Njeriu, si domosdoshmëri e natyrës së tij, kërkon patjetër të priret apo të lidhet pas diçkaje. Ai do të bëhet ose rob i dëshirave të egos së vet, ose rob i Zotit të vet. Megjithëse njeriu ka gjithë këto dobësi, nëse e pastron shpirtin dhe zemrën, ai do të bëhet një vepër arti shumë e bukur dhe do të arrijë eliksirin e lumturisë së përjetshme. Nisur nga kjo, nëse njeriu dëshiron të shpëtojë prej dobësive që përmendëm më sipër dhe të drejtohet kah Zoti i vet e të bëhet rob i merituar i Tij, ai duhet të shpëtojë patjetër prej pengesës së egos së vet. Për këtë, ai duhet t’i përmbahet marrëveshjes që ka bërë me Zotin e tij, kur Ai e ka pyetur: “A nuk jam Unë Zoti juaj!”, duke iu përgjigjur me gjithë qenien e vet: “Po, Ti je Zoti ynë!”.

Kur shpirti bëri këtë marrëveshje çdo gjë ishte e hapur sheshit. Ai i shihte melekët dhe e sodiste madhështinë hyjnore. Sipas një hadithi, ky shpirt iu fry njeriut në barkun e nënës nga ana e Xhebrailit (a.s.), në ditën e 120. Mirëpo, ky shpirt, i cili e vazhdoi jetën e tij në trupin e njeriut pasi erdhi në këtë botë, hyri nën ndikimin e pesë shqisave dhe u përball me pengesën e “egos”.

Njeriu mundet ta kapërcejë pengesën e egos nëse pesë shqisat i orienton me anë të mundësive (dhuntive) subjektive të dhuruara prej Zotit në kahjen e kërkuar prej Tij si dhe me pastrimin e egos dhe purifikimin e zemrës. Kjo, sepse hyrja e pesë shqisave në rrugën e duhur, mund të bëhet vetëm në sajë të pastrimit  të egos dhe purifikimit të zemrës.

Shpirti, i identifikuar sipas shprehjes Kur i dhashë formë atij (Ademit) dhe i fryva nga shpirti Im…” (Hixhr, 29), është shpirti i lartë i ardhur nga bota e urdhrit. Ai, tani ka hyrë brenda trupit që është i vdekshëm. Që ky shpirt i lartë të mos humbasë brenda trupit, por përkundrazi, ta zotërojë atë, poeti Xhelaleddin Rumiu jep këtë shembull:

“Shpirti brenda trupit është si yndyra e padukshme, e fshehur në dhallë… Që yndyra të zbulohet e te dalë sipër duhet rrahur dhalla… Po kështu, që shpirti i lartë të marrë nën kontroll trupin, duhet luftë e përpjekje dhe pastrim shpirtëror!..”

Nuk është e mundur të arrish shpëtimin, pa bërë pastrimin e egos dhe purifikimin e zemrës. Lidhur me këtë, Allahu i Lartë urdhëron:

“I shpëtuar është ai që pastrohet, që e përmend emrin e Zotit të vet dhe që fal namaz!” (A’la, 14-15)

“Për Diellin dhe shkëlqimin e tij dhe për Hënën që e përcjell atë! Për ditën që ia zbulon shkëlqimin atij (diellit) dhe për natën kur e mbulon atë! Për qiellin dhe për Atë që e ka ndërtuar! Për Tokën dhe për Atë që e ka shtruar! Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur, duke ia bërë  atij të njohur  të keqen e të mirën! Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e poshtëron atë (me punë të këqija), do të dështojë.” (Shems, 1-10)

Qëllimi i fesë është të përgatisë njeriun e bukur, të hijshëm, delikat, të ndjeshëm dhe me botë shpirtërore të thellë. Dhe kjo mund të arrihet në sajë të adhurimit të Zotit me dinjitet. Kjo pjekuri realizohet vetëm te ata që arrijnë nivele të larta meditimi dhe ndjeshmërie. Me të vërtetë, Zoti i përshkruan kështu njerëzit me besim të përkryer:

“Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten.” (Enfal, 2)

“Atyre, zemrat e të cilëve frikësohen, kur përmendet Allahu, që (janë) të durueshëm për gjithçka që i godet, që falin namazet dhe që ndajnë nga ajo, që Ne ua kemi dhënë.” (Haxh, 35)

“Përmende Zotin tënd me vete, i përulur dhe me frikë – jo me zë të lartë, në mëngjes dhe mbrëmje, dhe mos u bëj nga ata që nuk i kushtojnë vëmendje!” (A’raf, 205)

“Prandaj, përmende emrin e Zotit tënd dhe përkushtoju krejtësisht Atij!” (Muzemmil, 8)

“Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” (Ra’d, 28)

Nëse zemra mbushet me dashurinë për Allahun, synimi i përgjithshëm dhe final i çdo akti bëhet miratimi (pëlqimi) hyjnor, njeriu nis të hapë rrugë drejt urtësisë së krijimit të vet, të vërtetës së gjithësisë dhe Kuranit. Allahu nuk i do robërit indiferentë e me zemër të sëmurë, të cilët nuk kanë mundur ta fitojnë këtë thellim cilësor:

“…Mjerë ata që e kanë zemrën të pandjeshme, kur përmendet Allahu! Njerëz të tillë janë në humbje të qartë!” (Zumer, 22)

Në këtë ajet, nënkuptohet fakti që njeriu i larguar prej përmendjes së Allahut, nuk e ka arritur dot nivelin e dinjitetit njerëzor, cilësinë e të qenit “krijim i përkryer/ahseni takuim”.

“A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka marrë për zot? A do t’i bëhesh mbrojtës atij?” (Furkan, 43)

 

Egoja, dëshiron kënaqësitë e kësaj bote dhe përpiqet t’i zotërojë të gjitha. Hedhja jashtë zemre e këtyre bëhet vetëm në përfundim të procesit të pastrimit të egos. Për këtë, janë të domosdoshme dhikri, qëndrimi dhe biseda me njerëzit e mirë.

Ashtu siç zemra është qendra e besimit, ashtu është edhe qendra e përmendjes së Allahut. Kur përmendja e Allahut zbret nga gjuha në zemër, atëherë fillon devotshmëria e vërtetë dhe njeriu hyn në rrugën e kapërcimit të pengesës së “egos”.

Si rezultat i vazhdimit të përmendjes së Allahut, e vërteta e Tij sundon mbi të gjithë qenien e njeriut, kjo e bën atë që në zemrën e tij të fshihet çdo gjë përveç Zotit. Më pas njeriu vazhdon ta adhurojë Allahun sikur është duke e parë…

 

Share.

Leave A Reply