftë se ju dhimbset jeta, ikni menjëherë që këtu!”

Mus’abi (r.a.) i cili ishte një sahabi i zgjuar dhe tejpamës, i tha atij:

“A s’po ulesh pak t’i dëgjosh ç’do të të them? Ti je një njeri i mençur; po të pëlqyen fjalët e mia, i pranon, po të mos të pëlqyen, nuk i pranon!”

Usejdi i tha: “Fjalë me vend the!”

Pastaj e hodhi heshtën poshtë dhe u ul pranë tyre. Mus’abi i foli për Islamin dhe i këndoi Kur’an.

Kur dëgjoi Kur’an, Usejdit i ndriti drita e Islamit në sy dhe iu zbut zemra para se të fliste. Për Kur’anin, ai tha:

“Ç’fjalë e bukur dhe e lartë! Ç’bëni ju kur doni të hyni në këtë fe?”

Usejdi (r.a.) u ngrit, sipas porosive të Hz. Mus’abit dhe Esadit (r.anhuma), bëri gusl, i pastroi rrobat dhe tha Fjalën e Dëshmisë. Pastaj fali dy reqate namaz dhe tha:

“Lash pas një njeri të tillë, që, po t’ju ndjekë ai ju, askush nga fisi nuk e kundërshton.Ai është Sa’d bin Muadh. Tani unë po jua dërgoj atë juve!”

Sa’di erdhi i nxehur. Por, më në fund, edhe ai, si Hz. Usejdi, e dëgjoi Mus’abin (r.a.) dhe u bë musliman. Pastaj shkoi te njerëzit e fisit dhe i pyeti:

“O të Bijtë Abduleshhel! Si më njihni mua?”

Ata iu përgjigjën:

“Ti je zotëria ynë, më i shquari ndër ne në mendim dhe prijësi ynë!”

Pas kësaj, Sa’d (r.a.) u tha:

“Më qoftë haram mua të flas me ju burrat dhe gratë e fisit gjersa të keni shprehur besimin ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij!”

Atë ditë gjer në mbrëmje, nuk mbeti pa u bërë musliman askush nga ai fis! (Ibni Hisham, II, 43-46; Ibni Sa’d, III, 604-605; Ibni Ethir, Usdu’l-Gabe, I, 112-113)

Hz. Mus’ab (r.a.) e ftoi në Islam edhe Amr bin Xhemuhun nga parësia e të Bijve Selime. Ai i këndoi atij tetë ajetet e para të sures Jusuf. Megjithëse Amri i kërkoi afat për t’u menduar, prapëseprapë nuk vendosi. Atëherë, i biri i Amrit, Muadhi, i cili qe bërë më parë musliman, u muar vesh me të rinjtë muslimanë të fisit dhe, një natë, e mori fshehtazi idhullin e të atit dhe e hodhi në gropën e ndyrësirave që ndodhej aty përreth. Kur e pa këtë gjendje në mëngjes, Amri u tmerrua, e nxori idhullin nga gropa, e lau, e leu me erëra të mira dhe e vuri në vend.

Pasi ngjarja u përsërit edhe disa ditë të tjera, Amri i vari në qafë idhullit shpatën që ta mbronte veten. Por kur të nesërmen e pa të përsëritej e njëjta gjë, e kuptoi se sendi jo i gjallë që i falej dhe e adhuronte, nuk vlente për asgjë, se s’ishte i aftë për ta mbrojtur as veten, dhe, atëherë, u zgjua nga errësira e natës së politeizmit në mëngjesin e ndritshëm të Islamit. Ai e falenderoi Allahun që e shpëtoi nëpërmjet Profetit (s.a.s.). Pastaj e nxiti fisin për në Islam.

Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe muslimanët mekas e mësuan këtë pritje dhe pranim kaq të mirë të Islamit në Medinë, u gëzuan jashtëzakonisht, aq sa ai vit u quajt “Viti i Gëzimit”. Medina po përgatitej të bëhej djepi i Islamit!

Profeti (s.a.s.) ka thënë:

“Shtetet janë ngadhnjyer me anë të shpatës, kurse Medina është ngadhnjyer me anë të Kur’anit!” (Bezzar, Musned, nr. 1180; Rudani, nr. 3774)

Share.

Comments are closed.