Një ditë, zonja Rahime kishte dalë për të kërkuar ushqim. Ndërkohë, Ejjubit (a.s.), i vjen Xhebraili (a.s.) bashkë me lajmin e mirë të Allahut: “O Ejjub! Të dhashë bela, durove. Tani do të të jap përsëri shëndet dhe të mira!”, të kam sjell edhe urdhrin e Tij:

“Bjeri me këmbë tokës dhe aty do të dalë një burim me ujë të ftohtë për larje dhe pirje!” (Sad, 42)

Ejjubi (a.s.), e zbatoi urdhrin hyjnor dhe e goditi tokën me këmbë, nga ku shpërtheu menjëherë një burim. Ai u la me këtë ujë dhe në mënyrë të mrekullueshme shpëtoi prej të gjitha sëmundjeve. Sipas një transmetimi tjetër, kur Ejjubi (a.s.), i ra tokës me këmbë, dolën dy burime: njëri me ujë të ftohtë, e tjetri me ujë të ngrohtë. Ai u la me të ngrohtin dhe piu nga i ftohti.

Një çështje që të tërheq vëmendjen në urdhrin hyjnor; “bjeri tokës me këmbë”, është se, edhe në realizimin e një mrekullie, kërkohet përpjekja e robit! Kjo do të thotë se, në një punë, lëvizja e parë gjithmonë duhet të vijë prej robit. Atëherë, mund të themi se, robi nuk duhet të lërë mangët asnjë prej shkaqeve dhe nuk duhet të ulet këmbëkryq e të mjaftohet vetëm me lutje. Pra, përveç lutjes, ai duhet të përpiqet të krijojë kushtet e duhura për realizimin e lutjes.

Ejjubi (a.s.), iu drejtua Allahut me përulje të madhe dhe lutja e tij u pranua, duke iu hapur dyert e shërimit, mëshirës dhe mirësive hyjnore:

“Ne iu përgjigjëm atij, ia larguam mjerimin që kishte dhe ia kthyem familjen të dyfishuar në numër. (Këtë e bëmë) nga mëshira Jonë dhe që të jetë përkujtesë për ata që Na adhurojnë.” (Enbija, 84)

Me urdhrin e Allahut, Xhebraili (a.s.), Ejjubit (a.s.), tashmë të shëruar, i vuri një kurorë në kokë dhe i veshi rroba të bukura. Më pas erdhi një re që i spërkati sipër copëza floriri.

Profeti ynë (a.s.), thotë:

“Kur Ejjubi po lahej me ujë, para tij kishin rënë një tufë karkalecash ari. Ejjubi filloi t’i mbledhë menjëherë, duke mbushur xhepat. Për këtë, Allahu i Madhëruar i tha: «O Ejjub! E sheh!? A s’ta ktheva përsëri mallin dhe të bëra të pasur?» Ejjubi u përgjigj: «Po, o Zot! Më bëre të pasur! Por unë nuk jam i panevojshëm për thesaret e të mirave dhe begative të Tua! Prandaj e pranoj çdo gjë që vjen prej Teje! (Ti je Ai që po m’i jep. E si ta kthej atë që më jep Ti?)” (Buhari, Gusl, 20; Enbija, 20; Nesai, Gusl, 7.)

Ndërkohë, zonja Rahime ishte kthyer nga qyteti. Ajo nuk e njohu dot Ejjubin (a.s.) dhe filloi të vrapojë majtas-djathtas, duke pandehur se ai kishte humbur. Ndërkohë që ajo po qante e dëshpëruar, Ejjubi (a.s.), i foli:

– O zonjë, kë kërkon?

– Kisha një të sëmurë. Ishte shoku im i jetës. Edhe pse me vështirësi, unë i shërbeja me kënaqësi. Tani e humba atë thesar që ishte burim i qetësisë sime shpirtërore!..

– Ç’njeri ishte ai?

– Ai ishte shumë durimtar. Kur gëzonte shëndet, ngjante me ju!

– O Rahime! Ai që kërkon jam unë! Allahu i Lartë më dha shëndet!

Pas kësaj, të dy filluan të qajnë nga gëzimi dhe falënderuan Allahun.

Ejjubi (a.s.), tashmë kishte rifituar rininë dhe gjallërinë e mëparshme. Allahu i Madhëruar, i fali më shumë pasuri dhe fëmijë se ç’kishte pasur më parë. Pjesëtarët e shpërndarë të familjes u bashkuan përsëri dhe gëzuan mirësi edhe më të mëdha se më parë. Allahu i Madhëruar, urdhëron:

“Ne ia kthyem atij familjen dhe dy herë më tepër, si mëshirë prej Nesh dhe këshillim për mendarët.” (Sad, 43)

Në mëngjesin e natës së parë pasi kishte rifituar shëndetin, ai lëshoi një “ah!” të thellë. Kur e pyetën për shkakun, ai tha:

“Çdo herë në të aguar dëgjoja një zë që më thoshte: “Si je, o i sëmuri ynë!” Tani që erdhi përsëri kjo kohë, nuk dëgjova kënd të më thërriste: “Si je, o robi ynë i shëndoshë!” Prandaj po qaj!”

 

Share.

Leave A Reply